Popull i qitun faret

12 Mars 2023, 20:45 / IDE NGA ERL KODRA

Popull i qitun faret

Për të kuptuar se çfarë po ndodhë me demokratët shqiptarë, nuk mjafton Sali Berisha, pavarësisht faktit se çfarë përfaqëson ai në politikën shqiptare. Në të vërtetë, fenomeni është shumë më i thellë dhe kompleks, që ngërthen gjithë shoqërinë në një lloj labirinthi pa rrugëdalje, që gjendet vetëm në shoqëritë e korruptuara dhe të degraduara nga mungesa e moralit, krimi dhe korrupsioni.
Një fjalë goje të themi se Sali Berishën e mbështesin ish-ët e korruptuar të administratës së Partisë Demokratike, sepse nuk janë vetëm ata - por janë edhe të korruptuarit e Partisë Socialiste - përfshirë një ushtri me gazetarë, media, institucione dhe oligarkë. Është një mishmash interesash i ndërthurur në mënyrë të pazgjidhshme, që ne si shoqëri e kemi të pamundur ta zgjidhim.
A e dëgjuat Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve teksa deklaronte se "në përceptimin tim Sali Berisha është Kryetar i Partisë Demokratike"? Ilirjan Celibashi nuk është budalla, dhe ajo fjali nuk i shpëtoi padashje. Ai e di mirë se çfarë interesash po luhen, dhe se sa e rëndësishme është që faktori Berishë të vazhdojë të dominojë jetën politike, si garancia më e madhe për të ruajtur status - quo-në. Është fyese për një nivel nën-masatar inteligjence të intepretosh thagma të tilla, përveçse si inkurajim dhe mbështetje e hapur për të mbrojtur interesat ekonomike, politike dhe financiare të elitave aktuale.
Ka diçka që nuk shkon me ata që justifikojnë realitetin e tmerrshëm në të cilin e gjejmë veten prej 32 vitesh; dhe qartësisht ata janë ose idiotë të dobishëm, ose të poshtër. Ndryshe, si mund të shpjegohet ferri propagandistik dhe inkoherenca e tmerrshme e politikanëve? Çfarë është kjo babëzi për pushtet politik të përjetshëm, edhe pas 32 viteve që e kanë ushtruar atë me gjithë fuqinë e tyre? A nuk e kuptojnë se kanë shkuar larg, shumë larg, duke vjedhur dhe mashtruar një popull fakir? Akoma kërkojnë? Deri kur?
Tre njerëzit me pushtetin më të gjatë politik në Shqipëri janë Edi Rama, Sali Berisha dhe Ilir Meta. Shqipëria është produkt eskluziv i veprës të tyre politike, ekonomike dhe financiare. Një pjesë e mirë e shoqërisë ka marrë konturet e zakoneve të tyre, dhe mbijeton e rrjeshtuar ose nën urdhërat e tyre të drejtëpërdrejta. Aq larg ka shkuar kjo punë, sa është e pamundur të mbijetosh si njeri i lirë nëse nuk ke lidhjet e duhura që të sigurojnë mbijetesën. Përndryshe duhet të marrësh rrugët e botës. Dhe Shqipëria po zbrazet.
Imagjinoni pak Zv.Kryeministrin Arben Ahmetaj dhe Drejtoreshën e tij Alda Klosi. Pastaj imagjinoni me rradhë Ilir Beqajn, Saimir Tahirin, Lefter Kokën, Tom Doshin, Aqif Rakipin, Vangjush Dakon - dhe qindra të tjerë - të gjithë kupolën drejtuese të Partisë Socialiste. Dhe Edi Ramën në krye.
E gjeni kush është më i miri?
E gjeni kush është më i keqi?
Në fakt të gjithë njësoj janë; hajdutë të neveritshëm. Kockat ia shkërrdhyen këtij populli. E qitën faret - do thoshte Gjergj Fishta.
Tani imagjononi në krahun tjetër Sali Berishën dhe Ilir Metën.
Huh, ILIR METËN!
Këta të dy do ta mundin Edi Ramën. Të dyve u “digjet” xhani për ne.
Për ta filluar edhe njëherë nga fillimi. Ata në rolin e prijësit, dhe ne në rolin që kemi patur gjithmonë; të vjedhur dhe të mjerë.

 

ide