“Janë paguar nga krimi i organizuar dhe forca të huaja”/ Rama sërish gjyq publik protestuesve: Këta nuk janë studentë

Kryeministri Edi Rama ka lëshuar akuza të forta ndaj Partisë Demokratike, duke e cilësuar si iniciatore të dhunës së ushtruar pranë Ministrisë së Arsimit gjatë protestave studentore. Në një deklaratë publike, kreu i qeverisë e ka quajtur PD-në “glasa mbi tortë”, ndërsa ka pretenduar se personat e përfshirë në përplasjet me policinë janë financuar nga krimi i organizuar dhe forca të huaja.
Rama deklaroi se Partia Demokratike ka marrë autorësinë e nisjes së dhunës pranë Ministrisë së Arsimit, duke paralajmëruar publikimin e pamjeve që, sipas tij, do të tronditin opinionin publik. Kryeministri pretendoi se personat e shfaqur në këto pamje nuk janë studentë, por individë që nuk kanë lidhje me protestën paqësore të të rinjve. Ai tha se identiteti i tyre është mbuluar në respekt të ligjit, ndërsa shtoi se bëhet fjalë për persona të ndaluar nga policia, duke u bërë gjyq publik.
Në vijim të akuzave, Rama pretendoi se individët e përfshirë në dhunë janë paguar nga krimi i organizuar dhe forca të huaja, me synimin për të përmbysur rendin në vend. Megjithatë, në deklaratën e cituar nuk përmenden emra konkretë apo prova që mbështesin këto pretendime.
“Forca e ardhur nga jashtë, qershia mbi tortë, ose më saktë glasa mbi tortë, është PD. Dje PD mori autorësinë e fillimit të dhunës te Ministria e Arsimit. Do të ndaj me ju pamje që do të trondisin më shumë se ju shumëkënd. Për arsye se është ruajtur identiteti i personave në respekt të ligjit. Të gjithë personat që do të shihni janë subjekt dhe objekt i sulmeve. Janë persona të ndaluar nga policia. Nuk janë studentë, janë diçka tjetër.
Nuk i përkasin dhe nuk kanë asnjë lidhje me ata studentë që nuk i janë bashkuar kësaj dallge terrori urban, por që qëndrojnë në atë protestë paqësore, të lidhur me jetën e tyre të përditshme. Duan të më imponojnë mua që të shkel kontratën me shqiptarët. Çdo koment është i tepërt nga ana ime.
Mjaftojnë çehret, pavarësisht fshehjes së identitetit, që mund të jenë pjesë e një përfaqësie të një bote të zymtë, karrierat e këtyre individëve, që janë paguar nga krimi i organizuar dhe forca të huaja. Duan ta kthejnë përmbys edhe një herë rendin. Këta nuk janë studentët. Tani është koha që fjalia të mbështetet nga faktet dhe dokumentet”, deklaroi Rama.
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
