Deputeti i Vetëvendosje: Kemi arritur marrëveshje me Nismën për formimin e Qeverisë

Lëvizja Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, ka arritur një marrëveshje joformale me Nismën Socialdemokrate për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Lajmin e bëri të ditur të enjten në mbrëmje deputeti i zgjedhur i LVV-së, Haxhi Avdyli, gjatë një interviste për emisionin “Konfront”.
“Bisedimet janë shumë pozitive. Ende nuk kemi një marrëveshje të shkruar, por shumë shpejt do të dalim para opinionit. Nuk jam i autorizuar të flas në detaje”, deklaroi Avdyli, duke shtuar se LVV tashmë i ka të siguruara 61 vota në Kuvend, por synon t’i rrisë ato.
Nisma, e cila garoi në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), nuk ka bërë ende komente zyrtare mbi marrëveshjen e përfolur me Vetëvendosjen. Tri ulëset që i takojnë kësaj partie duket se janë vendimtare për arritjen e shumicës së thjeshtë prej 61 deputetësh, të nevojshme për krijimin e ekzekutivit të ri.
Përpjekjet për formimin e institucioneve të reja kanë mbetur të bllokuara, më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve, për shkak të mosmarrëveshjeve politike. Konstituimi i Kuvendit ka dështuar dy herë brenda kësaj jave, si pasojë e kundërshtimeve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, të cilat kërkojnë që ministrat aktualë, që janë zgjedhur deputetë, të japin dorëheqje përpara se të votohet raporti i verifikimit të mandateve.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka konsideruar këtë kërkesë si të panevojshme, duke theksuar se qeveria është tashmë në dorëheqje që nga 23 marsi.
Ndërkohë, opozita ka akuzuar Vetëvendosjen se po e përdor vonesën në seanca për të fituar kohë dhe për të mbyllur pazare politike, duke dyshuar se partia e Kurtit nuk i ka ende numrat për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe Qeverinë.
Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet me rreth 42% të votave, duke siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Pas saj radhiten Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 24 mandate, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 20, ndërsa AAK dhe Nisma së bashku siguruan tetë ulëse, tri prej të cilave i takojnë Nismës.
Përveç votave të Nismës, Kurti ka zhvilluar takime edhe me përfaqësuesit e 10 partive të pakicave joserbe, në përpjekje për të përmbyllur shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë.
Seanca e radhës e Kuvendit, e cila pritet të rifillojë të shtunën më 19 prill, mund të jetë vendimtare për zhbllokimin e procesit politik në vend.
Po ndodh...
Amerika mund të tërhiqet nga Europa, por jo nga SPAK
ide
Kush është Lepuri i Surrelit?
Dy rrugët e gabuara të opozitës me Avokatin e Popullit
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
