Iniciativa për tërheqjen e njohjes së Kosovës/ Ministri shqiptar Marash Dukaj përplaset me serbët në Mal të Zi

12 Maj 2026, 22:56 / KOSOVA ALFA PRESS

Iniciativa për tërheqjen e njohjes së Kosovës/ Ministri

Ministri i Administratës Publike në Mal të Zi, Marash Dukaj, njëherazi përfaqësues i Forumit Shqiptar të udhëhequr nga Nik Gjeloshaj, ka reaguar ashpër ndaj përpjekjeve të qarqeve pro-serbe për të vënë në diskutim njohjen e Kosova.

Reagimi i Dukajt vjen pas miratimit të një deklarate nga Kuvendi i Komunës së Zetës, ku kërkohet simbolikisht anulimi i vendimit shtetëror për njohjen e Kosovës – një akt pa efekt juridik, por me peshë në diskursin politik.

Ministri shqiptar e cilësoi këtë zhvillim si një ndërhyrje të papranueshme në kompetencat shtetërore dhe një goditje ndaj marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

“Bëhet fjalë për përpjekje për të marrë kompetenca që nuk u takojnë dhe për të ndërhyrë në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, të cilat janë objektiv parësor i vendit tonë,” theksoi Dukaj.

Ai nënvizoi se akte të tilla, megjithëse pa fuqi detyruese, përbëjnë një devijim serioz institucional dhe janë të motivuara nga interesa të ngushta politike dhe kalkulime gjeopolitike.

“Në vend që të punohet për përmirësimin e jetës së qytetarëve, po dëshmojmë përpjekje për shpërbërjen e institucioneve… për përfitime politike dhe strategji të caktuara,” u shpreh ai.

Në reagimin e tij, Dukaj përdori një gjuhë të drejtpërdrejtë, duke e cilësuar situatën si një kthim prapa për vendin.

“Definitivisht, dhe për fat të keq – një hap prapa në ndërtimin e së ardhmes europiane.”

Nismat për anulimin e njohjes së Kosovës lidhen me veprimet e partisë pro-serbe Demokratska narodna partija, e udhëhequr nga Milan Knežević. Kjo parti, e cila deri para pak muajsh ishte pjesë e shumicës qeverisëse, ka kaluar në opozitë pasi tërhoqi mbështetjen për qeverinë e kryeministrit Milojko Spajić.

Megjithëse vendimet e marra në nivel komunal nuk kanë ndikim në politikën e jashtme të Malit të Zi, e cila është kompetencë ekskluzive e institucioneve qendrore, ato po përdoren për të ndërtuar një narrativë politike kundër pavarësisë së Kosovës dhe orientimit euro-atlantik të vendit.

Me këtë reagim, ministri Dukaj, përfaqësues i Forumit Shqiptar në qeveri, ka dhënë një mesazh të qartë se çdo tentativë për të sfiduar vendimet strategjike të shtetit dhe për të dëmtuar marrëdhëniet rajonale përbën një rrezik për kursin europian të Malit të Zi

 

Po ndodh...

ide