U dënua me burgim të përjetshëm nga Gjyqi Special! Kush ishte intelektuali dhe ish-ministri i Financave që u burgos nga diktatura

1 Prill 2025, 15:07 / JETË ALFA PRESS

U dënua me burgim të përjetshëm nga Gjyqi Special! Kush

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” përkujtoi intelektualin, financierin, ish-ministrin e shtetit shqiptar, Shuk Gurakuqi.

Shuk Gurakuqi lindi në Shkodër (28 mars 1888 – 13 prill 1966) dhe studioi në Kolegjin Saverian të Jezuitëve në vendlindje. Punoi fillimisht si arkëtar në Doganën e Shkodrës, si administrator i disa firmave private në Shkodër dhe gjatë pushtimit austro-hungarez, si shef i Seksionit të Financave në Bashkinë Shkodër. Gjatë viteve 1920-24, u zgjodh dy herë si deputet i qarkut Shkodër. Njëkohësisht, drejtoi organin e shtypit “Ora e Maleve” bashkë me Patër Anton Harapin dhe Dom Lazër Shantonë.

Ndonëse nuk mori pjesë në Lëvizjen e Qershorit të vitit 1924, ai ishte një mbështetës i grupit antizogist dhe për këtë arsye mbeti në ekzil gjatë qeverisjes së Mbretit Zog. Kthehet në Shqipëri në vitin 1938 dhe drejton firmën tregtare “Vllazën Prennushi”. Në qeverinë e Mustafa Krujës, Shuk Gurakuqi mbajti për dy vjet postin e ministrit të Financave. Me ardhjen në pushtet të komunistëve, Gurakuqi u arrestua dhe u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjyqi Special.

Me dekretin e datës 27 prill 1949 dënimi iu zbrit nga burgim i përjetshëm në 20 vjet. Mbas disa zbritjeve të tjera ka përfituar edhe 2 vjet, 8 muaj e 2 ditë. Ka qëndruar në burg gjithsej (ndër burgje të ndryshme në Shkodër, Tiranë, Durrës e shumicën në Burrel) 17 vjet, prej 22 janarit 1945 deri më 20 maj 1962. Periudhën pas burgut e kaloi në varfëri të plotë. Gjatë kësaj periudhe izolimi të plotë, u mor veç me lexime e punime shkencore.

Mbante shoqëri e marrëdhënie të plota me mikun e tij të vjetër Gjon Kamsin, që e vizitonte vazhdimisht, me kushërinjtë e tij që ishin në Shkodër Simon dhe Lazër Gurakuqin. Ndërroi jetë nga një sëmundje e shpejtë më 13 prill 1966 në Shkodër. Në varrimin e të cilit, përveç rrethit të ngushtë familjar, ndonjë miku a shoku të ngushtë; pati shumë pak njerëz nga frika e luftës së klasave që zhvillohej asokohe.

Shuk Gurakuqi ka qenë ekonomist financier, vullnetar i Luftës së Koplikut, deputet i të parit kuvend shqiptar të dalë pas Kongresit të Lushnjës. Pas pushtimit italian u emërua ministër Financash në qeverinë e Mustafa Krujës. Përktheu dramën me pesë akte të Silvio Pelikos, “Bardha e Ferdinandit” më 1909. Gjatë periudhës prej nëntorit 1910 e deri në fund të majit 1914 ka qenë drejtor i firmës tregtare Lazzaro G. Simoni (të bijtë e Lac Zef Simonit) në Shkodër.

Nga 6 qershori i 1914 deri në 26 qershor të 1915 ka qenë arkëtar në Doganën e Shkodrës. Vullnetar si rregullues i shpërndarjes së ushqimit të të varfërve pranë Bashkisë Shkodër për gjashtë muaj, nga marsi deri në shtator 1916. Më 16 shtator u emërua në bashki shef i Seksionit të Financave deri më 9 korrik 1918. Më pas anëtar i një komisioni të formuar në Shkodër për të mbikëqyrur dhe kontrolluar zyrat qeveritare të qytetit nën kryesinë e Bajram Fevziut.

