Mashtrim dhe krim përmes rrjeteve sociale, sa të rrezikuar jemi?

31 Mars 2023, 18:18 / JETË ALFA PRESS

Mashtrim dhe krim përmes rrjeteve sociale, sa të rrezikuar jemi?

Krimi kibernetik është përhapur masivisht dhe pre e kriminelëve të internetit janë qytetarët e thjeshtë. Rasti i fundit që u njoftua një ditë më parë nga policia është ai i Liridon Pekës, një 28-vjeçar nga Tirana.

Ai u arrestua pasi ka vjedhur adresat e shumë qytetarëve nga Kosova dhe me anë të tyre ka përfituar shuma parash nga familjarët dhe të afërmit e tyre.

Ai ka përfituar në total mbi 100 mijë euro, pasi iu kishte dërguar atyre mesazhe se kishte nevojë për para. Në cilësinë e provës materiale 28-vjeçarit i janë sekuestruar 7 karta bankare, 2 laptopë, pajisje të tjera kompjuterike dhe 62 mandate të lëshuara nga filialet e rrjetit të transfertave monetare. Ai i ka kryer këto, teksa ishte në arrest shtëpie, si masë e dhënë në vitin 2022 për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”.

Në Shqipëri janë arrestuar persona se vidhnin karta banke nëpërmjet internetit. Ata përdornin të dhëna kartash bankare të cilat dyshohet se janë vjedhur nga shtetas të ndryshëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, me qëllim për të përfituar financiarisht, duke blerë pajisje të telefonisë së lëvizshme.

Gjatë vitit 2020 ka pasur mbi 200 vepra të denoncuara nga qytetarët për vjedhje adresash në Facebook dhe Instagram, për hapje llogarish të rreme në këto rrjete sociale, me qëllim shantazhi apo sharje. Ndërsa u zbuluan 534 raste në 2021-shin.

Ndërkohë që janë realizuar operacione policore të krimit kibernetik, që kanë pasur në fokus pornografinë me të mitur; mashtrim kompjuterik; ndërhyrje në sisteme dhe falsifikim kompjuterik për të kërcënuar një efektiv policie.

Sulmet dhe hakerimet mund të kenë pasoja shumë të rënda duke çuar në shantazhe, bullizëm, pedofili, përfshirjen e siteve pornografike dhe madje edhe dëme të mëdha ekonomike të bizneseve.

 

Po ndodh...