Komploti për të vrarë Trump, Vance, Netanyahu dhe Elon Musk/ FBI arreston 8 ekstremistë, zbardhet plani tronditës

10 July 2026, 15:19 / BOTA ALFA PRESS

Komploti për të vrarë Trump, Vance, Netanyahu dhe Elon Musk/ FBI

Një skenar i rëndë që, sipas autoriteteve amerikane, mund të kishte sjellë një sulm me pasoja të mëdha u parandalua në minutën e fundit nga agjencitë ligjzbatuese në SHBA. Tetë persona janë arrestuar pasi akuzohen se kishin organizuar një komplot terrorist me objektiv sulmin ndaj figurave të larta politike gjatë një aktiviteti të planifikuar në Shtëpinë e Bardhë.

Departamenti amerikan i Drejtësisë bashkoi dosjet e hetimit në një aktakuzë të vetme federale, duke zbuluar përmasat e planit, i cili sipas FBI-së synonte zemrën e institucioneve amerikane.

Plani: Dronë me eksploziv dhe snajperë
Sipas deklaratave të FBI-së, grupi prej tetë ekstremistësh kishte organizuar një plan të detajuar për datën 14 qershor, gjatë aktivitetit "Freedom 250" të UFC-së në Shtëpinë e Bardhë.

Hetimet tregojnë se përgatitjet kishin nisur që në muajin maj, ku anëtarët e grupit kishin grumbulluar armë gjysmëautomatike, eksplozivë, dronë, jelekë antiplumb dhe kishin zhvilluar stërvitje taktike.

Sipas planit, dronë të pajisur me eksploziv do të hidheshin mbi turmën e pjesëmarrësve për të shkaktuar panik masiv. Ndërsa njerëzit do të largoheshin drejt daljeve, snajperët e grupit do të hapnin zjarr mbi objektivat e tyre.

Sipas dokumenteve hetimore, objektivat kryesorë ishin Presidenti Donald Trump, zëvendëspresidenti J.D. Vance, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe miliarderi Elon Musk.

Në një fazë të dytë të planit, një grup tjetër i armatosur do të përpiqej të sulmonte portat e Shtëpisë së Bardhë duke shfrytëzuar kaosin e krijuar.

Operacioni i FBI-së
Operacioni për çmontimin e grupit nisi më 10 qershor, vetëm katër ditë para ngjarjes, pasi FBI mori informacionet e para.

Në bashkëpunim me Shërbimin Sekret dhe prokurorët federalë, autoritetet kryen arrestime të koordinuara në Ohajo, Misuri, Nebraska, Kaliforni dhe Uashington.

I arrestuari i tetë, 21-vjeçari Chandler D. Scaggs, u vu në pranga këtë javë në Virxhinian Perëndimore.

Sipas hetuesve, Scaggs ishte caktuar si snajper i grupit. Edhe pasi humbi kontaktin me organizatorin kryesor 19-vjeçar Tycen Proper, pas arrestimit të këtij të fundit, ai deklaroi se ishte i gatshëm ta vazhdonte sulmin.

Komunikime në Signal dhe strukturë ushtarake
Prokurorët thonë se grupi funksiononte me një strukturë të organizuar ushtarake.

Anëtarët komunikonin vetëm përmes aplikacionit të koduar Signal, ku shkëmbenin harta, fotografi të objektivave dhe plane arratisjeje.

Sipas aktakuzës, pjesëtarët ishin ndarë në nivele të ndryshme. Ata të nivelit të parë kishin bërë betim se ishin të gatshëm të kryenin veprime të armatosura dhe, nëse ishte e nevojshme, të zhdukeshin pas sulmit për t'iu shmangur arrestimit.

Nëse shpallen fajtorë, ata përballen me dënime që variojnë nga 15 vite burg deri në burgim të përjetshëm.

Ideologjia e grupit
Autoritetet amerikane nuk ua atribuojnë të arrestuarve një përkatësi të caktuar politike, por thonë se ata ishin radikalizuar në internet dhe kishin përqafuar ideologjinë ekstremiste të njohur si "akseleracionizëm".

Sipas kësaj ideologjie, vetëm krijimi i kaosit dhe dhunës në shkallë të gjerë mund të çojë në rrëzimin e institucioneve shtetërore.

Dosja e FBI-së tregon se grupi e përshkruante veten si të krishterë që synonin të "shpëtonin Amerikën", përfshinte ish-ushtarakë me njohuri taktike dhe kishte përqafuar teori konspirative mbi "elitat e korruptuara", dosjet Jeffrey Epstein dhe ndikimin e lobit izraelit.

Sipas Lidhjes Kundër Shpifjes (ADL), kjo ideologji lidhet me një formë të dhunshme të ekstremizmit të djathtë, që synon rrëzimin e qeverisë federale përmes akteve terroriste dhe krijimin e një shteti etnik të bardhë.

Po ndodh...

ide