Visited Big's "VIPs" at home, the doctor shares his impressions: Unknown to me, glorification of people without m

2026-01-23 11:39:12 / SHOWBIZ ALFA PRESS

Visited Big's "VIPs" at home, the doctor shares his impressions:

Një ftesë profesionale, në dukje rutinë, u shndërrua papritur në një përvojë të pazakontë reflektimi per mjekun Gramos Hodaj. Ajo që pasoi per mjekun ishte një ditë pune e zakonshme në thelb, por me një jehonë krejt të pazakontë, per ate qe tashme quhet ‘VIP’ ne vendin tonë.

Postimi:

Mbresat e një dite mes “VIP-ash”
Javën që lamë pas, kur stafi drejtues i Poliklinikës Universitare Barleti më njoftoi se isha përzgjedhur, së bashku me dy asistente, për të kryer një kontroll shëndetësor për banorët e “Shtëpisë më të famshme në Shqipëri” Big Brother VIP, ndjeva një hezitim të natyrshëm.

U gjenda përballë një dyzimi të heshtur, si ai çasti kur arsyeja dhe intuita kërkojnë secila fjalën e fundit.
“Nuk besoj se jam zgjedhja e duhur,” reagova instinktivisht.

“Pse jo?” ma kthyen njëzëri.

Na duhet një mjek me përvojë dhe me ndjeshmëri për etikën e spektaklit.
Druaja se nuk do mund të vizitoja kaq shumë “VIP-a” brenda një dite, një shqetësim që nuk i lëkundi bindjet e drejtuesve.
Edhe dy asistentet që do të më shoqëronin e ndienin peshën e padukshme të kësaj përvoje, nga kamerat që s’të lënë vetëm, dritat që s’të falin hijet, publiku që te sheh pa pyetur.

Gjithçka dukej më e zhurmshme se heshtja profesionale ku jemi mësuar të punojmë.
Të premten ishim brenda shtëpisë. i vizituam të gjithë banorët.. Në thelb, një ditë pune e zakonshme, por me një jehonë të pazakontë.

Kamerat ndiqnin lëvizjet tona, por ne ndiqnim pulsin. Dritat ndriçonin fytyra, ndërsa ne kërkonim shenja lodhjeje, tensioni, ankthi, gjëra të vogla që nuk duken në ekran.

Aty ku fama peshon më shumë se heshtja, mjekësia mbetet një akt i thjeshtë njerëzor.
Pas përfundimit të vizitave, mesazhet e përgëzimit më erdhën pa fund, sikur të kishte ndodhur diçka jashtë normales.
Nuk do ta kisha menduar kurrë se një ditë kaq e zakonshme për mua do të më vendoste simbolikisht në të njëjtin emërtim, “VIP” përkrah banorëve, opinionistëve, moderatorëve e skenaristëve.

Edhe sot, teksa shkruaj këto rreshta, mbetem i paqartë për kriteret që e përkufizojnë këtë titull.
Shumica e banorëve ishin të panjohur për mua, dhe nuk gjeja në kujtesë ndonjë vepër, gjurmë a kontribut, që ta lidhja emrin me fytyrën.

Por ndoshta kjo është shenja e kohës ku jetojmë, famë pa histori, zë pa thellësi dhe dritë pa nxehtësi.
Nuk i kam ndjekur kurrë këto eksperimente sociale televizive.

Ndaj e gjej të vështirë të shpreh nëse shërbejnë për edukimin e shoqërisë apo thjesht për argëtimin e saj.
Kur dola nga shtëpia, kuptova se “VIP” është një fjalë elastike e përkoshme, që zgjatet e tkurret sipas kohës.
Diku kam lexuar se nëse njerëzit e vegjël bëjnë hije të madhe, atëherë dielli me siguri është duke perënduar.
Ashtu si hijet që zgjaten në muzg, edhe glorifikimi i njerëzve pa merita është shenjë se drita e mençurisë së shoqërisë po zbehet, duke u fshehur bashkë me diellin pas horizontit.

Megjithatë, për ekipin tonë mjekësor, kjo mbetet një përvojë e veçantë. Brenda atyre mureve, përtej famës dhe spektaklit, ne gjetëm thjesht njerëz dhe i trajtuam si të tillë.

Gjej rastin të falënderoj të gjithë banorët për përqasjen e ngrohtë dhe respektin e treguar, ndaj nesh, dhe t’u uroj suksese në rrugëtimin e tyre jetësor. aty ku drita e vërtetë matet jo nga reflektorët, por nga gjurmët që lë pas.
PS. Edhe këto foto bashkë me mesazzhet janë postuar nga ndjeksit e mi.

Happening now...