Denoncimi skandaloz i shqiptares/ Kosova dhe Maqedonia po evakuuojnë shtetasit e tyre në Kuvajt, ambasada jonë i ka lënë në grupe WhatsApp-i

Një shtetase shqiptare që jeton dhe punon në Kuvajt i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një mesazh publik, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë e shqiptarëve që ndodhen atje, në një moment kur situata në Lindjen e Mesme është përshkallëzuar ndjeshëm.
Sipas saj, aeroporti në Kuvajt aktualisht është i mbyllur dhe e vetmja rrugë daljeje mbetet ajo tokësore drejt Arabisë Saudite, prej nga mund të sigurohet një biletë kthimi drejt Shqipërisë. Ajo e përshkruan situatën si të pasigurt dhe thekson se ankthi mes komunitetit shqiptar është real.
Lindja e Mesme ndodhet në një fazë tensioni të lartë pas konfliktit të armatosur mes Iranit dhe Izraelit, me përfshirjen direkte të Shteteve të Bashkuara. Sulmet ajrore, goditjet hakmarrëse dhe kërcënimet për përshkallëzim të mëtejshëm kanë rritur pasigurinë në disa vende të rajonit, përfshirë edhe shtetet e Gjirit.
Në këtë klimë të brishtë sigurie, shtetas të vendeve të ndryshme kanë kërkuar mbështetje nga përfaqësitë e tyre diplomatike për evakuim ose asistencë logjistike.
Qytetarja shqiptare thekson se shtetasit e Kosovës janë marrë përsipër nga ambasada e tyre, e cila, ndonëse nuk ndodhet fizikisht në Kuvajt, u ka garantuar mbulimin e vizës turistike për në Arabinë Saudite si dhe transportin drejt kufirit.
Një situatë e ngjashme paraqitet edhe për shtetasit e Maqedonisë së Veriut, të cilëve u është ofruar mundësi kthimi, qoftë menjëherë ose në një fazë të mëvonshme.
Ndërkohë, sipas saj, Ambasada e Shqipërisë në Kuvajt ka krijuar një grup komunikimi në WhatsApp për emergjenca, ku shpërndahen kryesisht njoftime zyrtare të Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, por pa masa konkrete për evakuuim apo mbështetje financiare dhe logjistike.
Ajo thekson se përgjigjet ndaj pyetjeve të drejtpërdrejta kanë qenë formale dhe të përgjithshme, pa adresuar qartësisht se çfarë mbështetjeje konkrete mund të ofrohet për qytetarët shqiptarë në rast emergjence.
Mesazhi i plotë i qytetares:
Përshëndetje JOQ! Po e shkruaj këtë mesazh publikisht si mënyrën më të drejtpërdrejtë dhe më të lehtë për ta përcjellë zërin dhe shqetësimin tonë aty ku duhet.
Jemi në prag të një përshkallëzimi serioz të situatës në rajon dhe, si shtetase shqiptare që jetoj dhe punoj në Kuvajt, ndihem e detyruar ta bëj publik këtë shqetësim.
Aktualisht, aeroporti është i mbyllur dhe e vetmja mundësi daljeje është një rrugë tokësore drejt Arabisë Saudite, nga ku mendohet se mund të sigurohet një biletë kthimi për në Shqipëri. Situata është e pasigurt dhe ankthi është real.
Shtetasit e Kosovës janë marrë përsipër nga Ambasada e tyre (edhe pse ajo nuk ndodhet fizikisht në Kuvajt). Sipas komunikimeve zyrtare, atyre u është garantuar se nuk do të paguajnë vizën turistike për në Arabinë Saudite, pasi kjo do të mbulohet nga ambasada përkatëse. Po ashtu, është bërë e ditur se do të mbulohet edhe transporti nga Kuvajti drejt Arabisë Saudite. Një situatë premtuese paraqitet edhe për shtetasit e Maqedonisë së Veriut, të cilëve u është ofruar mundësia e kthimit, qoftë menjëherë ose në një moment të dytë, pavarësisht se edhe ambasada e tyre nuk ndodhet në Kuvajt.
Në këto rrethana, pritshmëritë tona si shtetas shqiptarë kanë qenë që Ambasada e Shqipërisë në Kuvajt të ndërmarrë hapa konkretë për mbështetjen dhe sigurinë tonë. Deri më tani, është krijuar një grup komunikimi për emergjenca në WhatsApp, ku kryesisht përcillen njoftime të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Megjithatë, këto informacione janë të aksesueshme publikisht dhe nuk përbëjnë ndihmë konkrete në drejtim të evakuimit apo mbështetjes financiare dhe logjistike.
Kur janë adresuar pyetje të drejtpërdrejta lidhur me masat konkrete që ambasada mund të mbulojë apo garantojë për shtetasit e saj, përgjigjja e dhënë ka qenë formale dhe e përgjithshme, pa iu referuar thelbit të kërkesës.
Ky nuk është një sulm, por një thirrje për vëmendje. Siguria jonë është një shqetësim real. Kërkojmë transparencë, qartësi dhe masa konkrete në mbështetje të shtetasve shqiptarë që ndodhen aktualisht në Kuvajt.
Shpresoj që ky mesazh të arrijë tek institucionet dhe audienca e duhur, në mënyrë që situata të trajtohet me seriozitetin që meriton./JOQ
Happening now...
Germany, the "curse" of Rama and Berisha
ideas
top
Alfa recipes
TRENDING 
services
- POLICE129
- STREET POLICE126
- AMBULANCE112
- FIREFIGHTER128