​Kurti: Serbia po sillet si “Rusi e vogël”

14 Nëntor 2023, 16:56 / KOSOVA ALFA PRESS

​Kurti: Serbia po sillet si “Rusi e vogël”

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti foli sërish për sulmin në Banjskë të Zveçanit.

Në krye dhe prapa këtij sulmi, Kurti shtoi se është presidenti i Serbisë, ku shtoi se përpara janë kriminelët. Sipas tij, Serbia po sillet si “Rusi e vogël”. Kështu u shpreh Kurti gjatë vizitës zyrtare në Austri në një intervistë për ORF-në, medias shtetërore në këtë vend.

Ai foli sërish për agresionin serb të datës 24 shtator në Banjskë të Leposaviçit, ku u vra rreshteri i policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

“Dhjetëra terroristë paramilitarë erdhën nga Serbia dhe vranë rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në Zveçan, në komunën veriore të Republikës së Kosovës dhe ata sollën me vete pajisje të shumta ushtarake dhe municione. Vlera e tyre është mbi 5 milionë euro, të prodhuara në Serbi në dy fabrika, Sloboda dhe Zasrava arms në vitet e fundit”, tha Kurti në këtë intervistë.

Shefi i ekzekutivit theksoi se sulmi është organizuar nga ish-numri dy i Listës Serbe, Milan Radoiçiç, të cilin e ka pranuar vetë ai.

“Është parë shumë shpesh të ulet pranë presidentit Vuçiç “në takime të nivelit të lartë në Beograd”, theksoi Kurti.

Albin Kurti shtoi se prapa këtij agresioni qëndron presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç.

“Disa ditë pas këtij sulmi terrorist ai u arrestua në Serbi dhe u lirua brenda disa orësh. Presidenti i Serbisë është në krye dhe mbrapa këtij sulmi derisa përpara janë kriminelët që i njohin nga krimi i organizuar në Veri dhe në kufirin tonë me Serbinë”, tha ai.

Kurti tha se agresioni duhet të dënohet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Shenjat e Serbisë janë gjithandej në këtë akt agresioni dhe duhet të dënohet nga anëtarët e BE dhe SHBA-të pasi nuk ka asnjë dyshim që sulmi nuk ishte se qytetarët kapën armët apo fenomen spontan”, theksoi Kurti.

Shefi i qeverisë kosovare tha se Serbia po sillet sikur një “Rusi e vogël”.

“Serbia ka 48 baza operuese rreth Kosovës, 28 prej tyre ushtarake, 20 xhandarmëri, në secilën prej tyre janë 50 deri në 150 trupa, janë si patkua rreth vendit tonë. Dhe kur kanë vendosur barrikada në veri, njerëz me maska dhe uniforma, kanë pasur edhe shenja të ‘Wagnerit’ dhe ‘Ujqërve të Natës’, ata komunikojnë dhe bashkëpunojnë me këto dy organizata terroriste nga Federata Ruse, dhe padyshim Serbia për të krijuar Serbinë e madhe në Ballkan sillet si një Rusi e vogël….Serbia e di që s’mund ta ketë të gjithë Kosovën por i janë vënë pas pjesës sonë veriore të territorit, ku shumica e strukturave ilegale janë prezente për më shumë se 24 vjet që nga përfundimi i luftës. Serbia nuk dëshiron paqe në rajon, nuk dëshiron të anëtarësohet në NATO dhe BE, dhe dëshiron ta destabilizojë vendin tonë dhe të marrë territor që ta kompensojë humbjen e luftërave çerek shekulli më parë”, përfundoi ai.

ide

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128