PR-i kryeministror në përpjekje të delegjitimimit të protestës

2026-10-23 12:26:10 / IDE NGA NELI DEMI

PR-i kryeministror në përpjekje të delegjitimimit të

Publikimi nga kryeministri i fotografive, inicialeve, moshave dhe precedentëve penalë të disa personave të shoqëruar gjatë protestave është një përpjekje për ta zhvendosur debatin nga arsyet e protestës te biografitë e përzgjedhura të disa pjesëmarrësve.

Logjika që i ofrohet publikut është e thjeshtë: disa prej tyre kanë precedentë penalë, prandaj protesta është produkt i kriminalitetit. Kështu, përmes disa individëve synohet të njolloset një protestë e tërë dhe të zhvlerësohen kërkesat e saj.

Por precedenti penal nuk provon fajësinë për një ngjarje të re. Shoqërimi nga policia nuk është vendim gjykate. Dhe përgjegjësia individuale nuk mund të shndërrohet në fajësi kolektive.

Edhe një person i dënuar më parë mbetet qytetar. Mund të ketë një ankesë të drejtë, të kundërshtojë qeverinë dhe të kërkojë llogari prej saj. E kaluara e tij nuk përbën autorizim për ta poshtëruar publikisht apo për të justifikuar çdo trajtim ndaj tij.

Nga pikëpamja psikologjike, kjo mënyrë komunikimi ushqen një ndarje të rrezikshme: nga njëra anë qytetarët “e mirë”, që publiku ftohet t’i identifikojë me rendin; nga ana tjetër njerëzit “e këqij”, me të cilët ftohet të identifikojë protestën. Pasi krijohet kjo ndarje, bëhet më e lehtë të mos dëgjosh çfarë kërkojnë dhe të pranosh forcën që ushtrohet mbi ta.

Shiriti i zi mbi sy nuk e zhbën këtë efekt. Fotografia ruan gjuhën pamore të kronikës kriminale. Personi shfaqet përpara publikut i shoqëruar nga një dosje që paraprin çdo shpjegim të tij. Ekrani merr funksionin e një gjyqi publik, ku pushteti përzgjedh fytyrat, informacionin dhe përfundimin që dëshiron të nxisë.

Çdo akt dhune duhet hetuar dhe përgjegjësia duhet provuar individualisht. Po aq duhet hetuar çdo abuzim policor. Biografia e të shoqëruarit nuk e përjashton përgjegjësinë e uniformës.

Një kryeministër ka detyrimin t’u përgjigjet edhe qytetarëve që e kundërshtojnë. Kur përdor të dhënat policore për të ndërtuar portretin kriminal të kundërshtimit, ai e vë autoritetin shtetëror në shërbim të mbrojtjes së vet politike.

Po të ndiqnim të njëjtën logjikë, çfarë do të duhej të thoshim për të dënuarit që kanë dalë nga radhët e qeverisë dhe të shumicës së saj? A do të mjaftonin dënimet e tyre për ta shpallur të gjithë qeverinë një organizatë kriminale dhe çdo vendim të saj të paligjshëm? Përgjegjësia penale është individuale, ndërsa përgjegjësia politike shtrihet edhe te përzgjedhja, mbrojtja dhe mbajtja në pushtet e njerëzve që abuzojnë me të. Prandaj, një qeveri që kërkon të delegjitimojë protestën përmes precedentëve të disa pjesëmarrësve duhet të përballet me standardin që vetë po vendos: çfarë peshe kanë, për legjitimitetin e saj, krimet e kryera nga njerëzit të cilëve u ka besuar pushtet publik? Qytetarët nuk i kanë emëruar njerëzit që gjenden pranë tyre në shesh. Kryeministri i ka përzgjedhur bashkëpunëtorët e vet.

Qeveria u detyrohet qytetarëve përgjigje për arsyet që i nxjerrin në rrugë. Një galeri fotografish me shirita të zinj mbi sy nuk është përgjigje. Është përpjekje për t’ua hequr të drejtën për t’u dëgjuar.

Po ndodh...