Protesta të dhunshme në Francë, një milion qytetarë kundër reformës për pensionet

24 Mars 2023, 07:56 / KOSOVA ALFA PRESS

Protesta të dhunshme në Francë, një milion qytetarë

Më shumë se 1 milion vetë demonstruan në të gjithë Francën të enjten kundër reformës në sistemin e pensioneve dhe në disa raste protestat u shoqëruan edhe me akte dhune. Sindikatat bënë thirrje për zhvillimin e grevave dhe protesta të reja mbarëkombëtare javën e ardhshme, gjatë së cilës pritet të vizitojë Francën, mbreti Charles III-të.

Ministria e Brendshme tha se marshimi në Paris u shoqërua me akte dhune. 119,000 persona morën pjesë në protesta, një rekord për kryeqytetin në raport me protestat e mëparshme kundër reformës në sistemin e pensioneve. Sipas sondazheve, shumica e francezëve e kundërshtojnë projektligjin e presidentit Emmanuel Macron për të rritur moshën e pensionit, nga 62 në 64 vjeç, gjë që ai thotë se është e nevojshme për të mbajtur sistemin në këmbë.

Duke u mbështetur tek pjesëmarrja e madhe, sindikatat kërkuan menjëherë protesta dhe greva të reja të martën, ditën që mbreti britanik është planifikuar të vizitojë Bordonë, në ditën e dytë të vizitës së tij në Francë.

Autoritetet thanë se në mbarë vendin, më shumë se një milion vetë iu bashkuan marshimeve të mbajtura të enjten, në qytete dhe qyteza anembanë vendit.

Të enjten në mbrëmje, ndërsa zjarret vazhdonin të digjeshin në disa lagje të Parisit, ministri i Brendshëm Gerald Darmanin dha garanci se gjatë vizitës së monarkut britanik, siguria nuk do të ishte problem dhe se ai do të mirëpritej mirë, sikurse tha ai.

Zoti Darmanian shtoi se kishte degradim të madh të ndërtesave publike dhe atyre tregtare të enjten, më shumë se në demonstratat e mëparshme.

Demonstratat u mbajtën një ditë pasi zoti Macron zemëroi edhe më tej kritikët e tij, duke qëndruar me vendosmëri në mbështetje të projektligjit të pensioneve. Në Paris, betejat në rrugë mes policisë dhe grupeve të maskuara me të zeza, të cilët sulmuan të paktën dy objekte tregtare dhe një bankë, ishin pasqyrë e intensifikimit të dhunës dhe tërhoqën vëmendjen nga dhjetëra mijëra marshues paqësorë.

Policia, e goditur nga kokteje molotovi, objekte të forta e fishekzjarre, sulmoi disa herë dhe përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit./VOA

ide