Tërmeti (SPAK) që po "shkërmoq" politikanët e korruptuar shqiptarë!

24 Shkurt 2025, 21:17 / IDE NGA MARKO CAKA

Tërmeti (SPAK) që po "shkërmoq" politikanët e

Sulmet që po i bëhen prokurorëve të SPAK nga politika dhe nga mediat e favorizuara po tregon botërisht se kjo e para është më e trondititur se kurrë madje me një magnitudë kaq të fuqishme saqë ata që kanë hyrë për korrupsion nuk e kishin parashikuar se me kaq rihter një ditë do të shkërmoqeshin në sy të publikut që verbërisht u kishin besuar.

Pa, siç shihet sot më tepër se kurrë, kjo politikë shqiptarë e kalbur, tregon më së miri se gjatë gjithë këtij tranzicioni të 34 viteve është ndërtuar me "materialin" më të keq të politikanëve duke mos llogaritur aspak se me ardhjen e termeti të fuqishëm të SPAK, do ta rrëzonte atë me pasoja katastrofike.

Në politikë nga magnitudë e mëdha që po sjell drejtësia e re qëndron se para përgjegjësisë vihet produkti i zgjedhur, që do të thotë se politikani i korruptuar është përgjegjësi kryesor dhe jo lideri që e vendosi për të drejtuar institucionet.

Këta të fundit nuk e marrin përgjegjësinë morale, duke ja heq si barrë vetës, a thua se nuk e dinin se nga një poltikan i keq dëmtohet karriera e tij dhe e partisë së tij që përfaqëson.

E kundërta ndodh në shtetet me demokraci të konsoliduar, ku çdo gabim që ndodh në politikë liderët e mbajnë vetë përgjegjësinë deri në dorëheqje sepse trysnia politike dhe reagimi i qytetarëve me lëvizjet civile bëhet e papërballueshme.

Ndërsa në Shqipëri lideri në rastin konkret, Kryeministri, ja hedh paq duke ja lënë përgjegjësinë vetëm politikanëve të korruptuar, a thua se nuk kishte sy në ballë që ti njihte, dhe nëse jo, të pyeste të paktën vërdallë se çfarë "brumi" janë kandidatët që i vijnë përreth. "Duke pyetur një mijë vetë e bën si do vetë"- tho populli.

Por jo, liderët shqiptarë e dinë shumë mirë se në politikë vihet me moton "kap ça të kapësh dhe zhvat çdo gjë sa s'është vonë" duke bashkëpunuar në grup, por harrojnë se nga tejngopja një ditë do të paguhen të gjitha.

Ky është ligji i hajdutit që e ka ves vjedhjen dhe dora e tij nuk ndalon kurrë derisa një ditë do ta kapin.

Kjo po shihet në dritën e diellit sot sado që pengesat e mëdha po e bëjnë më të ngadaltë punën e drejtësisë së re, me SPAK-un në gjurmim të tyre për ti vënë të gjithë pas hekurave.

Mor të gjithë, kush ka gëlltitur "qorbën e prishur" do të gjykohen sepse drejtësia për ata u ndërtua dhe jo për fukarenjtë që nuk kanë asgjë përveç shpirtit.

Të shkruash për PD-në nuk ja vlen se është e tëra e lërosur, këmb e krye dhe sot nuk ka pushtet, dhe pa u riformatuar duke shkulur një herë e mirë të keqen e saj që ka brenda dhe që po e drejton, do të jetë e destinuar gjithmonë të qëndrojë në opozitë.

Madje kjo opozitë e shkërmoqur e pa moral e me non gratan në krye u thotë ndjekësve të tyre kapeni hajdutin, ndërkohë që hajduta ishin vetë. SPAK me vendimin e gjykatës sot duhet ti kishte brenda qelisë dhe jo të dalin e të bëjnë moral madje t'u japësh edhe të drejtën për të bërë fushatë elektorale.

Duhet ndaluar sa më parë që të gjithë politikanët që kanë konsumuar vepër penale duhet të ishin në masa arresti dhe jo të dalin nëpër media e pudiume dhe të na tregojnë se cilët janë hajdutët nga krahu i kundërshtarëve politikë, në rastin konkret qeveria dhe drejtuesit e pushtetit vendor.

