Kush e furnizon Shqipërinë me çelik? Analiza e dy prej metaleve kryesore dhe origjina e tyre

11 Shkurt 2025, 15:55 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Kush e furnizon Shqipërinë me çelik? Analiza e dy prej metaleve

Në analizën e tregtisë së jashtme sa i përket grupeve kryesore që vendi ynë importon, gjejmë produkte si mjetet e transportit, lëndët djegëse, makineritë dhe pajisjet elektrike, si dhe metalet. Përgjatë vitit 2024, mjetet e transportit ishin kapitulli me vlerën më të lartë, pasuar nga lëndët djegëse. Ndër pesë kapitujt kryesorë të importuar gjejmë edhe gizën dhe çelikun me një vlerë për vitin 2024 prej 48 miliardë lekësh.

“Scan Intel” ka kryer një analizë të detajuar sa i përket partnerëve kryesorë tregtarë në importin e gizës, çelikut dhe aluminit. Importi i çelikut dhe aluminit në Shqipëri është një aspekt i rëndësishëm i ekonomisë së vendit. Shqipëria importon këto metale kryesisht për përdorim në ndërtim, prodhim, infrastrukturë dhe prodhimin e automjeteve dhe pajisjeve të tjera industriale. Theksojmë se ndërtimi është një sektor kyç për ekonominë e vendit dhe ka patur një hov të madhe vitet e fundit.

Sipas të dhënave për vitin 2024, Shqipërinë e kanë furnizuar me gizë dhe çelik Turqia, Omani, Greqia, Kina, Egjipti, Italia, Libia, Algjeria dhe Maqedonia e Veriut. Pra, janë këto 10 partnerët kryesorë në drejtim të importit të gizës dhe çelikut që kanë edhe peshën më të madhe. Turqia zë gati 40% të totalit të importit të gizës dhe çelikut.

Ndërkohë, nga ana tjetër, një metal që futet mes kapitujve me vlerën më të madhe të importit është edhe alumini dhe artikujt prej tij. Përgjatë vitit 2024, ky kapitull regjistroi vlerë importi prej 14.7 miliardë lekësh.

Sa i përket aluminit, Italia, Turqia, Greqia, Bahreini, Kina, Serbia, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë furnizuesit kryesorë. Pesë vendet e para zënë rreth 70% të importit të aluminit.

Megjithëse të dhënat për vitin 2024 tregojnë se importi për grupin “Materiale ndërtimi dhe metale” ra me 2.3% në vlerë, ndërkohë që në volum është rritur. Po ashtu, importi për dy kapitujt e marrë në analizë paraqitet me rënie, krahasuar me vitet 2023 dhe 2022./SCAN

 

Po ndodh...