Berisha sfidoi SPAK-un, apo SPAK sfidoi Berishën?

23 Janar 2024, 20:46 / IDE NGA ERVIS ILJAZAJ

Berisha sfidoi SPAK-un, apo SPAK sfidoi Berishën?

Vetëm pak kohë më parë, edhe në fantazitë më të mëdha të shqiptarëve nuk ishte menduar ndonjëherë se parakalimet e politikanëve në dyert e drejtësisë do të ishin kaq të shpeshta. Të mësuar për 33 vite me politikën që ka ushtruar pushtet ndaj drejtësisë, ndërsa sot, po ndodh pikërisht e kundërta. Pamjet e politikanëve në dyert SPAK tashmë janë bërë normale edhe për shoqërinë shqiptare. Nuk ka ditë që në ato zyra nuk hyn një politikan, zyrtar apo njeri publik për t’u marrë në pyetje. 

Janë pamje me të cilat duhet të mësohemi, sepse me të gjitha gjasat ky lloj raporti midis drejtësisë dhe politikës tashmë është përmbysur. Ndoshta jo në formën e plotë të tij, por ndryshimi duket se ka filluar. Këtë raport të përmbysur disa e quajnë si republika e prokurorëve, por fakti mbetet. Miti i paprekshmërisë së politikanëve ka filluar të bjerë.

Këtë gjë e tregon më së miri masat ndaj ish kryeministrit Berisha, dhe ndoshta njeriut më të pushtetshëm të tranzicionit shqiptar. Edhe sot pamjet e Berishës në SPAK tregojnë pikërisht erën e re që po fryn. Drejtësia nuk ka më limite. Mirë apo keq, ky është një diskutim tjetër.

Berisha dhe të tijtë këtë gjyq e konsiderojnë si një gjyq politik dhe të orkestruar nga Edi Rama. Mirëpo prokurorët që hetojnë Berishën dhe Kryetari i SPAK kanë shumë vite në sistemin gjyqësor shqiptar. Përse pikërisht tani gjejnë kurajon të hetojnë njerëz të fuqishëm të politikës dhe botës së krimit? Përgjigja është, se kjo kurajo i vjen pikërisht  nga mbështetja e vazhdueshme dhe e hapur që i jepet nga Shtetet e Bashkuara dhe pala ndërkombëtare në Shqipëri për të hetuar korrupsionin në nivele të larta.

Megjithëse Sali Berishës dhe mbështetësve të tij u intereson që ta konsiderojnë një organ në duart e Ramës, fakti është se SPAK është një organ i krijuar nga aleatët ndërkombëtarë të Shqipërisë. Madje SPAK sot, duke parë gjendjen e mjerueshme ku ndodhet opozita shqiptare, mund të konsiderohet i vetmi kundërshtar i qeverisë dhe i Edi Ramës.

Përtej këtij diskutimi, Berisha pasi e ka quajtur SPAK-un prej disa kohësh si një organizatë kriminale apo të dirigjuar nga Edi Rama , pas mbarimit  të marrjes në pyetje, nuk nguroi dhe ti ofendonte prokurorët duke i treguar ‘’forcën’’ e tij. Në deklaratat për mediat përdori terma si të ‘’terrorizuar’’, ‘’i tregova vendin’’, ‘’ishin të mjerë’’ dhe fjalë të tjera si këto, si për të treguar se ai e fitoi këtë betejë dhe i sfidoi prokurorët.

Po në të vërtetë e sfidoi Berisha SPAK-un apo SPAK sfidoi Berishën, dhe në fakt po sfidon të gjithë politikën shqiptare?

Mënyra se si u paraqit Berisha pas marrjes në pyetje ishte një entuziazëm nga halli. Vetë ai dhe mbështetësit e tij, e dinë fare mirë që nuk ka më asnjë forcë për të ndikuar drejtësinë apo për ta sfiduar atë.

Berisha u mundua të paraqiste një prokurori e cila ishte e ‘’trembur’’ nga deklaratat e tij dhe përballja me të. Tregoi çdo gjë që ai i kishte thënë prokurorëve, por asgjë se çfarë i kishin thënë ata. I gjithë ky mesazh që u mundua të jepte, nuk është asgjë tjetër përveçse një mesazh i dëshpëruar për ndjekësit e tij. Për ti thënë atyre se ai nuk ka mbaruar, por është më i fortë së kurrë.

Në fakt e vërteta është ndryshe. Sot Berisha pasi doli nga SPAK dukej më i dobët se kurrë, më i pamundur se kurrë, për të bërë ndonjë gjë që të ndryshojë fatin e tij politik dhe juridik. E pikërisht për këtë gjë, ai mundua të jepte mesazhe totalisht të kundërta nga gjendja e vërtetë në të cilën ndodhet. I pafuqishëm përballë një organi drejtësie, i cili për 33 vite me radhë nuk ka guxuar as ti afrohet. Sepse në të vërtetë, SPAK sot nuk po sfidon vetëm Sali Berishën, por të gjithë klasën politike shqiptare.

Po ndodh...