Kurti përsërit kërkesën në dyert e BE: Serbia të dorëzojë Radoiçiç

3 Dhjetor 2024, 19:09 / KOSOVA ALFA PRESS

Kurti përsërit kërkesën në dyert e BE: Serbia të

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dhënë një deklaratë për mediat nga Brukseli pas takimit që zhvilloi me shefen e re të diplomacisë në BE, Kaja Kallas.

Kreu i qeverisë bën me dije se e informoi zyrtaren e BE me zhvillimet dhe arritjet e Kosovës, teksa ritheksoi edhe njëherë shqetësimin se Serbia vijon të mbajë në mbrojtje autorin dhe organizatorin e sulmit në Banjskë, Milan Radoiçiç.

“Në takim diskutuam çështjet e progresit të Kosovës sa i përket integrimeve evropiane, por edhe raportet me fqinjin tonë verior. Theksova se kemi pasur rritje ekonomike dhe progres demokratik të paparë në Kosovën e pavarur dhe njëkohësisht kemi menaxhuar sfidat më të rënda të sigurisë, kërcënimet më serioze të cilat rezultuan me vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku.

Kryekrimineli i bandës që kreu sulmin në Banjskë mbahet i lirë dhe mbështetet nga Serbia. Ne kërkuam, si në çdo takim tjetër, dorëzimin e Radoiçiçit tek autoritetet e Kosovës pasi Prokuroria tani ka aktakuzë prej 160 faqësh dhe grupin e tij prej mbi 40 personave”, tha Kurti.