
Vdekja e elitës politike

Niveli i komunikimit në shoqëri, në thelb shprehë emancipimin e saj, domethënë, sa është në gjendje ajo të refuzojë demagogjinë dhe propagandën. Sa më e prapambetur të jetë shoqëria, aq më e lehtë është të shesësh broçkullat si vlera morale. Me sa duket, shoqëria nuk arrinë as nivelin bazë të emancimipit, sa kohë që shumë nga folësit publik janë ca qenie me nivel ordiner komunikimi, vlerash morale ose kohezioni. Sikur të kishte një instrument magjik që ndalon gënjeshtrat publike dhe mashtrimet - njëlloj makine e së vërtetës - me siguri që veshët tanë do të binin në qetësi, dhe hallet tona nuk do të ishin kaq të mëdha.
Kriza e thellë e Partisë Demokratike, në të vërtetë nuk është vetëm kriza e saj, por e gjithë shoqërisë. Kjo krizë vetëm është shpërfaqur tek PD, për shkak të rrethanave komplekse, të ndërthurura me një sërë faktorësh sistemik, të brendshëm dhe të jashtëm. Në të vërtetë, kriza e vlerave morale së pari është e elitave politike - pellgut më të qelbur prej ku burojnë të gjitha të këqijat e këtij vendi. Klasa politike që lindi në vitin 1990 nuk arriti të shkëputej nga tradita 50 vjeçare e Partisë së Punës. Vet Partisa Socialiste ishte trashgimtarja direkte e PPSH-së, ajo ruajti struktrën, infrastrukturën dhe antarësinë, duke ndërruar vetëm emrin - një makeup krejtësisht i pamjaftueshëm për një parti politike që kishte kryer krime të përbindshme kundër popullit shqiptar.
Në korrik të vitit 1990, shoqëria iu ekspozua papritur pjesës tjetër të njerëzimit. Deri atëherë shumica absolute e qytetarëve shqiptarë kishin jetuar si në një planet tjetër, të shkëputur nga realiteti i jetës në Tokë. Shock-u psikologjik ishte i fortë, që përmbysi edhe ato pak vlera morale që i kishin mbijetuar ferrit komunist. Një pjesë e mirë e shqiptarëve filluan aktivitetet kriminale, brenda dhe jashtë vendit, me një nga format më të rënda të krimit - trafik qeniesh njerëzore dhe prostitucion - deri atëherë një tabu sipas kodit moral të shoqërisë. Që prej atëherë, krimi dhe korrupsioni ka njohur vetëm rritje, duke u bërë më agresiv dhe i sofistikuar. Shqiptari i viteve 90-të, i uritur dhe zhveshur nga skrupujt moral dhe material, tashmë i çliruar nga telat me gjemba, ishte i gatshëm të shiste dhe blinte edhe qenie njerëzore - gra dhe vajza të reja - vetëm për ca dollarë më shumë.
Një mjedis i tillë ishte vendi ideal për kurruptimin e shoqërisë në tërësi, në mënyrë hegjemone, sipas "parimit" peshku i madh e ha të voglin. Që kjo të ndodhë pa telashe, duhet ruajtur status quo-ja e mjedisit - niveli ekonomik dhe social i ulët, kaosi perfekt, pabarazia sociale, korruptimi i administratës publike, i agjensive të zbatimit të ligjit, i medias dhe klasës intelektuale. Bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë duhej të shpalleshin të gjithë, përfshirë edhe viktimat e Sigurimit të Shtetit. Mundësisht edhe ata që ishin detyruar me dhunë të nënshkruajnë ndonjë dekleratë në kushte ekstreme mbijetese. Vetëm kështu sigurohej vazhdimësia. Ata që nuk do t'ia dilnin, ose do të neveriteshin nga ndyrësia, le të largoheshin nga vendi - tashmë ne ishim një "shoqëri e lirë".
Në këtë kuptim, kriza e Partisë Demokratike nuk është vetëm kriza e saj, në fakt ajo është kriza e shoqërisë në tërësi, dhe në veçanti e elitës politike. Vetëm Zoti e di se çfarë llumi do të shpërthejë në Partinë Socialiste kur të vijë dita e gjykimit. E mbushur me hajdutë recidivistë dhe kriminel ordiner, e mbytur në korrupsion endemik - e tejngopur me pasuri të paligjshme - me një lider demagog dhe dallkauk si Edi Rama, tashmë Partia Socialiste nuk ka asgjë të përbashkët me një parti politike, por me një organizatë kriminale.
Një elitë politike që nuk ka çfarë i ofron vendit dhe shoqërisë përveç mashtrimit - që nuk përmban asgjë politike në diskursin publik - që hidhet edhe tek populizmi, sovranizmi dhe "konservatorizmi" për shkaqe mbijetese, në të vërtetë po përjeton fundin e saj. Shenjat e fundit politik të një brezi të stërlodhur dhe stërngopur me krim dhe korrupsion janë të qarta, pavarësisht se agonia mund të jetë e gjatë dhe e dhimbshme. Ata që i mbështesin vetëm do t'u zgjasin agoninë dhe vuajtjet - vetes dhe shoqërisë në tërësi. Vdekja e kësaj elite është fakt. Sa më shpejt të ndahemi me të vdekurit - aq më mirë.

ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128