Të braktisura dhe të dëmtuara, shkollat e mbyllura në Kosovë

17 Shtator 2023, 16:14 / KOSOVA ALFA PRESS

Të braktisura dhe të dëmtuara, shkollat e mbyllura në

Dhjetëra shkolla në Kosovë, kryesisht në zona rurale, janë mbyllur viteve të fundit, për shkak të numrit të vogël të nxënësve.

Objektet dikur të mbushura me nxënës, tani janë pamje e trishtë për banorët e atyre zonave.

Në një pasdite shtatori, Sebahate Sejdiu nga fshati Gurëz i Ferizajt po shihte nga rruga kryesore, në pritje të një autobusi për fëmijë.

Sebahatja ka katër fëmijë që ndjekin mësimin në Shkollën Fillore “Besim Rexhepi” në fshatin Komogllavë, rreth katër kilometra larg.

Për 30-vjeçaren, ky është shtatori i parë që fëmijët i duhet t’i nisë me autobus për në shkollë.

Deri në këtë vit shkollor, ata i ndoqën mësimet në shkollën gati ngjitur me shtëpinë e tyre, që shërbente si paralele e ndarë e Shkollës “Besim Rexhepi”.

Kjo shkollë u mbyll sivjet, për shkak se kishte mbetur me vetëm 11 nxënës.

“Kemi pasur mbledhje, na kanë thënë që mbyllet. Edhe pse fëmijët nuk kanë dashur të mbyllet, kanë pasur dëshirë [të mësojnë] këtu, por çfarë të bëjmë…”, thotë Sebahatja për Radion Evropa e Lirë.
Në Komunën e Ferizajt thonë se po përballen me rënie drastike të numrit të nxënësve.

“Në disa shkolla, kryesisht nëpër fshatra, numri i nxënësve në dekadën e fundit ka rënë nga 50 deri në 70 për qind”, thotë komuna për Radion Evropa e Lirë, duke paralajmëruar se edhe shkolla të tjera rrezikojnë mbylljen.

Përveç Ferizajt, statistikat tregojnë se numri i nxënësve është në rënie të vazhdueshme në të gjithë Kosovën në vitet e fundit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, numri i nxënësve në të gjitha nivelet e arsimit publik në vitin shkollor 2022/23 është rreth 300 mijë, në krahasim me tre vjet më parë kur ishte mbi 318 mijë.

Migrimi e rënia e natalitetit janë shkaktarët më të mëdhenj të uljes së këtij numri, thonë institucionet.
Zonat rurale, veçanërisht, po preken edhe nga migrimi i brendshëm i banorëve për në qytet.

Sipas të dhënave që ka grumbulluar Radio Evropa e Lirë nga një pjesë e komunave të Kosovës, të paktën 40 objekte shkollore janë mbyllur në 10 vjetët e fundit në nivel vendi.

Shumica e shkollave të mbyllura janë ato që quhen paralele të ndara të shkollave amë.

Sipas legjislacionit në Kosovë, një shkollë e caktuar mund të ketë edhe paralele, përkatësisht objekt tjetër shkollor në një lokacion tjetër, por se ndajnë udhëheqësinë e njëjtë.

Paralelet mund të themelohen kur nxënësit e një lokacioni kanë largësi mbi 4 kilometra nga shkolla amë dhe kur në atë lokacion janë më së paku 20 nxënës.

Po ndodh...