Atë e di shumë mirë SPAK-u me byronë e hetimit, prandaj duhen lënë të qetë e të punojnë me profesionalizëm, sepse peshqit janë në rrjetën e investigimit dhe nuk ka nevojë për ndihmën e të korruptuarve, për të na treguar gishtin për ta kapur.

Drejtësia është aq e zonja profesionalisht për ta bërë këtë, pra për të ndjekur gjurmët e krimit pa qenë nevoja nga zërat "ndihmëse" që vijnë nga jashtë me indicie politike.

Më tepër këta zëra vijnë nga politika e korruptuar që po përpiqet për ta penguar duke hedhur tymnaja, si dhe duke intimiduar prokurorët me të shkuarën e tyre.

Mirë apo keq, Vetting-u emergjent vendosi tani për tani në drejtësinë e re këta prokurorë, dhe nëse ata vënë një politikanë të korruptuar prapa hekurave nuk ka asnjë gjë të keqe, përkundrazi na bëjnë optimistë se më në fund drejtësia shqiptare po funksionon.

E ç'rëndësi ka, nëse një prokuror që ndoshta është zgjedhur nga opozita nuk duhet të zbatojë ligjin dhe me bazë të fakteve të akuzojë një zyrtar të lartë që e ka shpërdoruar detyrën?

Prokurorët nuk janë vendosur për të bërë politikë, por janë vendosur për të zbatuar ligjin duke ndëshkuar krimin e cfarë do llojë forme në çfarëdo kahu.

Të gjitha mediat që janë favorizuar nga kryebashkiaku i kryeqytetit i janë vërsulur prokurorit të çështjes duke u kapur me gjëra që skanë asnjë krahasim për atë cfarë kanë bërë të korruptuarit.

Tani që kryebashkiaku u arrestua nga prokurori i çeshtjes, lëshon akuza se i ka kërkuar leje ndërtimi për kullat. Ku ishte më përpara që ta dënonconte, apo foli tani që u zuri ngushtë. Kjo e bën kryebashkiakun akoma me tepër fajtor, për mos kallëzim të krimit, dhe nëse nuk ka prova, atëherë për intimidim.

Ka gjasa se prokurori Dado ka kapur të gjithë fillën sesi funksiononte rrjeti e këtij favorizmi që nga aktorët, këngëtarët, sportistët, influencierët e deri tek mediumet, sepse kjo është metoda më e mirë për të mbajtur gjallë korrupsionin e tyre në karrigen jetëgjatë të pushtetit.

Nëse kryebashkiaku shfaqej njeri i suksesshëm duke ndërtuar parqe, rrugë, kopshte e shkolla me paratë e taksave të qytetarëve, vetëm detyrën ka bërë e asgjë më tepër, se në të kundërtën të njëjtën gjë bënin edhe mafiozët italianë duke dhuruar bamirësi me paratë e drogës që do të thotë me ato para mbillnin vdekjen e fëmijëve të tyre të varur nga substancat narkotike.

Atë që po pëson Tirana sot e pësoi para 15 vjetëve qyteti i Selanikut, ku bashkia e qytetit më të madh verior grek, si një bandë vodhi paratë e taksapaguesve me aferat e tyre korruptive.

Diaspora e Greqisë e kujton shumë mirë kryebashkiakun karizmatik e popullor të Selanikut, Vasilis Paparigopulos i cili e drejtoi qytetin verior grek për 3 mandate por në prill të vitit 2011, ai ishte në mesin e 25 personave, bashkëpunëtor të stafit të tij, të kontaktuar nga një gjykatës hetues me një hetim për përvetësim të të 51.4 milionë eurove të komunës.

Ai u akuzua gjithashtu nga pasardhësi i tij, indjeri Jannis Butaris, se kishte dhënë shifra të pasakta financiare.

Në shkurt të vitit 2013, Kryebashkiaku populist Paparigopulos u shpall fajtor dhe u dënua me burgim të përjetshëm për përvetësim të 17.9 milionë eurove të Bashkisë së Selanikut gjatë kohës që ishte Kryetar Bashkie.

