Rritje e çmimit të energjisë prej 15%, paralajmërohen protesta e bojkotim të pagesës nga muaji prill

26 Mars 2025, 15:33 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Rritje e çmimit të energjisë prej 15%, paralajmërohen

Të shtunën më 5 prill, në Prishtinë do të mbahet protestë kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Aktivistë dhe qytetarë do të mblidhen në sheshin “Skënderbe”, duke filluar nga ora 15:00, për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj rritjes së tarifave prej 15% të energjisë elektrike. Kundër rritje së çmimit kanë dalë edhe bizneset dhe njohësit ekonomisë.

Energjia elektrike do të shtrenjtohet nga 1 prilli për 15% dhe këtë e ka bërë  punë të kryer kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji Elektrike, Ymer Zejnullahu gjatë një takimi me përfaqësues të bizneseve.

Ai ka treguar se me këtë mënyrë “reflektohet” një pjesë e importit të energjisë elektrike që tha se është bërë vitin e kaluar, por edhe “nevojat për vitin e ardhshëm”.

“ZRRE ka parë një raport. Ai është një vlerësim profesional i stafit të ZRRE-së që shihet mesatarisht – ajo bile thotë që tarifa është mesatare. Mund të ketë kategori të tjera të konsumatorëve që të kenë barrën më të mëdha të kësaj. Kjo është nevoja për të reflektuar një pjesë të importit që është importuar në vitin e kaluar dhe nevojat për vitin e ardhshëm. Kryesisht, dy kompetente kryesore janë: çmimet e importit dhe kostot e rezervave.

Ndoshta disa e kanë keqkuptuar se çka janë shërbimet ndihmëse. Shërbime ndihmëse janë ai gjeneratori që qëndron në gatishmëri për të na furnizuar kurdo që Kosova B ose Kosova A del nga sistemi, me e zëvendësu atë energji, dhe ajo është kosto e shërbimeve ndihmëse, që është rreth mbi 40 milionë euro, vetëm për arsye që mos të kemi ndërprerje kurdo që të del jashtë sistemit”.

Zejnullahu tha se “shpresojnë” që të ketë çmime më të favorshme të rrymës gjatë viteve të ardhshme.

“Prandaj mos e konsideroni që ZRRE-ja po ka dëshirë me i rritë çmimet e energjisë elektrike, por këto janë mundësitë në treg. Shpresojmë që të kemi çmime më të favorshme në vitet e ardhshme, dhe shpresojmë që të kemi kapacitete gjeneruese vendore, e të mos kemi nevojë ta importojmë atë sasi të energjisë dhe shpresojmë që këto biznese që janë bashkërisht me neve do të shikojnë mundësi për të investuar në kapacitete shtesë që do të na ndihmojnë, edhe këto vetë si biznese, por edhe neve si qytetarë, që të kemi çmime sa më të favorshme për konsumatorin tonë”.

ZRRE do të pranojë komente dhe sugjerime nga konsumatorët deri më 28 prill, para se ta marrë vendimin përfundimtar, që gjithsesi dihet tashmë.

Shtrenjtimi i tarifave të energjisë elektrike prej 15  nuk është pritur fare nga qytetarët të cilët e kritikuan ashpër Zyrën e Rregullatorit të Energjisë.

Madje, në shenjë pakënaqësie, më 5 prill në Prishtinë do të protestohet.

Protesta do të organizohet nga grupi “Asnjë cent më shumë”, i formuar nga Luan Hasanaj.

”Hapi i parë do jetë protesta, mirëpo jo vetëm protesta  ka edhe diskutime tjera, jemi duke menduar që të nisim një fushatë që do iu bëjë thirrje qytetarëve të Kosovës që të bojkotohet pagesa e energjisë elektrike nëse veç ky vendim merret”, ka thënë Luan Hasanaj, Iniciues i peticionit.

Hasanaj thotë që përveç pagesës shtesë së energjisë elektrike kjo ka efekt zinxhiror të pashmangshëm.

”Kjo do pasohet me rritje të çmimeve pothuajse në çdo sektorë qoftë në prodhimtari, qoftë në industri, qoftë në rritjen e çmimeve nëpër markete, qytetarët do të ndikohen edhe më shumë e në anën tjetër nuk kemi veprime të cilat do balancojnë këtë rritje siç janë rritja e pagave”.

Pas paralajmërimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, ka pasur reagime të shumta, duke kundërshtuar rritjen e çmimit.

Instituti Atlas ka dhënë një rekomandim për Qeverinë e Kosovës, se si do të mund të ulte çmimin e rrymës gjatë viteve 2025 dhe 2026.

“Nëse ZRRE vendos të rrisë të hyrat maksimale të lejuara me 15%, Instituti Atlas kërkon nga Qeveria e Kosovës të heqë TVSh-në prej 18 për qind në faturat e energjisë elektrike dhe të zbatojë opinionin e Avokatit të Popullit dhe gjykatave të Kosovës, duke i kthyer konsumatorëve 132.5 milionë euro të paguara padrejtësisht për konsumimin e energjisë në veri. Zbatimi i këtyre masave do të ulte çmimin e rrymës me 36% gjatë viteve 2025 dhe 2026”, thuhet në postimin e Institutit Atlas.

Shoqata e Industrisë së Qumështit të Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të ndërhyjë për të ndaluar rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke theksuar se kjo rritje do të dëmtojë rëndë sektorin e prodhimit të qumështit. Në një reagim të dërguar për mediat, përfaqësues të Shoqatës kanë shprehur shqetësimin për ndikimin negativ që do të ketë shtrenjtimi i energjisë në koston e prodhimit të qumështit.

Ata kanë theksuar se, përveç rritjes së kostove për ambalazhimin e produkteve dhe pagave të punëtorëve, industria e qumështit tashmë po përballet me shpenzime të larta operative.

“Me gjithë sakrificat e bëra deri tani për të ruajtur një paqe sociale për konsumatorët në Kosovë, nëse çmimi i energjisë rritet, do të detyrohemi të veprojmë. Shpresojmë në mirëkuptimin e klientëve tanë. Industria e qumështit në Kosovë ka qenë ndër sektorët më të goditur nga rritja e kostove të prodhimit dhe kërkon nga institucionet që të parandalojnë ndikimin e mëtejshëm të shtrenjtimit të energjisë në zinxhirin e furnizimit me produkte bazike ushqimore”, thuhet në reagim.

Edhe njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadrijaj shprehet se shtrenjtimi i mundshëm i energjisë elektrikë është goditje për bizneset dhe qytetarët.

“Shtrenjtimi i energjisë elektrike është ndër faktorët që do të ndikojë në të bërit biznes dhe në cilësinë e jetës së qytetarit. Qeveria duhet të reflektojë që të jetë në përkrahje të bizneseve dhe qytetarëve, sepse nëse vazhdohet me këtë trend do të ngulfatet çdo ditë e më shumë biznesi, por, njëherësh do të bie cilësia e jetës së qytetarit dhe do të reflektojë në pakënaqësi”.

Kujtojmë se nga prilli i vitit 2023, deri më 31 mars 2024 konsumatorët që shpenzojnë më pak se 800 kilovat në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës ishte ngritur në 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, çmimi ishte bërë prej 14.45 centësh, ose mbi 100 për qind më shtrenjtë krahasuar me vitin 2013.

Dhjetë vjet më herët, në vitin 2013, çmimi mestar i rrymës për familjar ishte 5.15 centë për kilovat, ndërsa, 7.21 centë për ata jo-familjarë./Monitor

 

Po ndodh...