Revolta studentore për dorëheqjen e Ramës/ Denada Kola: Krim, dhunohen 15-vjeçarë në protestë! Duhet të ketë përgjegjësi penale

2026-10-27 21:47:00 / POLITIKË ALFA PRESS
Revolta studentore për dorëheqjen e Ramës/ Denada Kola: Krim,

Gazetarja Denada Kola ka komentuar protestat e studentëve dhe qytetarëve që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke ngritur shqetësime për dhunën policore ndaj të rinjve dhe vështirësitë në sigurimin e informacionit të saktë për ngjarjet.

E ftuar në emisionin “Prime News24” në News24, Kola u shpreh se, përveç përplasjeve mes protestuesve dhe policisë, një nga betejat më të vështira gjatë këtyre ditëve ka qenë ajo për të zbardhur të vërtetën, për shkak të vështirësive në konfirmimin e informacionit nga institucionet përkatëse.

Gazetarja theksoi se rastet e dhunës ndaj të miturve duhet të hetohen dhe se përgjegjësia penale dhe individuale duhet të shtrihet ndaj çdo personi që ka kryer akte të tilla, përfshirë efektivët e policisë.

 

Sipas Kolës, shqetësim përbën edhe përpjekja e mundshme e aktorëve politikë apo e interesave të tjera për të deformuar historitë e të rinjve të përfshirë në protestë.

“Për mua, çdo fëmijë 15, 16 apo 17 vjeç që dhunohet është viktimë e një akti kriminal. Dhuna mbjell dhunë. Nuk duhet të presim që nesër t’u kërkojmë këtyre të rinjve të jenë të përgjegjshëm, nëse trajtohen në këtë mënyrë nga shteti dhe policia”, u shpreh Denada Kola.

Ajo nënvizoi se, pavarësisht vështirësive dhe kohës që mund të kërkojë procesi, duhet të ketë përgjegjësi për personat që kanë kryer akte dhune, ndërsa bëri thirrje që rastet e denoncuara të trajtohen me seriozitet dhe të mos anashkalohen.

“Unë mendoj se, krahas protestës dhe dhunës policore që ka pasur gjatë këtyre ditëve, një nga betejat më të vështira ka qenë pikërisht ajo për informacionin, duke filluar nga spitalet, policia dhe çdo institucion tjetër që duhet të funksionojë normalisht për të kuptuar të vërtetën. Ka një luftë po aq të ashpër sa ajo mes protestuesve dhe policisë, edhe për të konfirmuar një lajm, për të kuptuar se kush po thotë të vërtetën dhe kush jo. Kjo e bën edhe më të vështirë situatën, sidomos në rastet e dhimbshme që kemi parë.

Për mua, ata janë fëmijë, edhe ata që kanë denoncuar raste të ndryshme. Përveç kësaj, kanë dalë në pah edhe problematika të tjera që nuk duhet të anashkalohen. Unë mendoj se, përveç dy apo tri rasteve që tashmë i dimë, duhet që, në çdo institucion, edhe në atë evropian, sado e gjatë të jetë rruga, të kërkohet përgjegjësi penale dhe individuale për ata persona, përfshirë policët, që marrin përsipër të kryejnë akte të tilla. Për mua, po aq nën vëzhgim duhet të jenë edhe rastet kur elementë të politikës apo të interesave të tjera përpiqen t’i tjetërsojnë historitë e këtyre fëmijëve, të cilat janë po aq të dhimbshme sa edhe ato të të rinjve që dalin në protestë.

Për mua, çdo fëmijë 15, 16 apo 17 vjeç, dhe në këtë protestë ka shumë të tillë, që dhunohet, është viktimë e një akti kriminal. Dhuna mbjell dhunë. Nuk duhet të presim që nesër t’u kërkojmë këtyre të rinjve të jenë të përgjegjshëm, nëse trajtohen në këtë mënyrë nga shteti dhe policia”, tha ajo.

 

Po ndodh...