I zhdukur prej 7 tetorit/ 31-vjeçari shqiptar u gjet i pajetë në Itali, arrestohet një i dyshuar! Trupi i viktimës ndodhej brenda një pusete

2026-10-28 21:20:00 / AKTUALITET ALFA PRESS

Një ngjarje e rëndë është zbuluar në Longiano të Italisë, ku trupi i pajetë i shqiptarit Denaldo Maxhallaku, 31 vjeç, është gjetur brenda një pusete për kullimin e ujërave, pranë disa banesave në zonën e Felloniche.

Sipas mediave italiane, 31-vjeçari dyshohet se është vrarë me disa të shtëna arme zjarri nga një distancë e afërt. Në mbrëmje është konfirmuar edhe arrestimi i një personi të dyshuar për ngjarjen.

Alarmi u dha në orët e para të mëngjesit, pasi banorët e zonës vunë re diçka të pazakontë brenda kanalit kullues dhe njoftuan shërbimet e emergjencës. Në vendngjarje mbërritën zjarrfikësit, të cilët ndërhynë për nxjerrjen e trupit, si dhe karabinierët dhe specialistët e kriminalistikës, të cilët kryen veprimet e para hetimore.

Vrasja Itali

 

Sipas informacioneve të publikuara nga mediat italiane, trupi i viktimës ndodhej me kokën poshtë brenda pusetës dhe dyshohet se kishte qëndruar aty prej disa ditësh.

Denaldo Maxhallaku, banues në Gatteo, punonte si bojaxhi dhe nuk rezultonte me precedentë penalë. Ai ishte i martuar dhe baba i një fëmije pak më shumë se një vjeç.

31-vjeçari ishte zhdukur që prej 7 tetorit. Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, ai ishte larguar nga banesa për t’u takuar me një të njohur, por që nga ai moment nuk ishte parë më.

Të nesërmen e zhdukjes, makina e tij ishte gjetur e djegur plotësisht në afërsi të zonës ku tashmë është zbuluar trupi i pajetë. Ky detaj është kthyer në një nga elementet kryesore të hetimit, pasi dyshohet se mund të ketë lidhje me vrasjen.

Pranë pusetës ku u gjet viktima, hetuesit kanë konstatuar edhe disa gëzhoja. Karabinierët po punojnë për të rindërtuar lëvizjet e fundit të 31-vjeçarit dhe për të sqaruar rrethanat e krimit.

Në kuadër të hetimeve janë marrë në pyetje banorë të zonës dhe familjarë, ndërsa po analizohen edhe pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar personat që mund të kenë lidhje me ngjarjen. Hetimet vijojnë për të zbardhur motivet e vrasjes dhe rolin e personit të arrestuar.

 

Po ndodh...

ide