AlfaPena/ Njihuni dhe shijoni poezitë e pabotuara nga Elena Xhina Duka!

17 Korrik 2024, 11:35 / JETË NGA ALFAPRESS.AL

AlfaPena/ Njihuni dhe shijoni poezitë e pabotuara nga Elena Xhina Duka!

Prezantim i shkurtër, kush është Elena Xhina (Duka):

Mban pozicionin e Avokates së Shtetit pranë Avokaturës së Shtetit, Zyra e Këshillimit dhe Koordinimit Ndërministror që nga muaji qershor 2023.

Prej 10 vjetësh, ka ushtruar profesionin e Avokates dhe dhe që nga viti 2003 mban titullin avokat. Prej vitit 2016 mban titullin e Ndërmjetësës.

Në vitin 2015 ka ushtruar detyrën e Nënkryetares së Këshillit të Qarkut Elbasan. Ka qenë deputete e Kuvendit të Shqipërisë në legjislaturën IX-të, 2017-2021.

Për dy vite ka punuar si Këshilltare e Ministrit të Drejtësisë, dhe më pas si Drejtoreshë Kabineti pranë Bashkisë Elbasan.

Prej vitit 2013 jep mësim si lektore pranë Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan.

Është trajnuar në fusha të ndryshme të së drejtës, si ajo e të drejtave të njeriut etj., si dhe ka vijuar studimet pasuniversitare në të drejtën publike.

Në vitin 2016 ka marrë titullin Doktor Shkencash në Drejtësi.

(Është autore e tre librave si dhe e një sërë punimesh shkencore në fushën e të drejtës. Botuese në disa revista shkencore kombëtare e ndërkombëtare, në fushën e së drejtës.)

Më poshtë poezitë më të freskëta dhe të pabotuara nga Elena:

BISEDË ME HËNËN

Këtë mbrëmje me Hënën keq u zura
Teksa më ndrinte nën qerpikë
I kërkova veç pak vetmi
Por ajo s’pranon të ikë.

Dhe pse gjatë për ty i fola
Për dashurinë që djeg si zjarr
Nga dritarja nuk iku hëna
Por më ndriçonte si fanar.

Mua më mjaftonte veç drita jote
Që natën të ma bënte diell
Ndaj lusja hënën që të shkonte
Të tretej larg atje në qiell.

Ajo më thoshte se dritë e saj
Të ndrin mendimet, bën mrekulli
Por mua jo nuk më duhej
Se Hëna ime ishe Ti.

Me hënën keq u zura sonte
Se i thashë një të vërtetë
Ëndrrat e mia nuk duan dritë
Por nga sytë e tu marrin jetë.

E ËNDËRRT

Në sy i ndrinte një vështrim
Që më digjte porsi zjarr
I verbër bëhem përpara saj
Dhe më besoni, krejt i marrë!

Kam humbur fjalët në dëshpërim
Tek prek të ëmblën buzë të saj
Aromën e shpirtit gjej aty
Si trëndafili që çel në maj.

Më huton krejt kurmi i ndritur
Me fildishin në lëkurë
Aty dua të shuaj etjen
Të ngopur mos kem kurrë.

E ç’të them për atë shpirt
Që netët mi zbardh si diej
Ku të gjej o yll i ndritur
Si ty ka veç nëpër qiej.

E po lodhem po venitem
Të pushtoj, të mbaj në gji…
Si harrova unë i ngrati
Ëndrrat treten, bëhen hi….

PRELUD

Atje ku dimri borën shtroi
dhe rrotull s’pipëtin njeri,
veç hija e saj frymon mbi tokë;
Magji ish kjo a s’ish magji ?

Tek unë ende ëndrrat flenë,
deri sa dielli i djeg si zjarr.
Me hirin e tyre ushqej ditët;
A jam i vdekur? A jam i gjallë?

Dhe jo nuk dua të vij pranvera
kur dimër ka në shpirtin tim,
le të më sjellë zoti sytë e saj
që mos urrej të bukurat stinë.

Atje ku takohen horizontet
unë iki, vij, kthehem sërish…
Dhe rri e pres buzëqeshjen tënde;
A do të vish? A do të vish?

PËRTEJ ËNDRRËS

Kur bota vinte rrokullimë
Dhe dritë shprese nuk kish aty
Si yll nga qielli më ndrije ti
Strehën e gjeja tek ata sy.

Dhe kur mëritë më lodhnin zemrën
Inati qënien ma tërbonte
Ish mrekulli e vashës sime
Buzëqeshje e saj që më qetësonte.

Pa të jam pemë e zhveshur dimri
Erërat më rrahin pa mëshirë
Se shpirti i saj kristal i pastër
Dhe botën bënte më të mirë.

E pse është vdekja më e hidhur
Kur jeta pelin të ushqen
Le të vij bota rrokullimë
Pa të asgjë këtu nuk vlen!

TË KËRKOJ

Ka kohë që drita jote ndrin
Por unë askund s’të gjej.
Ti je në tokë, këtu mes njerëzve,
unë të kërkoj në qiej.

Buzëqeshja jote si pranverë,
më ndjek pas nëpër netë.
Veç nëpër ëndrra të takoj,
e kurrë s’të kam në jetë.

Shikimi syrit tënd, magji
Që botën ma përmbyt!
Në prag të vdekjes le të jem
Më ngjall veç loti yt!

Dhe hapi yt më ndjek ngado,
më e bukura melodi.
Nëse për botën je një mes tyre,
Për mua…je perëndi!

Endem pas teje, si gjethe vjeshte
Që era lehtë flladit.
Asgjë e bukur mbi këtë dhe’
veç teje s’më mahnit!

Dhe kurrë s’u lodha të kërkoj
dhe pse askund s’të gjej.
Ti je në tokë, këtu mes njerëzve,
unë të kërkoj në qiej./*Të gjitha të drejtat e autorit janë të rezervuara nga Alfapress.al