"Emigrimi" brenda llojit – Kur bashkia shihet si varkë shpëtimi nga PD-ja

21 Prill 2026, 23:17 / IDE NGA ALBAN DACI
"Emigrimi" brenda llojit – Kur bashkia shihet si varkë

 

​Në korridoret e Partisë Demokratike po merr jetë një fenomen që, në shikim të parë, ngjan me dorëheqjen, por në fakt është akti më i pastër i pragmatizmit politik: braktisja e betejës për hierarkinë e partisë në këmbim të betejës për qytetin. Prej kohësh, PD-ja nuk është më një fabrikë që prodhon shpresë për pushtet qendror, por një rreth vicioz ku energjitë shpenzohen për vula, zyra dhe rreshtime pas lidershipit. Në këtë mbytje kolektive, personazhet publike të saj – ata që kanë ende një kapital emri për të mbrojtur – po kuptojnë se rruga drejt ekzekutivit nuk kalon më nga Tirana politike, por nga zyrat e pushtetit lokal.

​Deklaratat e fundit, ku figura brenda opozitës artikulojnë se nuk kanë interes për karrierë brenda strukturave të partisë, janë një goditje e fortë për modelin e vjetër të "kryetarit-perëndi". Ky është një sinjal se vertikaliteti i PD-së ka rënë; kur qendra nuk të garanton dot fitoren, individi fillon e kërkon shpëtimin te legjitimiteti i drejtpërdrejtë. Të kërkosh të bëhesh Kryebashkiak, duke u distancuar nga "lufta e ftohtë" brenda selisë, do të thotë të kërkosh një mandat që nuk ta heq dot kryetari me një laps, por ta jep qytetari me votë. Ky është një divorc i heshtur me lidershipin: një mesazh i qartë se figurat publike preferojnë të fitojnë për vete, pasi partia nuk fiton dot më për të gjithë.

​Për shumë syresh, Bashkia po shihet si një "ekzil i artë", një mundësi për të ushtruar pushtet real, larg kontrollit asfiksues të rrethit të ngushtë që kontrollon partinë. Kryebashkiaku ka buxhetin e tij, stafin dhe mundësinë për të prodhuar punë konkrete, duke u distancuar kështu nga toksiciteti dhe pluhuri i sherreve pafund që kanë karakterizuar opozitën vitet e fundit. Megjithatë, ky fenomen mbart një paradoks të madh: nëse mendjet më të ndritura dhe figurat më popullore "emigrojnë" drejt garave lokale, PD-ja rrezikon të kthehet në një seli të zbrazët që shërben vetëm si vulë ligjore, ndërsa pesha politike shpërndahet nëpër ishuj autonomë.

​Kriza e thellë ka prodhuar kështu "Pragmatistin Lokal", politikanin që nuk betohet më për flamurin e kryetarit, por për trotuarin e qytetit. Kjo strategji mbijetese tregon se opozita po shpërbëhet si bllok unik për t'u tentuar si një federatë interesash individuale. Nëse ky do të jetë shpëtimi i opozitës përmes decentralizimit, apo thjesht kapitullimi i fundit i një elite që nuk beson më te fitorja e madhe, këtë do ta tregojë koha. Por një gjë është e sigurt: kur politikanët nisin e thonë "nuk dua karrierë në parti", do të thotë që partia, në formën e saj aktuale, nuk ka më asgjë për t'u ofruar.

Po ndodh...

ide