5 të arrestuar në veri të Kosovës për cenimin e përcaktimit të lirë të votës, 100 prokurorë të angazhuar në mbarë vendin

9 Shkurt 2025, 09:24 / KOSOVA ALFA PRESS

5 të arrestuar në veri të Kosovës për cenimin e

Policia e Kosovës ka arrestuar 5 persona shkaku i cenimit të përcaktimit të lirë të votuesve.

Katër të dyshuara femra kosovare janë arrestuar në Zubin Potok, për shkak se dyshohet se kishin thirrur në telefon një person dhe i kishin kërkuar ta votojë një subjekt politik, në të kundërtën do t’i hiqnin ndihmën sociale, shkruan KosovaPress.

Kështu ka bërë me dije Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ndërsa në cilësi të provave materiale gjatë kontrollit në objektin e Qendrës për Punë Sociale në Zubin Potok kanë bërë disa sekuestrime.

Në cilësi të provave materiale gjatë kontrollit objektin e Qendrës për Punë Sociale në Zubin Potok janë sekuestruar një aparat telefonik dhe listat me emrat dhe numrat e personave që dyshohet se janë kontaktuar me qëllimin e njëjtë. Në konsultim me prokurorin pas intervistimit të dyshuarat janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim të policisë.

Po ashtu, në sheshin “Car Llazar”, në Mitrovicë të Veriut është arrestuar një person i cili i kishte thënë një personi tjetër se nëse nuk e voton një subjekt të caktuar do t’i largojë vajzën nga puna.

Është arrestuar i dyshuari/k, se i njëjti i kishte thënë ankuesit/k se nëse nuk e voton një subjekt të caktuar politik do ta largojë nga puna vajzën e ankuesit. Në cilësi të provave materiale gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar një llap-top dhe dy telefona. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, përfundon njoftimi.

Prokurori i Shtetit tha se ka angazhuar afër 100 prokurorë dhe staf të sistemit prokurorial për procesin zgjedhor, në mënyrë që të procedohet çdo parregullsi e mundshme në zgjedhje.

‘Prokurorët do të qëndrojnë në zyrat e tyre në qytetet ku ekzistojnë prokuroritë themelore, ndërsa në ato vende ku Prokuroria nuk ka objekt, prokurorët do të qëndrojnë në stacione policore, ku në bashkëpunim me hetuesit e Policisë së Kosovës do të jenë në mbrojtje të votës së lirë të qytetarëve’, u tha në njoftim.

Ky institucion u bëri thirrje qytetarëve, partive e institucioneve të tjera që të denoncojnë çdo rast që dyshojnë për keqpërdorim të votave.

Po ashtu, Policia e Kosovës njoftoi se po zbaton planin e saj për ditën e zgjedhje, në koordinim me Prokurorinë për të mbrojtur votën.

Po ndodh...