BAST!

3 Gusht 2023, 00:51 / EDITORIAL NGA ALBI XHUNGA

BAST!

Definicionet e politikës janë të shumta. ‘’Politika si arti i së mundurës’’, ‘’politika si shah’’, ‘’politika si ushtrim pushteti’’, ‘’politika si përfaqësim’’, etj, etj, etj. Por politika natyrisht që është edhe bast. Jo gjithkush që angazhohet në politikë, pavarësisht në ç’nivel, e bën këtë për arsye parimore. Janë të shumtë ata që e shohin politikën si oportunitet për të përmirësuar situatën e tyre ekonomike, situatën e tyre financiare, apo qoftë edhe statusin e tyre social. Për të gjitha këto politika mund të shërbejë si një ashensor shumë efikas.

Duke qenë se në trojet tona kemi një përqindje shumë të lartë oportunistësh, të cilët angazhohen politikisht me motivet e mësipërme, politika në këtë rast është edhe bast. Në cilin formacion politik të rreshtohesh? Cilin grupim të mbështesësh? Cilit lider t’i shërbesh, apo t’i servilosesh?

Basti i SHBA (a jemi në show time???)

Me goditjet e SPAK ndaj mazhorancës dhe me goditjet e pritshme ndaj opozitës (asaj reale, natyrisht),  kartat politike në Tiranën bulevardeske po shkartisen sërish. Dje ishe i fortë, sot mund të jesh pas hekurave. Dje ishe i pasur, sot mund të të marrin gjithçka. Dje ishe i dobët për shkak të goditjeve të propagandës dhe censurës, sot je i fortë falë koherencës. Tabloja politike po përmbyset. Ata që ishin në majë, sot gjenden në fund. Ata që ishin në fund, e madje pothuaj të fshirë nga skena, sot gjenden në majë. Por jo të gjithë janë të aftë ta shohin këtë panoramë. Të dominuar nga një hierarki politiko-oligarkike që zgjat prej 32 vitesh me të njëjtët emra dhe të njëjtat fytyra dhe të bombarduar nga propaganda e mediave të tyre, shumë syresh ende nuk po e kuptojnë se çfarë po ndodh. Mes tyre ka edhe shumë politikanë pa profil politik, që janë aty falë dikujt që iu shkroi emrin në listën e kandidatëve për deputet. Të lexosh realitetin politik nuk është aftësi e të emëruarve.

Si tregtarët amerikanë të akullit në fillim shekullin e kaluar, të cilët e përjetuan keq shpikjen e frigoriferit dhe në vend që të vinin bast për kalin fitues (të investonin në teknologjinë e re), përpiqeshin të bënin propagandë, duke thënë se akulli që prodhonte ajo pajisje ishte fals, ndërkohë që akulli që sillnin këta me anije ishte origjinal. Dihet si përfundoi historia.

A është ky ‘’show time’’ i shumëpritur? Natyrisht që po. Vlera e aksioneve amerikane në Shqipëri është e lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me vlerën e aksioneve të SPAK. Janë vetë amerikanët që e bënë këtë, duke vënë bast publik për suksesin e reformës në drejtësi. SHBA-të investuan në këtë ndërrmarje në dukje të pamundur reputacionin e tyre, energjitë e tyrë dhe paratë e tyre. Superfuqia nuk mund të dështojë në një fshat të globit. Skena politike shqiptare do të pastrohet. Procesi tashmë ka nisur.

Bastet në opozitë janë hapur sërish

Hera e parë e hapjes së basteve në opozitë ishte pas përjashtimit të Sali Berishës dhe nisjes së lëvizjes së foltoreve. Nga njëra anë u rreshtuan ata që mbështesnin distancimin e partisë nga të shpallurit non gratta dhe rrugën euro-atlantike, ndërsa nga ana tjetër u rreshtuan sovranistët që besonin se kjo ishte çështje e brendshme e partisë dhe se SHBA-ve duhet t’u vihej kufiri te thana. Kjo është pjesa parimore. Mirëpo ne e dimë se motivimet kanë qenë nga më të larmishmet. Dikush donte një vend në listën e deputetëve dhe këtë mendonte se e siguronte te Berisha. Dikush tjetër mendonte se duke vënë bast për Bashën kishte zgjedhur kalin fitues dhe se punën do ta bënte ndonjë zbarkim i anglo-amerikanëve si në Normandi. Pra pati një konfigurim të palëve të cilat u përplasën në zgjedhjet e 6 marsit. Pas një epërsie të lehtë të Foltores, pasi në thesin e saj ishin dhe votat e LSI dhe të PDK, shumë ‘’euro-atlantistë’’ e kaluan murin e Berlinit drejt lindjes. Këtej murit, me tërheqjen e Lulzim Bashës, davaja dukej e humbur.

