Festa kuqezi vazhdon edhe jashtë fushe, ja shuma që përfiton FSHF-ja

16 November 2026, 22:05 / SPORT ALFA PRESS

Festa kuqezi vazhdon edhe jashtë fushe, ja shuma që përfiton

Vendi i parë në grup pas triumfit 2-0 ndaj Bjellorusisë nuk është shpërblimi i vetëm për kuqezinjtë. FSHF-ja përfiton rreth 2.4 milionë euro nga UEFA, ku 1.2 milionë vijnë vetëm nga renditja përfundimtare.

Shqipëria e mbylli me sukses aventurën në Ligën e Kombeve, duke siguruar vendin e parë në grup pas fitores 2-0 ndaj Bjellorusisë në Budapest. Por përtej suksesit sportiv, ky rrugëtim ka sjellë edhe një përfitim të konsiderueshëm financiar për futbollin shqiptar. UEFA ka akorduar 1.2 milionë euro për Federatën Shqiptare të Futbollit vetëm për pozicionin e arritur në grup. Ndërkohë, në total, përfitimet financiare të FSHF-së nga pjesëmarrja dhe ecuria në këtë kompeticion kapin shifrën e rreth 2.4 milionë eurove.

Një shpërblim i rëndësishëm për një fushatë ku Shqipëria arriti të imponojë veten, duke regjistruar rezultate pozitive dhe duke treguar një fytyrë bindëse nën drejtimin e Rolando Maran. Kuqezinjtë shfaqën më shumë ekuilibër në lojë, qetësi në administrimin e ndeshjeve dhe guxim në fazën sulmuese.

Trajneri italian ka dhënë një ndikim të dukshëm në skuadër, ndërsa futbollistët kanë filluar të përshtaten gjithnjë e më mirë me idetë dhe skemat e tij. Tashmë, përveç kënaqësisë së vendit të parë, Shqipëria ka edhe një arsye tjetër për të festuar: një arkë më të pasur dhe një bazë financiare më të fortë për sfidat që e presin. Suksesi në Ligën e Kombeve konfirmon se ambicia kuqezi mund të shkojë edhe më larg.

Po ndodh...