Tre demagogë - në tre dekada

18 Maj 2023, 15:27 / IDE NGA ERL KODRA

Tre demagogë - në tre dekada

"Demagogjia është arma e oportunistit që synon të fitojë dhe të mbajë pushtetin duke manipuluar frikën dhe dëshirat më të thella të elektoratit" - Aldous Huxley

Në regjimet autoritare, nuk mjafton ekzistenca formale e partive politike ose pluralizmit politik. Hungaria, Serbia, Turqia, madje edhe Rusia dhe Bjellorusia formalisht kanë opozitat e tyre. Por atje gjithmonë fitojnë regjimet respektive. Përndryshe, këto lloj regjimesh quhen "demokraci e mbyllur" ose "demokraci e pakthyeshme".

Termi "demokraci e mbyllur" ose "demokraci e pakthyeshme" përdoret për të përshkruar një situatë ku një shtet që formalisht pretendon të jetë një demokraci, ka shkelje të rënda të parimeve themelore të demokracisë dhe kufizime të mëdha të lirive dhe të drejtave të qytetarëve.

Këto vlerësime lidhen me regjime që kanë struktura politike dhe "institucionale formale demokratike" por që nuk funksionojnë për shkaqe komplekse, që pak a shumë mund të përkufizohen kështu:

a) Kontroll politik: Pushteti qendror ose një parti politike specifike dominon skenën politike dhe merr vendime pa mbikëqyrje ose ndonjë kontroll publik të pavarur. Kjo mund të ndodhë përmes manipulimit të sistemit zgjedhor, marrjes së kontrollit të institucioneve kyçe dhe mbikëqyrjes së medias.

b) Kufizime të lirisë së fjalës dhe kontrolli i medias: Regjimi ndërmerr masa për të kontrolluar dhe censuruar mediat, duke kufizuar lirinë e shprehjes dhe larguar gazetarët kritikë. Informacioni dhe opinionet janë të ndërlikuara dhe nuk ka hapësirë të mjaftueshme për debat dhe pluralizëm.

c) Shkelja e të drejtave të njeriut: Të drejtat themelore të njeriut, si liria e tubimeve dhe liria e asociacionit, mund të ndalohen ose kufizohen. Pushteti shpesh abuzon me autoritetin dhe përdor forcë ose ndëshkim për të shmangur kundërshtimin politik dhe protestat.

d) Kontroll i sistemit gjyqësor: Pushteti kontrollon sistemin gjyqësor dhe përdor ndikimin politik për të ndëshkuar ose favorizuar individët dhe grupet e caktuara. Pavarësia e gjyqësorit është komprometuar, dhe nuk ka mbrojtje të mjaftueshme ligjore për qytetarët kundër abuzimeve të pushtetit.

Regjimi i Edi Ramës përmban pothuajse të gjitha karakteristikat e mësipërme, duke përfshirë edhe elementë të tjerë specifik të kontekstit kultoror dhe social të vendit, që kryesisht lidhen me trashgiminë dhe kulturën politike të krijuar pas rënies së diktaturës komuniste. Në këtë kuptim, demokracia shqiptare nuk kontrollohet thjesht nga regjimi i Edi Ramës, por kontrollohet bashkërisht së bashku me krerët e opozitës aktuale, Sali Berisha dhe Ilir Meta.

Përgjatë 32 viteve pas rënies së diktaturës komuniste në Shqipëri, skena politike është zotëruar plotësisht nga vetëm tre lidera politik; Sali Berisha, Ilir Meta dhe Edi Rama. Ata të tre kanë ndarë së bashku pushtet, marrëveshje politike okulte pa asnjë transparencë dhe llogaridhënie, kontroll absolut mbi mediat kryesore kombëtare, mbështetje të pandërprerë nga një duzinë oligarkësh ekonomik - duke krijuar kështu një sistem të pashkatërrueshëm dhe të padeportueshëm politik.

Nëse në Rusi dhe Bjellorusi sundon Vladimir Putin dhe dhe Aleksandër Lukashenko, në Shqipëri sundojnë së bashku tre lidera të padiskutueshëm; Edi Rama, Sali Berisha dhe Ilir Meta.

