Izraeli mbyll Bregun Perëndimor! Sulmi në pikën ushtarake la pesë persona të plagosur, dy rëndë

2026-10-23 14:21:00 / BOTA ALFA PRESS

Izraeli mbyll Bregun Perëndimor! Sulmi në pikën ushtarake la

Kryeministri Izraelit, Benjamin Netanyahu,  urdhëroi mbylljen e Bregut Perëndimor të pushtuar, menjëherë pasi dy persona të armatosur palestinezë hapën zjarr të premten në një pikë kontrolli ushtarake izraelite, duke plagosur të paktën pesë persona.

Dy prej tyre ndodhen në gjendje kritike, sipas shërbimit izraelit të urgjencës Magen David Adom. Të dy sulmuesit u qëlluan për vdekje nga forcat izraelite. 

Ndërkohë, ushtria ka vendosur një rrethim të plotë në Hebron dhe ka vijuar kontrollet në zonë, për të identifikuar persona të tjerë që mund të kenë lidhje me sulmin.

Gjatë operacionit, autoritetet izraelite thanë se zbuluan edhe automjetin e përdorur nga të armatosurit, ku u gjet një sasi e madhe municionesh. Shefi i Shtabit të ushtrisë izraelite deklaroi se ndërhyrja e shpejtë e forcave të sigurisë parandaloi një sulm me pasoja edhe më të rënda.

Pas ngjarjes, kryeministri Benjamin Netanyahu urdhëroi ushtrinë të përgatitet për mbylljen e plotë të Bregut Perëndimor. 

Hamasi e përshëndeti sulmin në një deklaratë, por nuk mori përgjegjësinë për të. Ngjarja vjen në një moment të ndjeshëm për Izraelin, vetëm katër ditë para zgjedhjeve, duke rikthyer sigurinë në qendër të debatit politik. 

Netanyahu, i cili ka ndërtuar një pjesë të rëndësishme të profilit të tij politik mbi qëndrimin e ashpër ndaj kërcënimeve të sigurisë, përballet me një tjetër provë në një klimë të tensionuar në rajon.

Po ndodh...