Shqipëria në krizë të forcës punëtore, biznesi thirrje qeverisë: Hapni ambasadë në Indi dhe Bangladesh

10 Dhjetor 2023, 22:50 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Shqipëria në krizë të forcës punëtore, biznesi

Teksa mungesa e burimeve njerëzore po kthehet në kërcënimin kryesor për sipërmarrjen, kjo e fundit ka një kërkesë të pazakontë.

Sokol Kraja, sipërmarrës, gjatë një interviste televizive i bën thirrje qeverisë që të hapë ambasada në vendet e largëta, vetëm për një qëllim, për të rekrutuar punonjës të huaj.

Ajo që po ndodh sot është emigrim, emigrim, emigrim.

“Punonjësit po largohen çdo ditë. Në këto kushte i bëj thirrje qeverisë që të hapë ambasada në Indi dhe Bangladesh. Janë vende me popullsi të lartë dhe me një fuqi punëtore që mund të amortizojë hendekun në tregun tonë. Vendi ynë do të vijojë të vuajë nga emigrimi i mëtejshëm dhe kjo po sjell kosto për biznesin”, – u shpreh Kraja.

Sipas tij viti 2024 do të jetë edhe më sfidues në gjetjen e punonjësve të kualifikuar dhe ka një arsye për këtë.

Unë mendoj se 2024 do të jetë edhe më i vështirë në këtë drejtim. Shumë vende si Kanadaja, Gjermania etj po lehtësojnë kushtet e punësimit për emigrantët e huaj. Kjo do të sjellë hemorragji në tregun e punës, për rrjedhojë do të prekemi dhe ne – sqaroi Kraja.

Për të dytin vit me radhë, në indeksin e klimës së biznesit nga dhoma amerikane e tregtisë, treguesi me përkeqësimin më të madh është ai i gjetjes së fuqisë punëtore.