Europa i bashkohet negociatave për Ukrainën, delegacioni i BE-së do të jetë në tryezën e bisedimeve në Abu Dhabi

9 November 2026, 15:15 / BOTA ALFA PRESS

Europa i bashkohet negociatave për Ukrainën, delegacioni i BE-së

Bashkimi Evropian do të marrë pjesë në raundin e ardhshëm të negociatave për përfundimin e luftës Rusi-Ukrainë, që do të zhvillohen më 10 dhe 11 nëntor në Abu Dhabi, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara. Komisioni Evropian dhe Këshilli Evropian do të dërgojnë një ekip të përbashkët zyrtarësh të nivelit të lartë, ndërsa në negociata do të përfaqësohen gjithashtu Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.

Sipas raportimeve nga mediat e huaja, edhe NATO do të ketë një përfaqësues në takime. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, konfirmoi pjesëmarrjen e BE-së pas një bisede me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

“BE-ja do të jetë e pranishme përkrah partnerëve tanë”, deklaroi ajo, duke theksuar gjithashtu rëndësinë e rivendosjes së lirisë së lundrimit në Detin e Zi dhe mbështetjen për një armëpushim që përfshin infrastrukturën ushqimore dhe energjetike.

Delegacioni evropian do të drejtohet nga Bjoern Seibert, shefi i kabinetit të Von der Leyen, dhe Anna-Maria Boura, këshilltarja kryesore për politikën e jashtme e presidentit të Këshillit Evropian, António Costa.

Kush do të marrë pjesë në negociata?

Delegacioni ukrainas do të kryesohet nga Rustem Umerov, kreu i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme, ndërsa në përbërje do të jenë edhe Kyrylo Budanov, Sergiy Kyslytsya dhe Davyd Arakhamia. Nga pala ruse, delegacioni do të drejtohet nga Vladimir Medinsky, këshilltar i presidentit Vladimir Putin, i shoqëruar nga zëvendësministrat e Jashtëm Sergei Ryabkov dhe Mikhail Galuzin.

Shtetet e Bashkuara do të përfaqësohen nga të dërguarit Steve Witkoff dhe Jared Kushner. Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse përfaqësuesit e institucioneve evropiane do të ulen drejtpërdrejt përballë delegacionit rus apo do të marrin pjesë në takime të veçanta.

Përplasjet brenda Evropës për rolin në negociata

Pjesëmarrja evropiane vjen pas shqetësimeve të shprehura nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni, e cila i ka kërkuar António Costës koordinim më të mirë diplomatik dhe emërimin e një të dërguari të posaçëm të BE-së për negociatat me Rusinë. Edhe ministri i Jashtëm polak, Radosław Sikorski, ka kërkuar që interesat e vendeve të Evropës Lindore të mos anashkalohen.

“Gjëja e fundit që duam është që Evropa Perëndimore të merret me Rusinë, pa marrë parasysh vendet e Evropës Lindore”, paralajmëroi ai.

Ndërkohë, presidenti ukrainas Zelensky e ka cilësuar si “të rrezikshëm” diskutimin për riorganizimin e arkitekturës së sigurisë evropiane, përpara se Rusia të bëjë lëshime konkrete në negociata. Bisedimet në Abu Dhabi shënojnë rifillimin e negociatave trepalëshe që prej muajit shkurt. Pjesëmarrja e BE-së shihet si një përpjekje për të siguruar që vendet evropiane të kenë rol në vendimet që do të ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë e kontinentit.

Po ndodh...