Ish-këshilltari i Trump pranon fajësinë për mbajtje të paligjshme të dokumenteve të klasifikuara

26 June 2026, 18:25 / BOTA ALFA PRESS
Ish-këshilltari i Trump pranon fajësinë për mbajtje të

Ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare i presidentit amerikan Donald Trump, John Bolton, ka pranuar fajësinë për mbajtjen e paligjshme të dokumenteve të klasifikuara që lidhen me shënimet e tij të përdorura për librin autobiografik.
Bolton, i cili është kthyer në një nga kritikët më të zëshëm të Donald Trump, ishte paditur me 18 akuza për trajtim të papërshtatshëm të informacionit të klasifikuar dhe fillimisht ishte deklaruar i pafajshëm.

Të premten, ai pranoi fajësinë për një akuzë të vetme që lidhet me ruajtjen e paligjshme të informacionit të klasifikuar. Dokumentet përfshinin shënime personale me informacione që preknin sigurinë kombëtare të SHBA-së, disa prej tyre të klasifikuara në nivelin “Top Secret”.

Sipas prokurorëve, Bolton përballet me një dënim maksimal prej pesë vitesh burg dhe ka pranuar të paguajë një gjobë prej 2.25 milionë dollarësh.

Përveç gjobës, ai do të bashkëpunojë me autoritetet amerikane duke informuar zyrtarët e sigurisë kombëtare për materialet e klasifikuara që kishte mbajtur dhe do të kryejë 100 orë shërbim në komunitet.

Gjatë seancës gjyqësore, pasi gjyqtari lexoi akuzat, përfshirë pretendimet se Bolton kishte dërguar shënime me informacione të ndjeshme anëtarëve të familjes së tij, ai pranoi se faktet ishin të sakta.

“Po, e bëra, i nderuar gjyqtar”, deklaroi Bolton, duke shtuar se ishte “i penduar” për veprimet e tij. Mediat amerikane raportojnë se ai do të dënohet më 28 tetor.

Bolton u shkarkua nga administrata e parë e Donald Trump në vitin 2019. Një vit më vonë ai publikoi librin “The Room Where It Happened”, ku rrëfeu përvojën e tij në Shtëpinë e Bardhë dhe e kritikoi Trumpin si një president të painformuar në çështjet e politikës së jashtme.

Në atë kohë, Shtëpia e Bardhë ngriti një padi për të bllokuar botimin e librit, duke argumentuar se ai përmbante informacione të klasifikuara që nuk ishin verifikuar siç duhet. Gjykata e hodhi poshtë kërkesën dhe libri u publikua.

Më pas, Departamenti amerikan i Drejtësisë nisi hetime për të përcaktuar nëse Bolton kishte zbuluar informacion të klasifikuar në libër dhe nëse kishte ndarë materiale të ndjeshme me dy të afërm të tij.

Aktakuza gjithashtu pretendon se në një moment një haker kishte depërtuar në llogarinë elektronike të Boltonit, ku ruheshin dokumentet, dhe kishte dërguar një mesazh kërcënues duke paralajmëruar “skandalin më të madh që nga publikimi i email-eve të Hillary Clinton”.

Ekspertët ligjorë kanë vlerësuar se ndonëse ndjekjet penale ndaj zyrtarëve të lartë për trajtimin e dokumenteve të klasifikuara janë të rralla, ato nuk janë të paprecedenta. Sipas tyre, vendimi i Boltonit për të pranuar fajësinë lidhet edhe me dëshirën për të shmangur publikimin e mëtejshëm të informacionit të ndjeshëm gjatë procesit gjyqësor.

Përpara se të bëhej këshilltar për Sigurinë Kombëtare në administratën Trump, John Bolton shërbeu si ambasador i Shteteve të Bashkuara në OKB gjatë presidencës së George W. Bush.

Po ndodh...

ide