Në zgjedhjet lokale të 14 majit nuk pati rihapje bastesh. E paketuar në frigorifer për një vit e gjysmë, PD nuk bëri fushatë në kuptimin e parë të fjalës. Një pjesë e lidershipit kishte axhendë tjetër, ndërkohë që shteti nuk i dha paratë e fushatës PD-së dhe televizionet e oligarkisë nuk i dhanë kohën televizive që i takonte me ligj. E megjithatë partia mbijetoi. Thirrjes së Enkelejd Alibeajt dhe të një grushti qëndrestarësh iu përgjigjën prezent 104 mijë demokratë. Ose më saktë 104 mijë idealistë. Në këtë kohë furtune PD arriti ta mbajë kokën mbi ujë. Projekti politik i një PD-je të ndarë me ish liderin non gratta dhe të ndarë nga korrupsioni i së shkuarës mbijetoi.

Rikthimi i Lulzim Bashës duket se po i jep një hov të ri Partisë Demokratike. Zgjedhje për kryetar, riorganizim të strukturave dhe kuvend kombëtar. Të gjitha këto lëvizje që kërkojnë shumë energji, po ndodhin në më pak se dy muaj. Në Partinë Demokratike ndihet entuziazëm. Në takimet e kryetarit Basha ka pjesmarrje. Partia nuk është më mall pa zot, ku shumëkush përpiqet të shesë një copë për të siguruar mbijetesën në politikë. Rimëkëmbja e Partisë Demokratike shkon paralel me goditjet e SPAK, ose anasjelltas. Sa më shpejt PD të jetë gati për të marrë stafetën e drejtimit të vendit, aq më lart do të godasë SPAK. Në fakt nuk ësht SPAK që po godet korrupsionin e lartë, janë amerikanët. SPAK aty ishte edhe dje (Prokuroria e Krimeve të Rënda), por nuk goditi askënd. SPAK po godet sepse ka Amerikë. Edi Rama nuk bënte dot zgjedhje të parakohshme për sa kohë PD ishte në gjendje stand by, sepse ka Amerikë. Anglo-amerikanët vërtet nuk zbarkuan siç prisnin naivët e PD-së, por janë aty dhe po e bëjnë pjesën e tyre me efikasitet. Pa ndihmën dhe ndërhyrjen e tyre energjike ky vend do të vazhdonte të zvarritej në varfëri dhe në korrupsion.

Propaganda po përpiqet dëshpërimisht t’i konsiderojë statutistët si një grup i tretë në PD. Këta shpikën makinën e kohës. Mblodhën një këshill kombëtar që ekzistonte dje, por nuk ekziston më sot. Gjithsesi kjo nuk është një çështje politike. Nuk ka një ide politike të artikuluar prej tyre, por ka thjesht një pretendim të natyrës juridike. Edhe këtë çështje do ta zgjidhë gjykata. Ndërsa fenomeni i braktisjes së anijes kur ajo është fare pranë bregut nuk ka ndodhur vetëm në PD. Ka ndodhur edhe shumë lëvizje të tjera politike në mbarë botën. Psh në Lëvizjen Vetëvendosje, ku një grup shkëputet nga partia pikërisht para se ajo të vinte në pushtet, pasi kishin rezistuar për vite të gjata në një opozitë të vështirë. Ky është një fenomen që meriton një shkrim tjetër. Por me gjithë respektin për optimizmin e Sulës dhe për artikulimin elokuent të Koreshit, në PD nuk ka një grup të tretë. Ka vetëm disa deputetë që nuk dihet më çfarë përfaqësojnë. Beteja se cili grup ka më shumë deputetë në këtë kohë është si çështja e inflacionit. Një bankë prodhon kartmonedha pa vendosur një sasi ari në depozitë si garanci e vlerës së tyre. Ari janë votat e qytetarëve. Duam apo nuk duam, sot për sot votat e djathta janë ndarë mes dy rrymave politike. Nga njëra anë PD zyrtare me frymën perëndimore dhe në anën tjetër dumbabistët sovranistë. Statutistët nuk kanë vota në popull. Të pavendosurit jo e jo.

