Rriten eksportet dhe importet në Shkurt 2026, defiçiti tregtar mbetet i lartë

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, gjatë muajit Shkurt 2026 tregtia e jashtme e mallrave në Shqipëri ka shënuar rritje si në eksporte ashtu edhe në importe, ndërsa defiçiti tregtar vijon të mbetet i konsiderueshëm.
Eksportet e mallrave arritën vlerën 30,9 miliardë lekë, duke u rritur me 2,8 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 15,8 % në krahasim me Janar 2026. Nga ana tjetër, importet e mallrave arritën në 68,0 miliardë lekë, me një rritje prej 0,8 % në raport me Shkurt 2025 dhe 17,6 % krahasuar me muajin paraardhës.
Si rezultat, defiçiti tregtar për muajin Shkurt arriti në 37,1 miliardë lekë. Ky nivel paraqet një ulje të lehtë prej 0,8 % në krahasim me një vit më parë, por një rritje të ndjeshme prej 19,2 % krahasuar me Janar 2026.
Në analizën e strukturës së eksporteve, rritja vjetore prej 2,8 % është ndikuar pozitivisht kryesisht nga grupi “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, me një kontribut prej +6,3 pikë përqindje, si dhe nga “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +0,7 pikë përqindje. Ndërkohë, ndikim negativ kanë dhënë grupet “Ushqime, pije, duhan” me -2,1 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -1,1 pikë përqindje dhe “Materiale ndërtimi dhe metale” me -0,9 pikë përqindje.
Sa i përket importeve, rritja vjetore prej 0,8 % është ndikuar pozitivisht nga “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +5,0 pikë përqindje dhe “Ushqime, pije, duhan” me +0,9 pikë përqindje. Në të kundërt, grupet “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” (-3,6 pikë përqindje), “Materiale ndërtimi dhe metale” (-1,3 pikë përqindje) dhe “Produkte kimike dhe plastike” (-1,1 pikë përqindje) kanë ndikuar negativisht.
Në aspektin e partnerëve tregtarë, gjatë Shkurtit 2026 eksportet shqiptare kanë shënuar rritjen më të madhe drejt Kosovës me 37,1 % dhe Gjermanisë me 34,7 %. Ndërkohë, rëniet më të mëdha të eksporteve janë regjistruar drejt Italisë me 5,1 % dhe Spanjës me 42,3 %.
Për importet, rritja më e madhe është shënuar nga Kina me 53,9 % dhe Kosova me 36,5 %, ndërsa rënie janë regjistruar në importet nga Italia me 5,5 % dhe Turqia me 20,7 %.
Tregtia me vendet e Bashkimit Evropian vijon të zërë peshën kryesore në shkëmbimet tregtare të Shqipërisë, duke përbërë 56,3 % të totalit. Eksportet drejt vendeve të BE-së përfaqësojnë 70,3 % të eksporteve gjithsej, ndërsa importet nga BE-ja përbëjnë 49,9 % të totalit të importeve./ekofin.al
Po ndodh...
ide
Rishikimi i statutit dhe varka e mbytur e Berishës
A do ta bashkojë PS-në me PD-në drejtësia e re?
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128