Ndryshimi mes regjimit në Shqipëri dhe regjimeve në Rusi dhe Bjellorusi qëndron në faktin se vendi nuk sundohet vetëm nga qeveria, por edhe nga opozita.

Domethënë, vet opozita është e kompromentuar dhe kontrollon pjesën e saj të pushtetit mbi mbështetësit e saj, duke i mbajtur ata peng të interesave të tyre ekonomike dhe politike. Ndarja e mbështetjes politike mes qeverisë së një vendi dhe opozitës përmes fasadës demokratike (të ekzistencës së pluralizmit) ka rezultuar tepër e suksesshme për Berishën, Ramën dhe Metën.

Nëse regjimet në Rusi dhe Bjellorusi shtypin opozitën përmes kontrollit të plotë të institucioneve qendrore të shtetit dhe delegjitimimit të saj deri në burgosjen ose eliminimin fizik për shkaqe politike, në Shqipëri vet opozita kontrollohet nga ky establishment politik. Përndryshe, nuk ka asnjë shpjegim se si është e mundur që Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë (ish-LSI) sundohen prej dekadash nga këta tre individ.

Produkti i një politike të tillë është vet Shqipëria e 32 viteve post diktaturë - vendi më i varfër në Europë, me korrupsion frenetik, nivelin më të lartë të krimit të organizuar kombëtar dhe ndërkombëtar dhe emigacion masiv. Saktësisht, vet Shqipëria është "vepra politike më e mirë" e Sali Berishës, Edi Ramës dhe Ilir Metës.

Manipulimi i procesit zgjedhor është karakteristika kryesore e regjimeve, që përfshinë blerjen e votave, vjedhjen e kutive të votimit, falsifikimin e rezultateve dhe ndërhyrjen në sistemin e numërimit të votave.

 Këto praktika janë përdorur gjerësisht ndër vite dhe kanë ardhur duke u përsosur nga të tre liderët kryesor të politikës shqiptare; duke filluar me Sali Berishën në vitin e largët 1996 - e deri më sot ku Edi Rama e ngriti një sistem industrial të manipulimit. Pa harruar edhe shitblerjen e votës, si një praktikë e filluar nga Ilir Meta dhe përsosur më tej nga Edi Rama.

Denigrimi politik i opozitës është një praktikë e zakonshme në regjimet autoritare ose demokracitë e kufizuara. Përfshirja e denigrimit njerëzor të liderëve të opozitës është një taktikë e përdorur për të diskredituar ata dhe për të ulur besueshmërinë e tyre në sytë e publikut. Kjo taktikë është përdorur me sukses jo vetëm nga qeveria, por edhe nga vet partitë politike brenda strukturave të tyre, duke shuar kështu të gjitha përpjekjet e individëve të spikatur brenda shoqërisë.

Denigrimi politik përfshinë etiketimin e çdo individi të shquar të shoqërisë si "person i paaftë", "njeri i paqëndrueshëm" ose "armik i atdheut". Kjo është një strategji që synon të ulë imazhin e tyre dhe të minojë legjitimitetin e tyre në sytë e publikut. Kjo bëhet për të penguar mbështetjen e tyre dhe për të shmangur që ata të bëhen një alternativë e vlefshme politike.

Këto akuza dhe denigrime njerëzore janë pjesë e strategjisë propaganduese për të krijuar një perceptim negativ ndaj çdo alternative politike - jashtë sistemit politik aktual të politikës shqiptare - për të penguar me çdo kusht lindjen e një alternative të re politike që mund të ndryshojë status quo-në dhe prespektivën e demokracisë. Përdorimi i këtyre taktikave ka si qëllim primar mbajtjen dhe kontrollin e pushtetit, si dhe për të shuar shanset e ndryshimit social dhe kulturor të vendit.

