Kurti: Serbia me përpjekje të vazhdueshme për destabilizimin e vendeve të rajonit

11 Nëntor 2023, 21:10 / KOSOVA ALFA PRESS

Kurti: Serbia me përpjekje të vazhdueshme për destabilizimin e

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha të shtunën se Serbia ende kërkon ndarjen e Kosovës si kompensim për gabimet e veta në ish Jugosllavi ndërsa theksoi se njohja e ndërsjellë do të ishte në të mirë të të gjithë rajonit.

Ai i bëri këto komente gjatë një debati të organizuar në Forumin e Paqes në Paris me temën “Krijimi i paqes dhe ndërtimi i një bote më të sigurt”.

“Kështu që ne kemi nevojë (për njohje) de jure dhe de facto të jemi bashkë në të gjithë rajonin dhe në të njëjtën kohë një simetri të caktuar të të drejtave të pakicave. Unë e di që të drejtat e pakicave nuk mund të jenë identike, por gjithashtu një mungesë e baraspeshës ndërmjet të drejtave të pakicave në të gjithë rajonin mund të kushtojë herë pas here me tensione që mund të tërheqin qendra të caktuara për destabilizim”, tha kryeministri Kurti.

Ai tha se ka përpjekje të vazhdueshme të Serbisë për destabilizimin e vendeve që janë të kufizuara me të.

“Pra fqinjët e Serbisë për sa kohë që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian, nuk janë të sigurt nga Serbia, dhe kjo duhet të merret parasysh në Bruksel. Ata janë të zemëruar me shpërbërjen e Jugosllavisë, kanë menduar se mund ta shkatërrojnë dhe ta marrin gjysmën e saj, por nuk doli ashtu”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës Albin Kuti tha se përkundër dështimit të projektit për shkëmbim të territoreve, ideja ende mbetet e gjallë.

“Njerëzit që kanë parë ëndrra për shumë vite për ndarjen e Kosovës, këmbimin e ndryshimin e kufijve është shumë e vështirë për ta që të braktisin këtë nostalgji e trishtim dhe të angazhohen në zgjidhje që do të ishin demokratike e evropiane”, tha ai.

Diplomatët perëndimorë janë vënë në përpjekje për të përshpejtuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mes shqetësimeve për qëndrueshmërinë në rajon që nxitën ngjarjet e 24 shtatorit në veri të Kosovës.

Me 26 tetor udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u takuan me udhëheqësit e vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, në kuadër të përpjekjeve perëndimore për të çuar përpara zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas këtij takimi ka deklaruar në disa raste se ishte i gatshëm të nënshkruante projektin e ofruar nga diplomacia perëndimore për themelimin e Asociacionit, duke akuzuar presidentin serb Aleksandar Vuçiç se e refuzoi atë. Ndërkaq presidenti serb Vuçiç, ka theksuar se nuk është shtruar çështja e nënshkrimit apo mosnënshtrimit, ndërsa e cilësoi propozimin e 21 tetorit si një bazë të mirë për vazhdimin e diskutimeve në të ardhmen.

Këto diskutime pritet të vazhdojnë javën e ardhshme në Bruksel në një takim ndërmjet kryengeociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të diskutimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, në dritën e kërkesave perëndimore që Prishtina të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa Beogradi të përmbushë detyrimet që çojnë drejt njohjes de fakto të Kosovës./ VOA

Po ndodh...

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128