Pse Putin nuk mund t’i përdor armët bërthamore?

19 Nëntor 2024, 19:17 / IDE NGA ALBAN DACI

Pse Putin nuk mund t’i përdor armët bërthamore?
Sot, Putin ka miratuar një dekret për doktrinën e re të përdorimit të armëve bërthamore që tashmë mund të përdoren edhe ndaj vendeve që nuk posedojnë armë të tilla! Kjo vjen si përgjigje pasi SHBA i dhanë miratimin Ukrainës mund të përdorë raketat me rreze të gjatë deri në 300 klm.

Putin përdor dy strategji:

- Luftën dhe agresionin real mbi Ukrainën
- Luftën përmes deklaratave deri thuajse në kërcënime edhe ndaj Perëndimit
Në fakt në deklaratat e Putin kanë një hipokrizi të madhe dhe dy standarde:
- Ai sulmon një vend sovran si Ukraina dhe fajet e ka kjo e fundit

- Ai përdor armët më të mira që disponon, por Ukraina nuk mund të ketë armë për vetëmbrojte
- Ai merr armë nga Irani dhe Koreja e Veriut, por Ukraina nuk duhet t’i marr qoftë edhe nga Perëndimit armët që i duhen për vetëmbrojtje

- Ai madje dërgon edhe ushtarë të Koresë së Veriut, pra të një shteti tjetër për një konflikt që dhunon sovranitetin e një vendi si Ukraina
- Ai bombardon prej 1000 ditësh territorin Ukrainës e ndërsa kjo e fundit nuk ka të drejtë të bombardojë territorin Rus.

Me miratimin e SHBA për përdorimin e armëve me rreze të gjatë deri në 300 klm, ka shumë gjasa që rrjedhja e luftës të ndryshojë, pasi tashmë Ukraina mund të godas shumë objektiva të rëndësishëm rus. Në këtë situatë të re, por në vazhdim të logjikës së Putin, ky i fundit herë pas herë përdor si kërcënim mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore. Sa gjasa ka realisht që Putin t’i përdor këto armë? Në fakt përdorimi i këtyre armëve konsiderohen zgjidhja finale e një konflikti.

Putin po e bën këtë luftë për të forcuar sigurinë kombëtare të Rusisë si dhe për të forcuar pozitën gjeopolitike. Pra, në thelb, konflikti i Putin mbi Ukrainën është mbi logjikën për të fituar e përfituar. Gjithashtu, ky konflikt sa do të jetë i rëndësishëm për palët nuk është kërcënim serioz për ekzistencën e Federatës Ruse.

Putin, më mirë se kushdo tjetër e dinë shumë mirë se me përdorimin e armëve bërthamore nuk ka të fituar, por të gjithë janë të humbur ose më saktë është i humbur i gjithë njerëzimi. Me përdorimin e armëve bërthamore Rusia nuk e forcon sigurinë e saj e as pozicioni gjeopolitik. Madje, i rrezikon këto të dyja deri në dilemën përfundimtare të çështjes për ekzistencë apo jo.

Përdorimi i armëve bërthamore nga Rusia do të krijonte një situatë të ngjashme me apokalipsin të përshkruar në librat e shenjtë. Nëse Putin do t’i përdorte realisht atëherë përgjigja e Perëndimit do të ishte përtej imagjinatës të shëndoshë njerëzore.
Armët bërthamore, tashmë nuk janë as strategji konkrete e politikës të mbrojtjes edhe për vendet që i disponojnë. Ato janë thjeshtë një arsenal për të ruajtur ekuilibrat mes të fortëve që në fakt dikton edhe paqen e stabilitetin në krejt planetin. Rusia, tashmë duhet të gjejë rrugët dhe mënyrë sesi të dal nga një konflikt që tashmë i ka kaluar të gjitha parashikimet deri tek shpresa fillestare se ukrainasit do të dorëzoheshin shpejt, nuk do të qëndronin heroikisht për të mbrojtur Atdheun e tyre.

Konfliktet janë të thjeshta për tu nisur e shpesh nisin edhe pa ndonjë kauzë serioze, por sfida më e madhe dhe forca e një liderit është mënyra dhe koha që duhet të zgjedhe për të dalë. Daljet nga konflikti nuk janë me fitore absolute për palët në konflikt ose në këndvështrimin egoistë me vetëm një fitues. Palët e përfshira në një konflikt dalin të gjitha humbura, dikush më shumë e dikush më pak, por fitues real nuk ka.

Konfliktet kanë koste të mëdha në njerëz, materiale, por edhe në ekuilibra politik të brendshëm dhe ndërkombëtar. Rusia e ka një precedent të rëndësishëm dhe jo shumë të largët për të kuptuar se nga konfliktet nuk ka vetëm fitore, por shpesh edhe humbje e këto duhen pranuar. Rasti jo shumë i largët i humbjes së rusëve ishte Afganistani. Ndoshta, është momenti që Rusia të bëj llogari të ngjashme edhe me Ukrainën. Motivi dhe morali i ukrainasve është shumë i lartë se ai rusëve, sepse lufta e tyre patriotike për të mbrojtur familjarët, shtëpinë dhe vendin që jetojnë prej shekujsh.

Po ndodh...

ide