Nga ndëshkimet për turizmin seksual, dekriminalizimi i shpifjes, parkimi dysh, ndryshimet në Kodin Penal në fuqi nga 28 shkurti

14 Shkurt 2026, 15:05 / AKTUALITET ALFA PRESS

Nga ndëshkimet për turizmin seksual, dekriminalizimi i shpifjes,

Me botimin në Fletoren Zyrtare dhe dekretimin nga Presidenti i Republikës, ndryshimet e reja në Kodin Penal hyjnë në fuqi më 28 shkurt 2026, duke përforcuar ndjeshëm masat ligjore ndaj krimeve të rënda dhe duke futur dispozita të reja që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve.

Ndryshimet sjellin masa të ashpra për abuzuesit e të miturve, duke parashikuar dënime deri në 20 vjet burg për akte seksuale ndaj fëmijëve nën 14 vjeç, përfshirë prodhimin dhe aksesimin e materialeve pornografike, si dhe ndëshkimin e organizatorëve të “turizmit seksual”.

Ndryshimet garantojnë gjithashtu mbrojtje për gazetarët, duke dekriminalizuar shpifjen në rastet kur informacioni është përhapur me mirëbesim për çështje me interes publik dhe duke dënuar me deri në 5 vjet burg çdo akt dhune ose kanosjeje ndaj tyre.

Për mbrojtjen e territorit dhe mjedisit, zjarrvënia e qëllimshme në pyje trajtohet me ashpërsi, me dënime që mund të arrijnë deri në 10 vjet burg, sidomos në kushte të rrezikshme moti ose pranë zonave të mbrojtura. Ndërsa personat që parkojnë në mënyrë të parregullt duke bllokuar rrugët për emergjencat, mund të përballen me gjobë ose deri në 1 vit burg.

Kodi i ri përforcon edhe sigurinë kombëtare dhe parandalimin e financimit të terrorizmit, si dhe rrit dënimet për korrupsionin dhe mashtrimet me fondet e Bashkimit Evropian, me dënime deri në 10 vjet burg për shuma të mëdha.

Kjo paketë ndryshimesh ligjore synon t’i japë organeve të drejtësisë instrumente më të forta dhe të përputhura me standardet e Bashkimit Evropian për garantimin e rendit, sigurisë dhe drejtësisë në Shqipëri. /ekofin.al

 

Po ndodh...