Dystopia si realitet

22 Maj 2024, 14:22 / IDE NGA ERL KODRA

Dystopia si realitet

Andej nga Ukraina lufta me Rusinë ngjanë më shumë me PlayStation. Njerëzit kanë shpikur disa fluturake të vogla, shpesh me pjesë plastike dhe kosto tejet të ulët që drejtohen prej tokës disa qindra kilometra larg. Ndërsa rrotull botës të gjithë jemi zhytur pa e kuptuar në rrjet; me gjithçka që kemi dhe zotërojmë.

Sot të gjitha shërbimet i merr përmes rrjetit. Ti ke një telefon inteligjent në dorë, një ID elektronike (ID Bank) të lidhur me telefonin dhe një numër llogarie, dhe kaq. Prej aty të duket sikur ti po kontrollon jetën tënde, kur në fakt të tjerët po ta kontrollojnë ty. Prej asaj kutisë magjike që ti mban në dorë - për të cilën paguan të paktën 50 euro në muaj - shteti dhe korporatat të kontrollojnë ty. Ndaj është e kotë të mendosh se mund t’ua hedhësh ose të fshehësh diçka nga jeta jote; është përpjekje e kotë. Ata e dinë edhe se çfarë marke i blenë mbathjet. Me shumë mundësi edhe sa herë në javë ben seks.

Është e kotë edhe ta mendosh se ka një aspekt të jetës tënde që ti e kontrollon, dhe se askush nuk di asgjë rreth atij aspekti. Zero absolute. Le të të shkojë mendja kudo, tek gjërat më të fshehta ose tek aktiviteti më intim; ata i dinë edhe detajet më të imta.

Kur kam lindur unë, kompjuterat ishin në fillimet e veta. Sot këto makineri intigjente kanë pushtuar globin. Bota është mbushur me valë dhe një masë e stërmadhe satelitësh rrotullohen rreth nesh. Në sekondë ti mund të biesh viktimë e një hakeri të poshtër që punon nga xhungla e Brazilit ose nga Poli i Veriut; pikë rëndësie nuk ka. Ne jemi brenda tashmë - edhe pse pa miratimin tonë. Ti nuk del dotë nga rrjeti, sepse rrjeti të ka mbërthyer nga identiteti yt, përmes Bank ID dhe numrit të llogarisë. Je brenda, pikë.

Ne e morëm lehtë faktin se po i dorëzoheshim makinave inteligjente; dhe tani është tepër vonë. Rrojmë vetëm me shpresën se djalli nuk do të dalë nga shishja; pra do të tregohet i mirë me ne, njerëzit. Kur të vijnë puna, ligjet dhe rregulloret shkelen gjithmonë nga të këqinjtë. Dhe bota është mbushur cit me keqbërës.

Tani imagjinoni pak sikur djalli t’i prishë këto makina, ose t’i marrë ai në zotërim. Asnjë nevojë nuk ka që të bomnardohet një vend; sa kohë që ne e kemi lidhur fatin tonë me një celular inteligjent.

Dhe më besoni se këto që po shkruaj nuk janë një teori konspiracioni ose thriller dystopik, por fakt. Tani bota është kthyer në DYSTOPI.