Eksportuesit humbën 80 milionë euro prej kursit të kmbimit, valuta e huaj ra me -19,2%

20 Maj 2023, 10:00 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Eksportuesit humbën 80 milionë euro prej kursit të kmbimit,
Ndërsa eksportuesit prej muajsh ankohen se nënçmimi i Euros i ka vënë në vështirësi serioze dhe se sektori ka humbur rreth 225 milionë euro prej këtij fenomeni, të dhënat zyrtare të INSTAT thonë se situata mund të jetë edhe më e zymtë.

Matja e bërë nga Instituti i Statistikave për muajin prill tregon se eksportet ranë në 34 mld lekë, apo rreth 340 milionë euro, duke u ulur me -19,2 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me -19,3 %, në krahasim me Mars 2023.

E thënë ma qartë, nga rreth 42 miliardë lekë në prillin e vitit të shkuar, eksportet ranë në 34 miliardë lekë në muajin parazgjedhor, me një diferencë negative prej 8 miliardë lekësh, apo afërisht 80 milionë euro më pak në buxhetet e kompanive. Në fakt nuk ka qenë vetëm kursi i këmbimit ai që ka ulur arkëtimet e kompanive, por edhe rënia e ndjeshme e çmimeve të mallrave në tregjet ndërkombëtare.

Në muajin Prill 2023, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Prill 2022 janë: Italia (16,7 %), Gjermania (48.2 %) dhe Kina (59.9 %). Ndërsa vendi me të cilin eksportet kanë pasur rritje më të madhe, është: Greqi (5,9 %), Kosova (6,1 %) dhe Spanja (285,2 %). Ndërkaq, si katërmujor, importet janë ulur me 0,8 %, krahasuar me katërmujorin e parë 2022.