Berishës dhe Ramës kurrizin, aman Bashës...dhëmbët!

22 Mars 2025, 22:14 / IDE NGA NAMIR LAPARDHAJA

Berishës dhe Ramës kurrizin, aman Bashës...dhëmbët!
I falin Ramës të dalë me hallate përjashta, të bëjë fushatë me tepsi dhe timon, të kriminalizojë politikën, duke e mbushur parlamentin dhe pushtetin lokal me kriminelë, t’i futen të gjithë bashkëpunëtorët e ngushtë në burg për korrupsion dhe ai të mos mbajë asnjë përgjegjësi, duke u justifikuar se përgjegjësia është personale dhe duke u mbrojtur se i kanë ngrënë kumbulla prapa kurrizit..., ashtu sikurse i tolerojnë dhe nuk kanë guxim t’i kërkojnë Berishës llogari për talljet që u ka bërë, për gënjeshtrat që lëshon mëngjes e mbrëmje sipas parimit ‘plakut mos i dëgjo vetëm p...’, për shkatërrimin që i ka bërë PD-së dhe në përgjithësi frymës opozitare në këtë vend, për halucinacionet që përhap pa kurrfarë filtri dhe kriteri..., ama kur vjen puna për te Basha, aty nuk të tolerojnë, të mblidhen të gjithë ‘namusqarët’ nga janë e nga s’janë e të mbushin mendjen se ajo që po bën Basha është vetëshkatërruese, se nuk bën kështu burri në këtë moshë, se nuk bëhet politikë me tallava dhe hip-pop, se Basha nuk po tregohet serioz etj., etj.

Pra, vijon sindroma e komunizmit, që sa më shumë t’i shtypësh, aq më shumë të duan dhe kur vjen për të sulmuar, lëshohen të gjithë si luanë tek ai që u duket më i dobëti, sepse me të tjerët nuk ua mban. Ndër shqiptarë kjo sjellje nuk quhet burrëri, por diçka tjetër, që për etikë s’po e përmend.

Janë po të njëjtët që nuk kanë folur asnjë fjalë për propozimet e Bashës për vetingun në politikë, duke filluar nga ai i pari, për mbështetje dhe amendamente konkrete për SPAK-un dhe drejtësinë, për heqjen e imunitetit të deputetëve, për listat e hapura 100% dhe Shqipërinë një zonë zgjedhore, në të cilën vota e shqiptarëve të kishte të njëjtën peshë në të gjithë vendin etj.. propozime konkrete që jo vetëm nuk janë marrë në konsideratë, por edhe ata që e kritikojnë sot për këtë mënyrë të re komunikimi, kanë qenë shurdhëmemecë ndaj gjithçkaje.

Kjo sindrmomë e poshtër që i ka shoqëruar gjithmonë shqiptarët duhet neveritur, sepse kjo i ka marrë më qafë tërë kohën, duke i treguar dhëmbët më të dobëtit dhe kurrizin më të fortit.

 

Po ndodh...