Si po i dorëzon 'derr në thes' Berisha demokratët kuksianë, te Kastrati&Rama!

24 Gusht 2023, 20:46 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

Si po i dorëzon 'derr në thes' Berisha demokratët

Admir Sinamati në letrën e dorëheqjes së tij nga gara si kandidat për bashkinë e Kukësit nga rradhët e "Rithemelimit", përveçse fliste për një realitet të ri politik brenda demokratëve, (Baza kërkon që opozita të dalë me një kandidat), theksonte se edhe kundërshtari, (PS), këtë herë "ka hedhur në ring një kandidat që ndryshon shumë nga i pari..."

Sinamati nuk shkon më tej, me përmendjen e emrit të kandidatit të Ramës për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kukës. Dhe për këtë e ka një arsye, e cila më shumë se sa personale, ka lidhje me mërzinë që mund ti shkaktonte Sali Berishës në Tiranë.

Gjithsesi, tashmë është konfirmuar se kandidati i Ramës dhe PS në Kukës do të jetë prefekti aktual, Albert Halilaj. Dhe është e vërtetë ajo që thotë Admir Sinamati: Halilaj faktikisht është një "kandidat ndryshe" edhe nga Safet Gjici që rikonfirmoj Rama në zgjedhjet e 14 majit.

Kandidati i ri i Ramës nuk përfaqëson vetëm PS, por edhe një pjesë të kupolës së Rithemelimit në Tiranë dhe pikërisht inteteresa të ngushta financiare të vetë Sali Berishës dhe atij që foltoristët e dinë se e kanë Sekretar të Përgjithshëm, Flamur Nokës.

Lidhja është direkte.

Albert Halili është nipi i oligarkut më të preferuar të Edi Ramës dhe Berishës, Shefqet Kastratit.

Kjo lëvizje shpjegon shumë për atë që po bën faktikisht Berisha me demokratët shqiptarë prej dy vitesh dhe më specifikisht, me ata kuksianë aktualisht.

Partia Demokratike dhe kreu i saj Lulzim Basha e lanë të lirë degën e Kukësit që të punonte dhe të pozicionohej për daljen e opozitës me një kandidat të vetëm fitues, të gjithë faktorëve opozitarë në Kukës.

Të njëjtën gjë mund të bënte edhe kupola e Rithemelimit, sidomos pas "eksperimentit" katastrofik humbës të 14 majit.

Thirrjet, kërkesat e demokratëve që janë ende te Rithemelimi, që ta marrin të gjithë në dorë pa përçarje dhe ndasi situatën e zgjedhjeve të përsëritura në Kukës, u hodhën poshtë me ashpërsi nga qendra në Tiranë.

Vetë Berisha me një gjuhë të egër përjashtuese, refuzoj thirrjet e demokratëve në të dy grupimet dhe urdhëroj përsëritjen e eksperimentit të dështuar në Kukës dhe gjithë Shqipërinë, "Primaret".

Po si shpjegohet kjo kokëfortësi e Berishës, edhe pse të gjithë demokratët kuksianë i thonë se me kandidatin përbashkues, kryetarin aktual të PD dega Kukës Arif Rexhmati, opozita e fiton bashkinë Kukës?!

Ka shumë arsye, (Edhe aq të mëdha sa një kullë gjigante më e larta në Ballkan), por në rastin e Kukësit është ajo që thotë me gjysmë zëri i dorëhequri i "Primareve" Admir Sinamati: Kandidati ndryshe i Edi Ramës është nipi i Shefqet Kastratit!

Nëse ka një pikë ndërlidhje mes Edi Ramës dhe Sali Berishës që nuk përbën fare sekret, ajo është oligarku Kastrati dhe financimet e tij në dy krahët.

Flamur Noka mburret me Kastratin.

Ambasada amerikane dhe më pas ajo britanike, e kanë futur në listën e zezë si financues i luftës politike dhe mediatike të lëvizjes së "Nongratës Berisha" ndaj SHBA, Britanisë së Madhe dhe si "blerës" i deputetëve brenda Partisë Demokratike, në favor të Rithemelimit dhe shkatërrimit të kësaj force pro-perëndimore.

Kastrati kërkon tani që të kompletojë pashallëkun e tij, Kukësin, (Rruga e Kombit, aeroporti, doganat nga vërshon nafta e të tjera në Kosovë), duke marrë edhe bashkinë, (demokrate tradicionalisht), me nipin e tij kandidat të Ramës dhe me "eksperimentet" e dekonspiruara të Berishës me demokratë kuksianë.

Le ti çojë edhe një herë "derr në thes" Berisha demokratët kuksianë, siç ka bërë për dy vite me të gjithë të mashtruarit në të gjithë Shqipërinë.

Rëndësi ka që kullat të hedhin shtat, bizneset e rrethit familjarë të lulëzojnë dhe klientët e Edi Ramës të vazhdojnë të financojnë luftën e tij anti SHBA dhe perëndim për "dinjitet"!/Alfapress.al

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128