Demokrati qesharak që nuk bën kurrë asgjë

24 Tetor 2022, 17:48 / IDE NGA EDISON YPI

Demokrati qesharak që nuk bën kurrë asgjë

Nga Edison Ypi 

Demokrati qesharak

Demokrati qesharak nuk bën kurrë asgjë që të mos ketë lidhje me një interes material të vetin.

Demokrati qesharak është një interesaxhi dhe një llapaqen që mbahet për idealist por është pleh, një injorant që mbahet për i ditur por është gdhë, një banal që mbahet për serioz por është shpellar.

Kur Demokrati qesharak është biznesmen, s'lë gur pa lëvizur që të mos i paguaj detyrimet.

Kur Demokrati qesharak është dyqanxhi, nuk i vendos kurrë çmimet, s'të jep kurrë faturë as garanci.

Të thotë, hë mo se këtu jemi, kur të prishet sille se e ndreqim.

Kur demokrati qesharak është thjesht blerës, ulëret e bërtet kurndër të gjithëve.

Për Demokratin qesharak që vetëm merr dhe kurrë nuk jep, demokracia është det kosi, mal mish, lumë rakie.

Me harta të Shqipërisë së madhe dhe flamuj me zhgaba që nxjerrin zjarr nga goja, demokrati qesharak që jeton jashtë, mbahet për patriot i madh, trim i çartun, vigan i mendimit.

Demokrati qesharak i sotëm, ky që po bën sikur diktaturës dhe diktatorit u ka punuar qindin, ishte ai që mbushte parakalimet e djeshme, ai që fliste me zjarr nëpër mbledhje kolektivi për partinë, proletariatin, kapitalizmin, revizionizmin, u lexonte zhulsave në ndërmarrje zërin e popullit dhe librat e diktatorit.

Çdo të përndjekur që shkruan ca rrjeshta, demokrati qesharak e shpall aty për aty artist të pashoq, shkrimtar të madh, poet gjenial.

Demokrati qesharak e vizaton demokratin qesharak me muskuj dhe të buzëqeshur, përpikmërisht si bëjnë komunistat me horrat e tyre.

Demokrati qesharak, në dallim nga komunisti, i cili vepron gjithmonë grusht bashkuar me të ngjajshmit e vet, nuk i del kurrë në krah asnjë demokrati, as qesharak as serioz.

Demokrati qesharak e përgojon pafund liderin të cilit i ka dhënë votën.

Demokrati qesharak trillon, fantazon, shpif, intrigon, cilëson hajdut dhe spiun, pa asnjë fakt apo argument, cilindo që nuk i përshtatet interesit të tij, gjë që  komunisti për komunistin nuk e bën.

Demokrati qesharak është një hajvan që kujton se Demokracia dhe Liria janë gjëra që përparojnë vetiu, pa lujt vendit, pa e prishur terezinë, pa u shkulur nga kafeneja.

Demokrati qesharak pushtetin e shtrydh dhe e shpërdoron sa e kalb, derisa vjen komunisti ja merr pa asnjë mundim.

Pas kësaj demokrati qesharak nuk pendohet, bën bilancin e vjedhjeve

Komunistit i ikën pushteti sepse komunisti e forcon pushtetin aq tepër sa i thyhet ndër duar.

Demokrati qesharak pushtetin nuk e mban dot sepse pushtetin nuk e do për asgjë tjetër veçse për ta vjedhur..

 

Po ndodh...