Ishin duke ngrënë drekë pranë vendit të masakrës në Krakov, dy kirurgët shpëtuan të plagosurit dhe i dhanë ndihmën e parë edhe autorit të sulmit

Dy kirurgë polakë u gjendën rastësisht pranë vendit ku ndodhi sulmi i përgjakshëm në Krakov dhe u kthyen në protagonistë të një ndërhyrjeje vendimtare për shpëtimin e jetëve të të plagosurve. Mjekët, të cilët ndodheshin në zonë me familjet e tyre, lanë gjithçka dhe nxituan për të ndihmuar viktimat, përfshirë edhe autorin 24-vjeçar të sulmit.
Bëhet fjalë për Michal Pendziwiatr, drejtues i Departamentit të Kirurgjisë së Përgjithshme, Onkologjisë dhe Urgjencës në Spitalin Universitar të Krakovit, dhe kolegun e tij Mateusz Wierdak.
Sipas mediave, dy kirurgët sapo kishin përfunduar një drekë familjare dhe po largoheshin nga restoranti kur dëgjuan të shtënat me armë zjarri. Njëri prej fëmijëve të kirurgut Pendziwiatr vrapoi drejt të atit i tmerruar, duke i thënë: “Babi, po qëllojnë njerëz, po bien përtokë!”.
Pa humbur kohë, dy mjekët shkuan drejt vendit të ngjarjes dhe nisën t'u jepnin ndihmën e parë personave të plagosur. Mes tyre ndodhej edhe 24-vjeçari që kishte kryer sulmin dhe ishte neutralizuar nga policia.
“Kur shpëton një jetë, nuk ka rëndësi kush është personi përballë teje. Ti shpëton një jetë”, u shpreh profesori Pendziwiatr, duke shpjeguar vendimin për t'i dhënë ndihmë edhe autorit.
Një nga ndërhyrjet më vendimtare ishte ajo e kirurgut Mateusz Wierdak, i cili u përqendrua te një efektiv policie i plagosur rëndë gjatë përpjekjes për të ndaluar sulmuesin. Mjeku arriti të kontrollonte gjakderdhjen dhe qëndroi pranë efektivit deri në mbërritjen e ambulancës.
Kolegu i tij, Pendziwiatr, deklaroi se ndërhyrja e shpejtë e Wierdak ishte vendimtare për mbijetesën e policit, pasi ambulanca u vonua për shkak të angazhimit të ekipeve mjekësore me viktimat e tjera. Ndërkohë, ai kontaktoi vetë spitalin e specializuar për kirurgjinë e zemrës dhe kraharorit, duke kërkuar përgatitjen e menjëhershme të sallës së operacionit për efektivin e plagosur.
Pavarësisht vështirësive në koordinimin e transportit, dy kirurgët këmbëngulën që polici të dërgohej në Spitalin Gjon Pali II, ku mund të merrte trajtimin e nevojshëm. Sipas informacioneve të publikuara të dielën, dy efektivët e policisë që mbetën të plagosur rëndë ndodheshin në gjendje të qëndrueshme në spital, ndërsa njëri prej tyre kishte dalë nga koma. Autori i sulmit vijonte të ishte në gjendje kritike.
Po ndodh...
Berisha, “Kali i Trojës” i Ramës për shqiptarët që nuk e duan
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
