
Rreth një sondazhi politik të ditëve të fundit

Vendi ynë ka krijuar tashmë një traditë të sondazheve në prag dhe gjatë fushatave elektorale. Por kanë munguar sondazhet që fotografojnë pëlqyeshmërinë në përditësim të partive nga java në javë, nga muaji në muaj, si në vendet e botës së lirë ku matja më kohë reale e rritjes, rënies apo qëndrimit në vendnumëro të partive është praktikë e zakonshme.
Kohët e fundit kjo praktikë ka nisur të eksperimentohet edhe në Shqipëri. Nuk e ndaj dot prerë nëse është një gjë vetëm e mirë, apo ka edhe anën e kundërt te medaljes tek i vendos partitë në një vartësi të dëmshme nga pëlqyeshmëria korente në elektorat, në një kohë kur politikës duhet të mbajë jo rrallë qëndrime antipopllore. Antipopuliste po se po. Sidoqoftë, sondazhet në përditshmëri anojnë nga e mira. Ato fotografojnë gjendjen, ndikojnë për t’u venë fre ligjërimeve kodra pas bregut, u vinë në ndihmë partive të përmirësohen.
Një i tillë është sondazhi mujor që ka nisur të bëje për televizionin “A1 Report” i mirënjohuri Eduard Zaloshnja. I cili e ka fituar “patentën” e profesionistit, duke iu afruar apo duke i rënë në kokë, brenda marshit të gabimit, rezultatit real të zgjedhjeve shqiptare gjatë pesëmbëdhjete viteve të fundit. Ku ka konkurruar me kompani të njohura italiane, greke apo angleze, pavarësisht diferencës së madhe me to në mjete dhe forca njerëzore.
Në sondazhin e tij të radhës, publikuar të enjten në mbrëmje në “A1 Report”, rezulton se nga java e dytë e shtatorit në javën dytë të tetorit PS në pushtet dhe kreu i saj Edi Rama vazhdojnë të jenë në vend të parë, dukshëm të shkëputur nga ndjekësit, me 36,8 përqind të pëlqyeshmërisë. Që sipas llogarive të autorit të sondazhit përkthehet në 750 mijë vota nga totali i zgjedhësve në vend. Në vend të dytë është elektorati që nuk zgjedh asnjë prej partive dhe drejtuesve në spektrin e sonduar, me 30,4 përqind, që përkthehet në 620 mijë vota. Në vend të tretë Rithemelimi i Berishës me rreth 20 përqind, që përkthehet në 405 mijë vota. Në vend të katërt PD e Bashës, me 5,1 përqind, e barabartaë me rreth 105 mijë vota. Në vend të pestë PL e Metës me 3,7 përqind ose 75 mijë vota. Vijojnë partitë e tjera të vogla majtas e djathtas që marrin së bashku 85 mijë vota.
Në krahasim me sondazhin e para katër javëve, Rama si individ është rritur gjatë muajit me rreth dyzet mijë vota, Berisha me Rithemelimin ka humbur po aq, PD dhe Basha kanë shtuar pesë-gjashtë mijë vota.
Sondazhi fotografon një skenë përgjithësisht të ngrirë sa i takon atij që duhet të ishte rivaliteti dinamik mes partive të opozitës në një anë dhe partisë së shumicës në anën tjetër. Nuk shihet të ketë garë. Njëlloj si në zgjedhjet reale për kryetarin e Bashkisë së Kukësit, ku aleanca Berisha-Meta, e parivalizuar nga PD e Bashës që nuk mori pjesë në zgjedhje, humbi thellë përballë kandidatit të PS-së.
E dhëna evidente për subjektet e spektrit opozitar është se votat e tyre, edhe po të mblidheshin në një shumatore, janë sërish dukshëm larg PS-së dhe Ramës. Edhe ky sondazh tregon se PS nuk po paguan ende kosto elektorale as për konsumin e gjatë dhe dështimet e shumta në qeverisje, as për aferat e ish ministrave dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të qeverisë së saj, të dënuar, të akuzuar, në proces hetimi, apo në gjykim për korrupsion, abuzime dhe shpërdorim detyre.
Kjo është një e dhënë paradoksale për politikën normale, që duhet të lexohet me përgjegjësi e realizëm, si e dhënë sondazhi, ku qytetari nuk është nën presionin e bonuseve, parave apo kërcënimeve të ndryshme si në zgjedhjet reale.
Për stanjacionin dhe rënien e opozitës, më shumë se sa stabiliteti i elektoratit proqeveritar, flet numri shumë i madh i zgjedhësve që nuk votojnë asnjë subjekt dhe drejtues të saj. Merret i mirëqenë fakti se këta zgjedhës i kanë larë duart me qeverinë, nuk e duan dhe pikë. Përndryshe do të shpreheshin pro saj me zë të lartë, sa të dëgjoheshin edhe nga patronazhistët dhe aktivistët e PS-së. Ata nuk i bind opozita. Ndaj janë politikisht jetimë derisa të shohin shpresë.