Në këtë realitet të ri politik, oportunistët kanë edhe njëherë rastin të zgjedhin mes dy grupimeve politike më të mëdha të së djathtës, Partisë Demokratike dhe Rithemelimit. Vetëm se këtë herë kanë ndryshuar shumë gjëra. Propaganda se PD është Berisha ra. Propaganda se në PD është vetëm alibasha ra. Propaganda se do fitojmë gjyqin në Francë, jo vetëm ra, por u shtua edhe halli britanik. Thonë se politikanëve të vjetër nuk mund t’iu mësosh marifete të reja.

Dy rrymat politike të opozitës janë pozicionuar edhe sa i përket drejtësisë. Lideri demokrat, Lulzim Basha, ishte i vetmi ndër liderët politikë që e përshëndeti dhe mbështeti sekuestrimin e inceneratorit të Tiranës. Partia Demokratike tashmë rreshtohet si një përfaqësuese politike e drejtësisë së re, rikthimit të moralit në shoqëri dhe nevojës emergjente për të goditur korrupsionin që po e gërryen këtë shoqëri. Rithemelimi nuk e bën dot këtë, pasi ashtu kanë ca halle dhe e dinë se po iu vjen rradha. Ata 300 mijë demokratë që nuk dolën të votojnë më 14 maj si pasojë e mesazheve kontradiktore që dha një pjesë e lidershipit të PD, sot mund ta gjejnë veten vetëm në një parti që ruan vlerat e djathta dhe mbështet luftën anti-korrupsion. Edhe votuesit gri, të cilët përbëjnë partinë më të madhe në Shqipëri mund ta gjejnë veten vetëm në Partinë Demokratike. Partia Demokratike nga sot do të shohë vetëm rritje, ndërkohë që Rithemelimi do të shohë vetëm tkurrje. Tani që efekti i propagandës ka mbaruar do të shohim shumë demokratë që do t’i thërrasin arsyes dhe do të rikthehen në shtëpi.

Tani është koha që oportunistët e pavendosur dhe oportunistët sovranistë të rivendosin bastin e tyre. Duhet ta bëjnë këtë sa janë në kohë, sepse bastet do të mbyllen sërish. Për koherencën le të mos e vrasin shumë mendjen, siç nuk e kanë vrarë deri më sot. Për t’u rikthyer në PD ka vetëm një kusht. Të mos kesh halle me SPAK.

Koha punon për Partinë Demokratike dhe rrota e historisë ecën vetëm në një drejtim. Askush nuk ka arritur ta kthejë atë mbrapsht.

PS

Për bastet në  mazhorancë duhet të presim akoma. Rilindja është goditur, por ende jo aq sa të tronditet nga themelet. Underground mazhoranca është bërë si një koshere bletësh, ku intrigohet, komplotohet, shitet e blihet, por qelbi ende nuk ka shpërthyer në sipërfaqe. Lëvizjet e fundit të kryeministrit në strukturën e partisë mund të shikohen edhe si një kërkesë për besnikëri të verbër ndaj atyre që mbajnë poste të rëndësishme në parti. Kuadrot e lartë të partisë duhet ta mbrojnë publikisht rilindjen edhe kur kjo tashmë po vërtetohet se ka funksionuar si një grup i strukturuar kriminal. Mirëpo në Partinë Socialiste ka edhe njerëz të ndershëm, si psh ish ministri i financave Shkëlqim Cani, i cili me një integritet të admirueshëm  i tha ‘’Jo’’ korrupsionit që po gatuhej në kuzhinën e rilindjes. Natyrisht që këta elementë të mazhorancës nuk duan të zhyten në të njëjtën barkë me të korruptuarit. Deri tani këta zëra  janë ende të ndrojtur dhe luajnë nën rogoz, por vijimi i hetimeve të SPAK do t’iu japë guxim dhe do t’i nxjerrë në sipërfaqe. Ne tashmë e dimë se Partia Demokratike u nda në dy pjesë pas 9 shtatorit. Në sa pjesë do të ndahet Partia Socialiste pas tsunamit të SPAK do ta shohim pak më vonë.

Po ndodh...

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128