Reportazhi i dhimbjes: Morti i Martinit dhe ne të tjerët me rradhë…
Ora 15:00. Ditë e martë. Data 19 nëntor 2024.
Trupi i Martini katërmbëdhjetëvjeçar u mbulua përjetësisht në gropën e zezë të varrit.
Kuja mbërrin deri në kupë të qiellit. Është nëna e Martinit. Vetëm dhimbja e nënës mund ta çojë kujën deri në pafundësi e të nxjerrë prej shpirtit klithma dhimbjeje për birin që nuk do ta ketë më.
Gjithë të tjerët lotojnë në heshtje. Kokulët, të pafjalë. Dhimbja i meh fjalët. Kuja e dhimbjes shkon në kupë të qiellit e vjen sërish në tokë. Na përpin, na mpin të gjithëve.
Janë mbledhur plot njerëz. Kodi i ndarjes dhe nderimit të dhembjes së tjetrit na bën bashkë. Është i shenjtë.
Më të shumtët janë nga Martaneshi, prej nga janë prindërit e Martinit.
Erdhën në Tiranë si shumë të tjerë me ëndërrën e jetës në kryeqytet. Për fëmijët. Që të jetojnë më mirë. Të rriten më mirë. Të shkollohen më mirë. Sepse në Tiranë jetohet më mirë se në Martanesh…
Bartën me vete edhe varfërinë e tyre. Dhe mbi varfërinë ndërtuan jetën. Edhe ëndërrat. Me ndershmëri dhe mirësi të epërme. Njerëz punëtorë e të pafjalë të dy prindërit e Martinit. Siç janë e siç njihen në krahinë të dy familjet e tyre, Canët dhe Deliajt.
Erdhën në Tiranë e Tirana i vrau. Tirana u bë varri i Martinit të tyre.
Morti në çdo rast është i rëndë. Morti i Martinit edhe më i rëndë. Sepse ai nuk është mort vetëm në familjen e Martinit. Ai është morti i një shoqërie në krizë e ku njeriu bëhet i pavlerë.
Edhe dje, edhe sot për Martinin folën të gjithë. Folën edhe deputetët në Kuvend. Folën të ftuarit nëpër studiot e televizioneve. Do të flasin edhe nesër. E mandej askush nuk do të kujtohet më për të. Derisa një Martin tjetër të vritet. Në mos pranë një shkolle, diku tjetër në ndonjë rrugë a rrugicë qyteti, ku askush nuk ka frikë të ecë me thikë apo me armë në dorë.
Për fat të keq këto janë modelet që shoqëria jonë ofron pa drojë e me “bujari” kriminale. Portale dhe ekrane mbushen me këto modele. Modele dhune, perversiteti, abuzimi e fitimi kriminal.
Shkolla ka dështuar. Ka dështuar në misionin e saj. Kulti i librit dhe i mësuesit është bjerrur. Dominon kulti i të fortit. Dhe i forti të vjen me thikë në dorë e të merr jetën.
Mënyra jonë e reagimit, qasja dhe reflektimi i munguar janë dëshmi se në vrasjen e Martinit kemi dorë të gjithë. Gjuha e urrejtjes, dhuna, indiferenca, karshillëku, kapërdisja, e kanë vrarë njeriun brenda njeriut.
Martini ishte vetëm katërmbëdhjetë vjeç.
Dje ishte në shkollë.
Tani është në varr.
Dje ishte gëzimi dhe ëndërra e bukur prindërve të tij.
Sot është morti i tyre, është endrra e varrosur përgjithmonë.
Thika që e vrau Martinin është mes nesh. Tehun e saj e kemi mprehur të gjithë nga pak. Nëse nuk e thyejmë të gjithë sëbashku, ajo thikë do të vrasë sërish!
ide
top
receta Alfa
TRENDING
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128