
Landfilli i Letërsisë Shqipe

Shumë autorë ankohen se nuk ka kritikë letrare, se punët e artit janë në duart e atyre që nuk janë kompetent, ose ç’është më e keqja, arti dhe letërsia gëlojnë nga klanet, miqësitë, fjalët pas krahëve dhe fallsiteti. Për fat të keq të gjjthë kanë të drejtë.
Halli është se edhe pse të gjithë e kuptojnë se në çfarë mjerimi të pështirë janë katandisur punët e letërsisë, përsëri asgjë nuk ndryshon; kritika vazhdon të merret akoma me Naimin, Lasgushin, Migjenin dhe Kadarenë, shtëpitë botuese vazhdojnë të shtypin libra përkundrejt pagesës, autorët vazhdojnë sipas rastit të bëjnë qoka, ndërsa stoku i librave me poezi vazhdon të rritet, pa e marrë vesh askush se mes disa dhjetra mijëra titujsh, mund të gjendet edhe ndonjë autor i mirë, puna e të cilit është varrosur në pirgun e madh të mediokritetit.
Letërsia nuk është art popullor me të cilin mund të merret gjithkush që ngrihet në mëngjes dhe deri në mëngjesin tjetër i ka shkruar nja 10 poezi. Për më tepër, një popull prej disa milionësh nuk mund të nxjerrë 100,000 poetë. Shumë shumë, një popull poezidashës si populli ynë mund të ketë nja 20 të tillë, gjysma e të cilëve i përkasin periudhës së Rilindjes. Dhe e dini besoj se kusuri është mbushur me poetët e realizmit socialist.
Shkurt, vendet janë zënë, ju të tjerët mos u lodhni kot, askush nuk do kujtohet për ju. Të paktën kritikëve nuk u bie ndërmend, sa kohë që të ekzistojë Ismaili.
Pse ndodhë kjo?
Në fakt ka një shpjegim.
Duke marrë si shembull vetëm disa syresh nga të dy periudhat e letërsisë shqipe - Rilindjen dhe Realizmin Socialist - për të tjerët nuk mbetet më asnjë vend. Ata emra të stërnjohur të letërsisë shqipe duket sikur janë murosur në kujtesën kolektive; ndoshta ngaqë gjithmonë përsërisim pambarim të njëjtët emra; Kadare, Agolli, Naimi, Migjeni; dhe prap; Naimi, Migjeni, Kadare, Agolli. Për autorë të tjerë “kujtesa” jonë nuk ka vend. Kaq zë ajo e shkretë.
Rilindasit kanë ikur nga kjo botë, por vepra e tyre mbetet. Socrealistët jetojnë akoma, dhe nuk kanë ndërmend të lëshojnë pe. Pse të ikin, kur askush nuk merret me pjesën tjetër, të varrosur në një landfill gjigand librash me poezi?!
Letërsia është një art elitar dhe dinamik, që zhvillohet përmes rrjedhave letrare bashkëkohore; që ka nevojë jetike për profesionistët e kritikës serioze, që të orientojnë lexuesin, ta edukojë atë. Sepse dreqi e mori nuk ekziston vetëm poezia “Mallë” për pikat e shiut që bien mbi qelq.
Ne shqiptarët merremi me gjithçka, përshembull; të gjjthë jemi ekspertë të politikës globale, të gjjthë jemi gjuhëtarë dhe merremi me etimologjinë e gjuhëve botërore dhe të gjithë shkruajmë poezi. Ndërsa në shtëpitë botuese pothuaj nuk gjendet asnjë strukturë redaktuese, në universitetet tona nuk kemi asnjë kritik arti që hulumton poezinë bashkëkohore, nuk kemi asnjë Çmim Kombëtar për letërsinë (mos më thoni se qenkan disa çmime vjetore që i ndanë Ministria e Kulturës).
Bukur shumë. Pas një muaji kemi Panairin e Librit, ku më të zellshmit do të shkëlqejnë. Por Nëntori do kalojë, dhe përsëri ato 20 vendet nuk do ndryshojnë. Vendet u mbyllën në vitin 1990.

ide

Parodi mbi dashurinë time: ngjarje reale, më 08 dhjetor 2023


Kuvendi berishist: As frymë, as numra!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128