Doli vullnetar për tre muaj në luftën kundër serbëve në Koplik gushtin e 1920. Më pas anëtar në Këshillin Administrativ të Prefekturës së Shkodrës nga 20 mars 1920 deri në qershor të vitit 1921 dhe kryetar i shoqërisë “Rozafat”. Financoi dhe u bë “drejtor i gjegjshëm” i fletores “Ora e Maleve” të P. Anton Harapit e Dom Lazër Shantojës, që ishte zëri i grupit politik me të njëjtin emër. U zgjodh deputet i qarkut të Shkodrës në legjislaturën 1921- 1923 dhe për zgjedhjet e viteve 1923-1925.

Në këtë interval kohor ka qenë, gjithashtu, anëtar i Komisionit të Financave dhe Post-Telegrafës së Kuvendit të Shqipërisë. Qe emigrant politik në Itali prej 24.12.1924 e deri më 28.10.1938, ndërsa Lëvizja e qershorit ’24 ku shumë miq të tij qenë të përfshirë, e gjeti shtruar në një spital të Romës.

Gjatë emigracionit Shuk Gurakuqi ishte përfaqësues civil i Klerit Katolik Shqiptar në mbledhjen e mërgimtarëve antizogistë që u mbajt në Vjenë, 1925. Me të kuptuar që mbledhja anonte nga Bashkimi Sovjetik ngase në Vjenë asokohe ishte vendosë qendra e Komintern-it, dhe me këtë bekim u formua Konare-ja u kthye në Romë për të njoftuar Imzot Mjedën dhe P. Fishtën. Gurakuqi u tërhoq nga implikimi me sovjetikë dhe u zëvendësua nga Angjelin Suma. Pati miqësi të ngushtë me Mustafa Krujën.

Por në rastin e telegramit të përgëzimit të drejtuar Musolinit me rastin e lidhjes së aleancës midis Italisë e Shqipërisë më 1927 nga Kruja, e cila Shuku iu duk si aprovim i politikës italofile të Zogut dhe nuk ishte dakord. Qe drejtor i firmës tregtare “Vllazën Prennushi” në Shkodër prej 1 janarit 1939 deri më 30 nëntor 1941 dhe bashkëpunëtor me firmën tregtare “Serreqi” në Trieste.

I bëri kërkesë zyrtare në Legatën Shqiptare të Romës për pasaportë, prejse donte të merrte leje me hapë një filial të firmës “Prennushi” në Shkodër. Zbarkimin italian e mori vesh në Vlorë, nuk mori pjesë në dërgatën e asambleistëve të zgjedhur nga paria e Shkodrës bashkë me Hafiz Ali Krajën. Emërohet ministër i Financave në Tiranë, prej 03 dhjetor 1941 e deri më 19 janar 1943 në qeverinë Kruja. Kur e thirrën në Mëkambësi nga fundi i vitit 1941 për t’i propozuar emërimin si ministër i Financave, ka refuzuar.

Pas pak ditësh u thirr nga Mustafa Kruja që i kujtoi kur e kishte pyetur gjatë emigracionit se po t’i kërkonte bashkëpunimin a do të pranonte e ai ishte përgjigjur: “po”, atëherë Shuku kishte pranuar të bëhej ministër i Financave në qeverinë e Krujës. Në maj të 1943 mori pjesë në varrimin e Ndok Gjeloshit në Tiranë, vrarë nga njësitë guerrile. Pas çlirimit, u arrestua dhe u burgos në Shkodër më 22 janar 1945 dhe u dënua prej Gjyqit Special në Tiranë mbas vendimit të dhënë me 13 prill 1945 me burgim të përjetshëm.

Kur prokurori Bedri Spahiu i lexoi akt-akuzën, Shuku iu drejtua kryetarit të trupit gjykues Koçi Xoxe: “E keni kot qi më lexoni akt akuza. Ç’prej dhetorit 1941 qi u eminova ministër i Financave e deri ditën qi kena paraqitë dorhjekjen si qeveri, për çdo veprim qi âsht bâ prej Ministrisë Financave si edhe për çdo shkresë qi ka dalë prej saj, mos e lodhni mênden gjatë, të tânë përgjegjsinat i mbaj unë.”/ Gazeta Panorama

 

Po ndodh...