LDK kritike ndaj projektbuxhetit: Tendencë për të vështirësuar punën e komunave

15 Nëntor 2023, 21:00 / KOSOVA ALFA PRESS

LDK kritike ndaj projektbuxhetit: Tendencë për të

Grupi Parlamentar i LDK-së ka mbajtur tryezë diskutimi me përfaqësues të sindikatave dhe organizatave jo qeveritare në lidhje me projektbuxhetin e Kosovës për vitin 2024.

Deputetë të kësaj partie thanë se buxheti është i dedikuar për subvencione dhe jo në investime kapitale. Po ashtu, konsideruan se pushteti ka tendencë për të vështirësuar punën e komunave.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se po mungon diskutimi publik në lidhje me projektbuxhetin. Sipas tij, është hera e parë që qeveria nuk ka pranuar asnjë amendament nga opozita, sipas Kosovapress.

“Ka pasur një qasje tendencioze të qeverisë që t’ua vështirësojë punën komunave, nivelit lokal qeverisjen dhe t’i pengojë në punët e tyre që është diçka e papranueshme dhe ne si GP kemi insistuar në vazhdimësi që t’u jepet mundësi komunave të kenë qasje në të hyrat vetanake, në ato pare për të cilat ishin si bartje prej viteve paraprake. Dhe na u ka dashur një luftë shumë e gjatë, një luftë shumë e gjatë parlamentare derisa qeveria arriti të bindet që ato janë të hyra vetanake dhe duhet patjetër të kalojnë në dispozicion të komunave. Ajo çfarë vërejmë tash ne në aspektin e një analize se si po qeveriset me paranë publike nga qeveria qendrore dhe cili është kujdesi që qeveria qendrore po e tregon për paranë publike dhe në raport me fushat e ekonomisë dhe të qeverisjes lokale me strukturat të ndryshme të shoqërisë, vazhdon të jetë bindja e përgjithshme se mungojnë kapacitetet e qeverisjes së kësaj qeverie, mungojnë projektet zhvillimore të kësaj qeverie dhe mungon ideja se si do të qeveriset ky vend”,deklaroi ai.

Në diskutimin për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti theksoi se projektet madhore infrastrukturore kanë ngecur dhe se nuk ka investime kapitale.

“Gati nuk ka asnjë shenjë që mund të gjejmë në tri vitet e kaluara nga shpenzimet e mbi 8 miliardë euro që janë bërë deri më tash. Pse nuk shohim asnjë shenjë? Sepse projektet madhore infrastrukturore të trashëguara kanë ngecur. Nuk i di arsyet teknike, nuk ka arsyetim asnjë lloj që mund të ngecin një vit, por jo tri vite me radhë. Ku ka shkuar buxheti, ju do ta shihni që masivisht ka shkuar në subvencione. Ajo që është problem edhe nga aspekti profesional, është ndryshimi i strukturës së buxhetit”, u shpreh ai.

Teksa nënvizoi prioritetet e premtuara të Qeverisë Kurti, Hoti tha se tri prej tyre nuk kanë filluar fare.

E kryetari i Prishtinës, Përparim Rama theksoi se ka mungesë të projekteve për kryeqytetin. Ai tha se duhen investime serioze për organizimin e lojërave mesdhetare 2030.

“Pika e dytë është edhe mungesa e projekteve për kryeqytetin. Kryeqyteti është shtëpia e numrit më të madh të bizneseve, numrit më të madh të taksapaguesve të Kosovës dhe taksat më të mëdha që i merr buxheti i Kosovës janë pikërisht prej bizneseve, prej qytetarëve të kryeqytetit dhe si të tillë duhet me pas kryeqyteti një prioritet….Kohëve të fundit kemi pasur po ashtu edhe lajme të mira ku kryeqyteti tash do të jetë nikoqir i Lojërave Olimpike Mesdhetare të vitit 2030. Edhe si rezultat ne duhet të përgatitemi jo vetëm për vitin 2030, por edhe sot kur kemi mungesë të infrastrukturës rrugore, ku ne kemi kërkuar, kemi bërë kërkesë të drejtpërdrejt që niveli qendror të ndaj buxhetin për unazën e kryeqytetit e cila është jetike”,deklaroi ai.

Në diskutimin e organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të sindikatave. Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jashari tha se qeveria i ka shpallur luftë sindikatave dhe dialogut social.

“Ndëshkimi më i madh që ndodh në Kosovë është suspendimi dhe lufta ndaj sindikatave. Kam frikë se do të bëhet praktikë dhe me shuarjen e zërit sindikal ku munden, sepse në SBAShK dhe në disa sindikata nuk ka shans, nuk i vjen erë demokraci…Fatkeqësi është që buxheti për arsimin duket se është rritur pak, por ne do të mbesim prapë në luftë me shkumës dhe shpuza, sepse në shtetet tjera është dukshëm më i madh ky buxhet dhe ka projektor e llaptop, e ne kemi vetëm shkumësa e shpuza”, përfundoi ai.

Nesër do të mbahet seancë plenare ku do të shqyrtohet në parim projektbuxheti për vitin e ardhshëm.