Nuk ka nevojë për një konferencë ndërkombëtare paqeje për Kosovën

28 Shtator 2023, 13:10 / IDE NGA ARDIT GJINALI

Nuk ka nevojë për një konferencë ndërkombëtare

Ngjarjet dramatike të fundjavës së shkuar në territorin e Republikës së Kosovës shënuan një vëmendje të shtuar të shumësisë së aktorëve dhe faktorëve politikë kombëtarë dhe ndërkombëtarë mbi zhvillimet jo të pritshme dhe për të frenuar papritshmëritë e së ardhmes së afërt, të tillat që burojnë nga provokimi i skajshëm i një pale, përkatësisht Serbe kundrejt të njëjtës, së Republikës së Kosovës.

Republika e Shqipërisë nuk mund të lejonte një mungesë të vëmendjes shtetërore, politike dhe kombëtare ndaj ngjarjes në Republikën e Kosovës;- përtej shumësisë së mesazheve korrekte dhe të pritshme të secilit nivel hierarkik politik dhe shtetëror, “Kryeministri i traut” së këtyre anëve përcolli ndër rreshta idenë e një “Konference Ndërkombëtare Paqeje” për zgjidhjen përfundimtare të mos-marrëveshjes mes dy vendeve.

“Një Konferencë Ndërkombëtare Paqeje” është e pavend në kushtet kur Republika e Kosovës është një aktor politik i barabartë në tryezën politike të dialogut në ndërmjetësimin e Bashkimit Europian dhe miratimin politik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës;- një “Konferencë Ndërkombëtare Paqeje” do të ridimensionte kërkesat e aktorëve të tjerë globalë për pjesëmarrje “në vendimmarrjen e re” që mund të imponohej si shkak i negociatave në kontektin e zhvillimeve të fundit globale, aktorë që janë në kundërshti të interesit politik dhe shtetëror të Republikës së Kosovës përkatësisht të Kremlinit apo Pekinit zyrtar;- një “Konferencë Ndërkombëtare Paqeje” do të zhvendoste vëmendjen politike të aleatëve perëndimorë përkatësisht SHBA-BE-Mbretëri e Bashkuar nga konflikti në Ukrainë dhe gishtimi politik ndaj Rusisë drejtë një hapësire tjetër politike që do ta konsideronte dhe Kosovën si “pjesë të problemit”; - një “Konferencë Ndërkombëtare Paqeje” do të rriste artificialisht pozicionin politik të Serbisë në negociatë , e njëjta do të paraqitej si anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe “Kosova” mund të trajtohej në negociatë nga aktorët e tjerë globalë “përkatësisht Rusi apo Kina “ si një çështje territoriale, e njëjta jo shtetshmërie;- një “Konferencë Ndërkombëtare Paqeje” do të ishte vatra për implikime të reja politike rajonale dhe objekti i supozuar i së quajturës “Konferencë” do të zhvendosej në një pjesë të hapësirës Rajonale ku Serbia është sërish protagonisti politik negativ dhe do të dërgonte në trajtimin e çështjes së “Kosovës” në kuadër të një pakete politike Rajonale. 

Republika e Shqipërisë duhet të jetë në koherencë të veprimit diplomatik dhe politik me Republikën e Kosovës, koherencë mes dy shteteve të barabarta dhe jo si protagonizëm individual i ndonjë Kryeministri që rreket të eksportojë vëmendje politike si “kinse pjesë e zgjidhjes” pas ndikimit në “formën e dorës së fshehur” mbi krijimin e problemit. 

Presidentja e Republikës, Vjosa OSMANI ka dëshmuar përgjegjshmëri të lartë politike dhe shtetërore me thirrjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe njehsimin e të gjithë faktorit politik Parlamentar , në përgjigje të sfidave që po kalon Kosova.

Periudha politike e pas-ngjarjeve të fundjavës së shkuar kërkon një veprim politik dhe kombëtar, i njëjti i qartë, përbashkues dhe në koherencë me aleatët ndërkombëtarë.

Republika e Kosovës është një republikë me shtetshmëri në konsolidim, e njohur nga vendet kryesore të botës Demokratike dhe vijon të jetë kandidate për anëtarësim në organizma të ndryshme ndërkombëtare, ku qëllimi më i rëndësishëm politik dhe kombëtar mbetet anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Republika e Kosovës është shteti më i ri në hartën politike të Rajonit dhe Kontinentit, një shtet ku respektohen qartësisht të drejtat e minoriteteve përfshirë të njëjtin Serb, përtej secilës tentativë politike të frymëzuar nga Beogradi politik. 

 Republika e Kosovës përmes autoriteteve më të larta politike, Presidentja dhe Kryeministri duhet të jenë në koherencë të plotë politike dhe diplomatike me aleatët ndërkombëtarë duke shmangur secilën formë të veprimit sovranist, të tillë në formë apo thelb;- secili veprim sovranist do të inkurajonte kufizim të ndër-veprimit me aleatët ndërkombëtarë, kufizim që do të përdorej nga diplomacia Serbe për të vijuar strategjinë e “pezullisë”, objektiv kombëtar dhe politik i Beogradit zyrtar ndaj çështjes së Kosovës;- “Strategjia e pezullisë” reflektohet në nxitjen dhe tejzgjatjen e tensioneve politike të vazhdueshme dhe të pandërprera si një instrument për të vonuar dhe thuajse ndaluar dialogun mes dy shteteve, përkatësisht Republikës së Kosovës dhe Serbisë, gjithashtu; - periudha e tanishme politike , e njëjta në koherencë me zhvillimet kontinentale dhe botërore thërret për një kujdes të shtuar të diplomacisë Kosovare përkatësisht në mbrojtjen, interpretimin dhe reagimin përballë secilit fluks lobues të diplomacisë antagoniste Serbe, e tilla e njohur për efektivitet. 

Zgjidhja politike nuk mund të jetë si shkak i një Konference të stisur për qëllime të errëta politike njëjtë si “Ballkani i Hapur”, por i një vullneti politik të të dy vendeve përkatës për përmbushjen e angazhimeve të ndërmarra përpara partnerëve ndërkombëtarë, të tillët që janë garantët e vërtetë të një proçesi politik mes dy vendeve, jo të njëjtit Rajonal.

ide

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128