Guvernatori i Floridas, Ron DeSantis shpall kandidaturën për president

25 Maj 2023, 16:06 / KOSOVA ALFA PRESS

Guvernatori i Floridas, Ron DeSantis shpall kandidaturën për president

Guvernatori i Floridas, Ron DeSantis tha të mërkurën se do të kërkonte nominimin republikan për president për zgjedhjet e vitit 2024, duke filluar kështu një përballje me aleatin e tij të dikurshëm, ish-Presidentin Donald Trump, një zhvillim ky që do të ketë ndikim të konsiderueshëm tek gara elektorale drejt Shtëpisë së Bardhë.

Zoti DeSantis e bëri njoftimin nëpërmjet një mesazhi me video, përpara një interviste audiofonike në Twitter me drejtuesin e këtij rrjeti, Elon Musk.

"Kemi nevojë për guximin për të udhëhequr dhe forcën për të fituar", tha zoti DeSantis. “Unë jam Ron DeSantis dhe po kandidoj për president për të udhëhequr rikthimin tonë të madh amerikan”.

Me një profil kombëtar në rritje dhe me ato që priten të jenë burime të mëdha financiare, zoti DeSantis, 44 vjeç, bëhet menjëherë kështu rivali më i madh i ish-Presidentit Trump për nominimin e Partisë Republikane.

Ai pritej fillimisht ta shpallte vendimin gjatë bisedës me pronarin e rrjetit social, ‘Twitter’, Elon Musk.

Duke zgjedhur Twitter-in të mërkurën në mbrëmje, zoti DeSantis u përpoq të përfitonte nga strategjia që ndihmoi ta shndërronte sipërmarrësin e njohur televiziv Donald Trump në një figurë kryesore të skenës politike.

Gjërat nuk shkuan siç ishin planifikuar.

Aktiviteti në internet filloi me defekte teknike që zoti Musk tha se ishin për shkak të "sforcimit" të serverave, sepse njerëz të shumtë po përpiqeshin ta ndiqnin bisedën audiofonike. Fillimi u vonua me mbi 20 minuta përtej kohës së planifikuar, përdoruesit nxirreshin jashtë sistemit, dëgjoheshin eko nga mikrofonat, ndërkohë që luhej muzikë gjatë problemeve teknike që vazhdonin.

“Mund ta dallosh nga gabimet se është e vërtetë”, tha zoti Musk.

Ekipi i ish-Presidentit Trump përqeshi Guvernatorin DeSantis.

"Kjo është një fatkeqësi. Nuk është për t'u habitur", shkruajti në Twitter këshilltari i lartë i zotit Trump, Chris LaCivita.

Zoti Musk kishte njoftuar që të martën se biseda, që do të transmetohej drejtpërdrejt në ‘Twitter Spaces’, do të ishte vetëm me audio.

“Do të intervistoj Ron DeSantis-in dhe ai ka mjaft për të thënë. Kjo do të jetë hera e parë që diçka e tillë po ndodh në mediat sociale me pyetje dhe përgjigje që do bëhen në kohë reale”, tha zoti Musk gjatë një paneli për Revolucionin Teknologjik i organizuar nga gazeta amerikane, “Wall Street Journal” në Londër.

Ron DeSantis do t'i bashkohet një gare me shumë kandidatë republikanë, ku do të vendoset nëse partia do të largohet nga ish presidenti Donald Trump, në përpjekje për të rimarrë Shtëpinë e Bardhë nga presidenti Joe Biden.

“Unë e shoh atë duke tërhequr një pjesë të bazës së përkrahësve të zotit Trump dhe duke u bërë më tërheqës për republikanët që duan vërtet një kampion në formën e ish presidentit Trump, por pa problemet e Donald Trumpit”, thotë profesorja e Shkencave Sociale në Universitetin ‘Brown’, Wendy Schiller.

Guvernatori DeSantis deri në zgjedhjet e nëntorit të vitit të kaluar kishte marrëdhënie të mira me ish presidentin Trump, por fakti, që në vend të mbështetjes për ish presidentin, po hyn vetë në garë, ka bërë që ish presidenti të fillonte sulmet ndaj tij para disa muajsh.

“Ai duhet të thotë unë po ju ofroj diçka që nuk e keni provuar. Unë do të jem më i mirë në planin afatgjatë sesa Donald Trumpi dhe unë mund ta fitojë Shtëpinë e Bardhë. Pra, oferta e tij, si një kandidat i qëndrueshëm mendoj se është një strategji e zgjuar”, thotë profesorja Schiller.

Guvernatori DeSantis gjithashtu u ka shpallur luftë të hapur politikave liberale, duke ndaluar nga sistemi shkollor i Floridës librat që flasin për barazinë racore, ka nënshkruar një ligj, që praktikisht e ka bërë abortin të pamundur dhe ka sulmuar të drejtat e komunitetit LGBTI.

“DeSantis është marrë me disa prej çështjeve më të ndjeshme kulturore, të cilat i shërbejnë për të tërhequr elektoratin republikan këto ditë. Sot është pak e vështirë të kuptosh se cilat janë çështjet kryesore që bashkojnë republikanët, por shqetësimi për disa nga politikat e së majtës duket se i bashkon republikanët”, thotë studiuesi i Qendrës së Politikave Dypartiake, Tevi Troy.

Analistët thonë se DeSantis ka të ngjarë të përpiqet të ecë në një vijë të kujdesshme duke shmangur sa më shumë përballjet që mund të vlerësohen denigruese për përkrahësit e ish presidentit Trump, ndërkohë që e bën të qartë se ai mbështet të njëjtat politika, por duke mos qënë aq kontradiktor sa ish presidenti./VOA

 

Po ndodh...