Demagogjia

Demagogjia është një ndër karakteristika kryesore që përdorin liderët autoritarë dhe regjimet. Strategjia e përbashkët e Edi Ramës, Sali Berishës dhe Ilir Metës për të mbajtur pushtetin politik dhe ekonomik brenda shoqërisë përshkruhet fund e krye nga demagogjia e pastër. Të tre përdorin teknika të sofistikuara për të fituar mbështetje popullore dhe për të përforcuar pozitën e tyre politike. Karakteristikat kryesore të përdorimit të demagogjisë nga të tre liderët përfshijnë:

Manipulimin emocional, duke shfrytëzuar emocionet njerëzore për të fituar simpatinë dhe mbështetjen e publikut. Ata përdorin retorikën emocionale, duke krijuar ndjenja të fuqishme si frika, zemërimi, zhgënjimi ose ndjenjat e përziera për të mobilizuar masat dhe për të krijuar ndjenjën e nevojës për një lider të fortë, ashtu siç janë ata vet.

Ata manipulojnë informacionin duke përdorur mediat që kontrollojnë për të ndryshuar perceptimin e opinionit publik, duke shpërndarë informacion të pabazë dhe manipuluar faktet; duke krijuar narrativa të favorshme për veten dhe për të denigruar zërat opozitarë. Kjo ndihmon në formimin e bindjeve dhe qëndrimeve të përkrahësve të tyre.

Ata falsifikojnë armiqësitë dhe polarizojnë shoqërinë, duke përdorur retorikën e armiqëve imagjinar dhe konflikte permanente, për jetë a vdekje mes tyre, në mbrojte të shoqërisë. Ata ndërtojnë narrativa të kundërshtarëve të brendshëm dhe të jashtëm si armiq të popullit dhe të vëndit, duke ndërtuar një klimë të tensionuar dhe duke sjellë ndjenjën e nevojës për një lider të fortë për të mbrojtur interesat e tyre.

Ata të tre janë njësoj në mënyrën e përdorimit të gënjeshtrave dhe në diskursin e premtimeve të pamundura. Që të tre ofrojnë zgjidhje të thjeshta dhe të befta për problemet tona më komplekse, duke shfrytëzuar dëshirën e njerëzve për ndryshim dhe për të përfituar nga situata ekonomike dhe sociale të vështira.

Që të tre ngjajnë si pikat e ujit në diskursin e tyre publik - dhe ndryshimi i vetëm qëndron në cilësitë e zërit, mënyrën e të shprehurit dhe dialektin që flasin. Në thelb ata ndajnë të njëjtën demagogji dhe strategji të komunikimit publik.

Më interesantja është se ata shpërndajnë në publik një diskurs ekstremisht armiqësor kundër njëri tjetrit. Në të vërtetë, kjo tregon se demagogjia e tyre funksionon, sepse fizikisht ata nuk mund të jenë armiq të njëri tjetrit, për sa kohë që ndajnë të njëjtën hapësirë publike, ndajnë të njëjtat media të kontrolluara prej tyre, ndajnë të njëjtët oligarkë ekonomik, ndajnë të njëjtat resorte me vilat e banimit, ndajnë të njëjtën infrastrukturë ekonomike, politike dhe sociale.

Nëse në Rusi dhe Bjellorusi (dhe pjesërisht në Turqi) kritikët e regjimit dhe liderat e opozitës denigrohen, burgosen, helmohen ose vriten, në Shqipëri përgjatë 32 viteve, të tre ata kanë ndërruar rolet herë në pushtet, herë në opozitë, dhe në asnjë rast (përjashto rastin e Fatos Nanos) askush nuk është burgosur, hetuar ose gjykuar për asnjë krim ekonomik, krim penal ose korrupsion me fondet publike.

Megjithëse akuzat kanë qenë të jashtëzakonshme, përfshirë fakte të padiskutueshme me prova të qarta penale, në të gjitha rastet, çështjet e tyre penale ose nuk kanë filluar asnjëherë, ose edhe në rastet kur kanë filluar formalisht, në të gjitha rastet ata janë shpallur "të pafajshëm".

"Demagogjia është arma e oportunistit që synon të fitojë dhe të mbajë pushtetin duke manipuluar frikën dhe dëshirat më të thella të elektoratit" - Aldous Huxley