Vraponi “minj, tigra dhe luanë” të korrupsionit 32 vjeçarë, vraponi…

12 Korrik 2023, 15:18 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

Vraponi “minj, tigra dhe luanë” të korrupsionit 32

Pas lajmit se SPAK i kërkoj Kuvendit të Shqipërisë arrestimin e deputetit dhe njeriut kyç në aferat korruptive të qeverisë Rama, Arben Ahmetaj, po ndodh një fenomen i çuditshëm në klasën politike shqiptare.

Nga krahu i mazhorancës duke përfshirë edhe vetë kryeministrin Edi Rama, ashtu siç pritej, po zbatohet “Omerta”. Pra të gjithë po heshtin, por kjo nuk do të thotë se nuk kanë vepruar me një plan që po duket i mirë-organizuar, për ti dhënë kohën e duhur Arben Ahmetajt që të mos bjerë në duart e SPAK, si i prangosur për akuza teje të rënda. Edhe zërat e tyre mediatikë përpiqen që të relativizojnë çështjen, duke hedhur teza se Ahmetaj mund edhe të gjykohet i lirë, pasi “nuk ka vrarë njeri”.

Nga ana tjetër duket se edhe në krahun e opozitës, Berisha-Metaj, ka një panik dhe frikë të nivelit më të lartë për hetimin profesional dhe të kopsitur që ka bërë SPAK për më shumë se një vit, ndaj zyrtarit dhe politikanit më të lartë që rrezikon një dënim shembullorë gjatë këtyre 32 viteve.

Ajo që i tmerron në fakt është se për herë të parë SPAK, e tërhoqi fijen nga pasuria e familjarëve dhe të afërmëve të Ahmetajt. Ata njësoj si Rama me kompani, e dinë se edhe fijet e tyre të lëna jashtë janë aq të shumta, sa që nuk dinë më ku ti fshehin dhe ti fusin.

Ndaj së bashku me mediet dhe analistët e tyre, po e luajnë “Çështjen Ahmetaj” duke e relativizuar si një show të Edi Ramë, se SPAK po godet “Tigrin” për të shpëtuar “Luanin” Edi Rama, Erion Veliajn dhe të tjera broçkulla përpëlitëse, që shmangin thelbin e asaj që po ndodh.

Ajo që po ndodh faktikisht është se hetimi, gjykimi, dënimi dhe sekuestrimi i pasurive të vjedhura të Ahmetajt, shënjon fundin e paprekshmërisë së klasës politike shqiptare të korruptuar të këtyre 32 viteve tranzicion. Në arrati apo në burg me shokët e tij të majtë e të djathtë, kjo ka rëndësi të dorës së dytë tani për tani.

Pikërisht ky proces drejt finalizimit i ka alarmuar dhe trembur të gjithë, ndaj nëse i kalon në sitë qëndrimet e tyre që ngjasojnë si “luftë”, në thelb janë njësoj: SPAK duhet ndaluar këtu, po del jashtë “kontrollit”!

Koha kur talleshin me SPAK dhe Gjykatën e Posaçme, kur e delegjimitonin, kur e bënin pis, kur i zgjasnin duart te ndonjë prokuror për çështje të caktuara, kur kërkonin sovranizëm nga SHBA, BE dhe sulmonin “Drejtësinë e dështuar”, ka mbaruar. Tani janë në fazën kur duhet të luten; Zot na e bëj ëndërr!

Me votë nuk ikin sepse e kanë kapur sistemin politik, kanë asfiksuar opozitën, kanë blerë mediet, janë në ortakëri me klasën oligarko- ekonomike dhe atë kriminale. As me nograta nuk ikin. Vetë nuk u shkon fare ndërmend që të largohen, edhe pse i kanë marrë çdo gjë të mundshme këtij vendi dhe këtij populli.

Ndaj, le të nisin dhe të bëjnë hesapet e pasurive që kanë vënë nga grabitja më spektakolare, por nuk i fshehin dot. Të hapin Kodin Penal dhe të llogarisin vitet e burgut për veten, familjarët që kanë përfshirë në krim, si dhe për bashkëpunëtorët në “parti”.

Deri dje mendonin se duke u bërë bashkë, në aleancë të hapur dhe të fshehtë, duke shpenzuar nga pasuria e pa matë e grabitur; në aleancë me krimin e organizuar dhe me fuqinë politike të grumbulluar në 32 vite, jo vetëm do të shpëtonin, por edhe do të mbanin peng këtë vend dhe demokracinë.

Ky ishte dhe është një proces dialektik, gjeopolitik dhe historik i cili do të mbyllet së shpejti. Ndaj koha është që kushdo që nuk ka punë me SPAK direkt apo indirekt, brenda politikës, brenda medies, biznesit, shoqërisë civile dhe gjithë shtresave të shoqërisë, duhet ta mbledhë mendjen.

Opozitë e vërtetë tashmë është vetëm ajo që distancohet qartë nga korrupsioni i Edi Ramës, Sali Berishës, Ilir Metajt dhe gjithë derivative të tyre në këto 32 vite.

Ka ardhur koha që kushdo që ka një zë politik, mediatik dhe publik të shprehet vetëm me Pro/Kundër.

Jeni pro kalimit në sitën e vettingut të pasurisë dhe lidhjeve me krimin e organizuar të gjithë klasës politike, apo jo?

Jeni për ndryshimin e sistemit politik- zgjedhorë që të çlirohet vota dhe deputetët të dalin drejtpërdrejtë nga populli, apo jo?!

Jeni për votimin e emigrantëve, për zgjedhjen e presidentit nga populli dhe jo me pazare politike, apo jo?!

Kaq e thjeshtë është historia për këdo që e kupton, se kjo është një kohë historike për Shqipërinë. Të tjerat janë broçkulla ose përpëlitje që të shkakton ngrënia e “lugës së çorbës të prishur”.

Është koha që në Shqipëri të ketë edhe hapur vetëm dy “parti”, dy aleanca: Ajo e të korruptuarëve 32 vjeçarë që kanë kapur sistemin politik-ekonomik dhe ata që duan ta çlirojnë Shqipërinë prej tyre.

Minjtë, tigrat, luanët e aleancës së parë, asaj të Korrupsionit, pasi rezistuan ca vite duke tentuar që të shkatërrojnë demokracinë, opozitën dhe PD-në, po vrapojnë nga frika e prangave të SPAK.

Kush i ndjek duke thënë se ata po vrapojnë “të bashkuar drejt fitores”, kush flirton e u jep oksigjen mbijetese, me ndërgjegje apo jo, tashmë është njësoj si ata dhe do të trajtohet njësoj si ata!/Alfapress.al

 

 

Po ndodh...

ide