Imoraliteti i Aktit Rama-Berisha ndaj SPAK

20 Nëntor 2023, 13:06 / IDE NGA SIDI HASANAJ

Imoraliteti i Aktit Rama-Berisha ndaj SPAK

Imoraliteti i aktit Rama-Berisha si koherenca mes veprimeve dhe vendimeve të përbashkëta të tyre ndaj drejtësisë dhe SPAK. Koherencë sot më e qartë se asnjëherë tjetër, kur paralelisht Bledi Çuçi në emër të PS sulmonte ashpër z.Altin Dumani, ndërkohë që Berisha me lakejt e tij ndizte flakadanë të kuq kundrejt SPAKut, në sallën e parlamentit.

Çuçi mundohei të delegjitimonte Dumanin nga posti i titullarit të SPAK, duke thënë se qëndrimi i Dumanit për qeverinë (e korruptuar sipas tij) në komisionin e Integrimit, është qëndrim personal i tij dhe jo institucional.
Pra Çuçi dhe PS (Rama më saktë) po tenton të zhveshë A.Dumanin nga kostumi i titullarit të SPAK duke e portretizuar gradualisht si një individ me axhendë personale, larg asaj institucionale.

Pra po mundohen të distancojnë institucionin (SPAK) nga drejtuesi i saj (Dumani), si prologue i një lufte mes PS dhe Dumanit .

Berisha pak më primitiv dhe vulgar në mendime, ndez flakadanë në Kuvend sepse sipas tij Rama ka urdhëruar SPAKun dhe “larot e tij atje” të hetojë aferën “Partizani”.

Berisha tenton ta delegjitjmojë Dumanin dhe SPAK duke i përkufizuar si “satelitë në orbitën e Edi Ramës”.

Mirëpo ky imoralitet (intrigë, mungesë sinqeriteti, urrejtje dhe luftë pushteti ndaj Drejtësisë) i akteve të përbashkëta Rama-Berisha, i pllakosur tashmë në arkivat e deklaratave mediatike, paradoksaliaht rrëzon qëndrimin e Berishës dhe Ramës:

Dumani nuk mund të jetë edhe kundërshtar i PS (tashmë zyrtarisht pas linçimit që kreu i grupit parlamentar të PS i bëri) siç thotë Rama, edhe vegël e Ramës siç thotë Berisha.

Mirëpo faktet që kemi janë sulmet që Rama-Berisha i kanë bërë SPAKut.
Atëherë lind pyetja:

Po sikur SPAK të jetë armik i PS Ramës dhe Berishës?

Po sikur faktet, pra sulmet e Ramës e Berishës ndaj Dumanit, përtej retorikës, të tregojnë të vërtetën e madhe:
Rama dhe Berisha po sulmohen për vjedhjet e tyre nga SPAK dhe po mbrohen duke u kundërpërgjigjur?

Ne e dimë që makineria e propagandës së Ramës është e fortë, nëse SPAK do ishte vegël e tyre, propaganda për të do ishte non stop për ta lartësuar punën e saj… por propaganda e rilindjes ndezi motorët për të sulmuar Dumanin dhe SPAK.

Fakte që tregojnë se sa imoralë janë aktet koherente dhe në unison të Ramës e Berishës, ndaj pushtetit të Drejtësisë!
Por fakte që vetëm i japin kredibilitet dhe legjitimitet Altin Dumanit dhe SPAK mes qytetarëve Shqipëtarë!