Qeveria Rama si arkitektja e Lesh-punueses më masive në vend, opinionit publik!

24 Gusht 2023, 09:40 / IDE NGA IRENA BEQIRAJ

Qeveria Rama si arkitektja  e Lesh-punueses më masive në vend,

Sot në një konferencë shtypi qeveria na i rikujtoi që mali i Shpiragut ndodhet në Shqipëri, edhe është pronë e shqiptarëve. Na tha gjithashtu, se me thesarin e zbuluar nga SHELL vetëm "qielli është limiti" duke përdorur kështu një sinomim elegant të shprehjes, "do të hamë me lugë floriri".

Edhe pse e velur nga konferencat e qeverisë, mendoj që prap ato mungojnë. Mungojnë konferencat ku qeveria të arsyetojë rezultatet, arritjen pse jo edhe mos arritjet e objektivave të vendosura nga ajo vet.

Për shembull, ca gojë të liga thonë që Air Albania ka krijuar "një gropë" ku gjithë kapitali i vendosur nga shteti, po gllabërohet nga humbjet. Por nga qeveria askush nuk flet më për Air Albania-n. 

Ca gojë edhe "më të liga" akoma duan të thonë që Kompania e Investimeve Strategjike, (e pagëzuar si " Kërpërata"), është një dështim, s'ka bërë asnjë lek punë edhe do të mbyllet. Edhe qeveria ende pa ju mbyllur mirë "plagët e luftës parlamentare" në mbrojtje të saj, as emrin nuk ja e zë më në gojë ! 

Shtohet afati i koncensionit të markimit, "si dhuratë për sekserin turk të kryeministrit", thonë ca " njerëz të kqinj" por sërisht asnjë argumentim nga qeveria, nëse kjo është e vertetë. Nëse po, pse u morr ky vendim?. E ndërsa pas 10 vjetesh operim qeveria duhet të prezantonte ca matje sesi ndikoi markimi në mirë administrimin e të ardhurave, edhe çfarë mësimesh nxorri qeveria nga kjo eksperiencë.

Asnjë matje e dedikuar nuk gjendet për arritjet e ekonomisë prej investimeve strategjike, prej fondeve e start up-it, fondeve të buqësisë, etj. Asnjë informacion mbi monitorimin dhe implementimin e kontratave të parneritetit, publik-privat.

Ministret e qeverisë në daljet publike më shumë se përgjegjëse për politikat publike ngjasojnë me kryeinxhinierët e kantjereve të ndërtimit, apo me bamirëset zemër gjera që më paratë e tyre ndërtojnë rrugë spitale apo tunele. Ka edhe ministre që dashurojnë të duken si punonjëse të shoqatave vullnetare, në shërbim të komunitetit. 

 Kur nevojitet të flasin me argumente, me matje dhe pa pasion heshtin, ndrësa kur nuk ka asgjë për të thënë, bëhen konferenca shtypi. 

 Ndaj edhe opinioni publik është transformuar në një "lesh-punuese" masive, ku tirren perceptime, ku nuk shpëton njeri, e nuk do të na shpëtojë askush. Arkitektja edhe furnizuesja kryesore me lëndën e parë të këtij transformimi, fatkeqësisht është vetë qeveria.

Po ndodh...