Në korrik 2014, dënimi u ul në një maksimum prej 20 vitesh pasi një gjykatë e apelit në Selanik vendosi se krimet e ish kryebashkiakut Papageorgopoulos përbënin veprimin si "aksesues për vjedhjen e fondeve komunale gjatë kohës që ishte në detyrë."

E dhashë si shembull se ky ishte një fenomen që dominoi Selanikun për dy dekada si një ish sportist, fitues olimpik i suksesshëm, dhe si një populist që karrierën e tij e lidhte vetëm me suksesin e ndërtimit dhe gjelbërimit të qytetit, por në realitet bota e tij e nëndheshme rezultoi më e rrezikshme për qytetarët e Selanikut të cilët e besuan me ato që shfaqej por nuk e dinin që ai u vidhte taksat e tyre të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Gjatë arrestimit të tij asnjë nuk doli ta mbronte dhe të protestonte, përkundrazi elektorati i tij u zhgënjye duke e dënuar aktin e tij kriminal dhe turpërues.

Pra për të ardhur tek Shqipëria e jonë e vonuar, drejtësia është si një tërmet, më e fuqishme se kurrë, e cila po punon duke mbledhur faktet dhe akuzat janë gati, por hajdutët që po vërtiten për t'ju shmangur hekurave duke intimiduar Dumanin dhe prokurorët e tjerë, por që janë në grahmat e fundit dhe që presin vetëm drejtësinë për t'u ndëshkuar dhe për të sjellë besueshmërinë tek qytetarët e thjeshtë.

Kaq mjafton për opozitën e cila po nuk u riformatua për të heq të keqën e madhe që ka brenda nuk ka shans që populli edhe një herë t'u japë një mundësi për të qeverisur.

Sepse kjo është politika, si një ruletë ruse, le të bësh 1000 mijë të mira nëse rrëshket nga papastërtia e figurës nuk ringritesh kurrë më.

Politika nuk është si profesionet e tjera, që ta fal pendesën, që pranon reflektimin, ku me një autokritikë të jep një shanc për tu ringritur.

Në politikë me anë të pastërtisë duhet të jesh si një fortesë që nuk tundohesh, se po u njollose sadopak rrëzohesh një herë e përgjithmonë, bie nokaut. 

Sot politika është marrë peng nga disa batakçinj që nuk shohin gjë tjetër, por vetëm si një zgjidhje për të pasuruar gjithë sorollojin e tyre.

E kanë kthyer si një biznes familjar ku të gjitha postet duhet ti marrin familjarët e të njohurit e tyre, madje edhe deputetët na dalin kushërinj. Deri këtu është katandisur mënyra e të bërit politikë, pa qenë monarki.

Këta erdhën këmbëzbathur dhe sot numërojnë milionat dhe kur kapen ngushtë me pasuri marramendëse thojnë se ua kanë lënë prindërit e tyre me pensionin e tyre qesharak.

Po ne të tjerët nuk kemi prindër, që dijnë të na japin vetëm dashurinë e ndershmërinë sepse vetëm këto janë pasuritë më të çmueshme që e mbajnë njeriun kokëlartë.

Im atë më thoshte - "Ti shërbesh vendit nuk do të thotë vetëm të kryesh detyrën por edhe si të mbrosh figurën tënde të pastër, profesionalizmin e integritetin tënd të pa përlyer gjëkundi nga tundimet që të sjell karriga e pushtetit"

Të gjithë janë të fshehur pas oligarkëve të cilët u garantojnë pasurinë e vjedhur duke ju dhënë mundësi të gjithë familjarëve të bëjnë një jetë përrallore kudo rrethuar në luks, dhe pak metra më tutje të vështron ajo bota tjetër e familjeve në skamje, me sy të fëmijëve të zgurtullitura, të pashpresë, të cilët e gdhijnë të nesërmen barkëtharë e këmbëzbathur.

Ata i ngushëllon vetëm vargjet e Migjenit që ulërasin edhe pas një shekulli me shpresën se një ditë do vijë e ardhmja e tyre e munguar.

Një e ardhme që nuk do të vinte kurrë pa drejtësinë e re që si një termet po shkul themelet e politikës së korruptuar, e cila e instaluar për mbi tre dekada ka varfëruar jetën e shqiptarëve dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Po ndodh...