Arsyeja pse dështimet dhe skandalet e qeverisë nuk përkthehen në mbështetje të shtuar për grupet e opozitës është pikësëpari konsumimi i gjatë në pushtet i liderëve kryesorë të saj, Berishës, Metës, e tjerë, pa llogaritur satelitët e tyre. Edhe sikur të mos kishte ndodhur asgjë tjetër, thjesht të provuarit gjatë në të gjitha postet dhe largimi me votë masive i Berishës nga pushteti në vitin 2013 e ka zbehur deri në pamundësi të qenët e tyre alternativë fituese e pushtetit.
Një arsye tjetër lidhet me perceptimin se ndryshe nga Rama, i cili nga pamundësia për t’i bërë bllok drejtësisë së re, sipas meje, apo për parim, sipas mbështetësve të tij, ia ka dorëzuar asaj bashkëpunëtorët dhe zyrtarët e akuzuar të qeverisë, Berisha dhe Meta nuk japin shembullin e nxitjes së hetimeve për afera të dyshuara në proces hetimi që kanë lidhje me qeverisjen e tyre të mëparshme. Në të kundërtën, me retorikën dhe qëndrimet që mbajnë investohen ta pengojnë transparencën përmes drejtësisë. Madje gjithë ngulmimi i tyre për të mbajtur llogoret politike që kanë zënë ka për qëllim kryesor të evitojë përballjen me drejtësinë. Ky është perceptimi. Ata harrojnë se shumica e njerëzve janë gjithmonë racionalë. Të manipuluarit nga iracionalizmi dhe formatimi mendor konspiracionist, janë gjithmonë një pakicë mendjembyllurish ku ka edhe të marrë.
Një arsye e tretë, jo e treta në radhë, është përçarja e opozitës për arsyet e njohura, në bazë të së cilës qëndron sanksionimi i Berishës nga SHBA dhe lëvizja e tij për të marrë drejtimin e PD-së. Gjë që hoqi automatikisht në PD një vijë ndarëse të pakalueshme për orientimin. Kjo është një teme e trajtuar shpesh edhe prej meje, së cilës do t’i kthehesha më dëshirë sapo të ketë zhvillime që sugjerojnë daljen nga impasi i krijuar. Që nuk shihet të ketë.
Ajo çfarë dëshmon sondazhi i Zaloshnjës nga shtatori në tetor është se bashkimet mekanike të deputetëve apo fraksioneve politike me prejardhje nga një parti nuk kanë efekt elektoral. Veçanërisht në një vend ku deputetët janë zgjedhur masivisht me sistem proporcional dhe ku Parlamenti është arenë llafollogjish boshe. Veçanërisht kur të bashkuarit e kanë zakon të thotë të fundit kur ndahen me atë që shkojnë t’i bashkohen, duke i kontribuar kësisoj degjenerimit të diskurit dhe sjelljes politike.
Me këtë nuk dua të them se Rithemelimi është në trend rënës për shkak të lëvizjes së Gazmend Bardhit më shokë, siç pohojnë gabimisht sipas meje disa kolegë të media. Në analizën dhe prognozën time, Rithemelimi ketë fat do të kishte e do të ketë sa kohë që nuk ndryshon. Deputetët lëvizin për vetë, por nuk lëvizin vota në këtë sistem që kemi. Votat janë të subjekteve dhe u mbesin subjekteve politike, në rastin konkret Rithemelimit dhe PD-së zyrtare.
Në gjendjen dhe konfigurimin ku gjendet sot opozita shqiptare, mendoj se ideja më realiste për forcimin e saj mbetet institucionalizmi i opozitës plurale. Që nënkupton kalimin nga gjendja e luftës në atë të rivalitetit, rritjen në vetvete të secilës parti, krijimin e një forumi koordinues për reforma dhe ligje me rëndësi të përbashkët dhe për çështje të maksimalizimit të votave nga çdo subjekt në funksion të një aleance elektorale. PD zyrtare e ka bërë ketë kapërcim me disa propozime zyrtare drejtuar Rithemelimit, por që janë refuzuar me kosto të madhe. Berisha i druhet me sa duket rritjes së PD-së zyrtare në formatin e opozitës plurale, siç e shpjegova me lart.
Kush mendon realisht për fitoren e opozitës duhet të thoshte “ ku ta gjejmë të rritet PD, Rithemelimi, PL dhe partitë e tjera”, duke ia lënë drejtësisë e duke respektuar sekush drejtësinë për çështjen e logos. Në të vërtetë PD zyrtare do të vijojë të rritet hap pas hapi edhe në kushtet e tanishme. Për tu kthyer te sondazhi u fundit i Zaloshnjës mund të konstatojnë se rritja e vogël e saj përkon me turin që po zhvillon Lulzim Basha në degët e kësaj partie si parathënie e një turi takimesh të hapura me publikun. Mund ta marrim me mend se rritja e PD-së do të futej në një ritëm tjetër sapo të rikonfimonte mbështetjen Perëndimore si para dy vitesh.

Shtetet e Bashkuara duhet të largojnë Edi Ramën
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128